Zyhni Beqiraj/ NATO, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Malin e Zi!

148
U bënë disa ditë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare, nënshkruan me Kryeministrin e Malit Zi Millo Gjukanoviç, protokollin e anëtarësimit të Malit Zi në NATO. Padyshim ky është akti formal i nënshkrimit të dokumentit të zgjerimit të 7-të Aleancës, përbën një ngjarje të shënuar për zhvillimet rajonale, globale dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas Statutit e procedurave të anëtarësimit, mbas pothuaj një vit e gjysmë, anëtarësimi me të drejta të plota i Malit Zi, si vend anëtar i NATO-s duhet të miratohet nga Senati Amerikan, si edhe nga Parlamentet e Vendeve Anëtare të NATO-s. Që të anëtarësohet Mali i Zi në NATO duhet që të përmbushë një serë detyrimesh, të cilat janë të përcaktuara në Protokollet e nënshkruara dhe për këto Kryeministri Gjukanoviç garantoi se do të realizohen. Ndër të tjera është e kuptueshme se Mali Zi, tashmë ka edhe detyrimin që të përmbushë apo të realizojë edhe të drejtat dhe liritë e popujve pakicë, siç janë shqiptarët, që jetojnë prej disa mijëra vitesh si autoktonë në trojet e tyre etnike.


 Pa dyshim për Malin e Zi dhe jo vetëm, kjo është një ngjarje e shënuar, e cila vjen pas festimit të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë nga Serbia, ku vota e shqiptarëve ishte determinante. Zgjerimi i NATO-s edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor si Mali Zi, padyshim përbën një ngjarje të shënuar jo vetëm në aspektin e zgjerimit formal, por mbi të gjitha të rritjes së sigurisë dhe të zhvillimeve euro-atlantike në këtë rajon kaq të rëndësishëm. E nëse kjo është mirëpritur nga DPS e Kryeministrit Gjukanoviç në fuqi, anëtarësimi është kundërshtuar nga partia opozitare pro ruso-serbe, veç të tjerash edhe nëpërmjet organizimit të një sërë protestash të dhunshme. Qëllimi është i qartë, nën ndikimin dhe në koherencë me politikën ruse, të pengojnë me çdo kusht zgjerimin e NATO-s në këtë rajon kaq të rëndësishëm edhe për nga ndikimet e zhvillimeve rajonale e globale. E ndërsa opozita e përfaqësuar nga PSD, me pjesëmarrje të gjerë edhe të forcave popullore pro ruso-serbe, u përfshi në një serë protestash, madje edhe të dhunshme, shqiptarët me banim në Malin e Zi me pjekurinë e tyre, si edhe të brumosur me aspiratat pro euro-atlantike, duke mos u përfshirë në këto manifestime të dhunshme, treguan edhe një herë se ëndrra e tyre është Europa, se liria e jetuar në fqinjësi të mirë, si dhe bashkëjetesa me vendet europiane ku aspirojnë të integrohen, është ideali shekullor i tyre. Anëtarësimin e Malit Zi në NATO, ato e shohin edhe si fillimin e realizimit të aspiratave të tyre. Ndaj edhe pse sot pas dhjetë vitesh në Pavarësi të inkuadruar si shtetas të Malit Zi, ku padrejtësisht janë pjesë prej afro 140 vitesh, nuk i gëzojnë të drejtat dhe liritë si të gjithë popujt apo etnitë e tjera në trojet e tyre etnike, shqiptarët në kuadër të anëtarësimit të shtetit të Malit Zi në NATO, apelojnë për të drejtat e tyre. Ata apelojnë për këto të drejta dhe liri të munguara, pranë strukturave Euro-Atlantike të përfaqësuara edhe nga disa prej atyre shteteve, të cilat në vitet 1880 dhe 1913, i ndanë nga trungu i shtetit amë. Ato më shumë se kurrë, apelojnë edhe tek institucionet e larta të shtetit amë, Shqipëri, si edhe përfaqësuesit e tyre, të cilët janë pjesë e tavolinave ku diskutohet dhe merren vendime. Më 27-30 Maj 2016 në Tiranë mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s. Të gjithë përfaqësuesit më të lartë të shteteve anëtare do të jenë atje. E tërë bota demokratike do t’i mbajë sytë nga Tirana. Por këtu në Tiranë, shqiptarët me banim në Malin e Zi, si dhe përfaqësuesit e tyre politikë të organizuar në Partitë Politike Shqiptare nuk do të jenë të pranishëm. Diskutime të rëndësishme do të mbahen, ashtu si edhe vendimet që do të merren, të tilla do të jenë. E kjo është për t’u përshëndetur, pasi do të përcaktojë drejtimet dhe zhvillimet e politikave dhe strategjitë euro-atlantike në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm. Duke ndërmarrë padyshim masat konkrete për rritjen e sigurisë në rajon, shmangien e konflikteve, pse jo edhe në luftë kundër terrorizmit, si edhe vendime ë tjera të rëndësishme, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të popujve, kryesisht atyre pakicë, pra edhe të shqiptarëve në Malin e Zi, të gjitha këto sipas agjendës së miratuar, NATO do të tregojë forcën e saj shumëdimensionale në luftën për demokraci dhe jo vetëm. Shqipëria si asnjëherë e privilegjuar, ka një pozitë të trefishtë.

 Së pari, ajo ka detyrimet si vend Anëtar i NATO-s, që të përcaktojë dhe të promovojë politikat dhe qëndrimet në përputhje me ato të Vendeve Anëtare, ku padyshim do të paraqitet me bilancin e politikave, angazhimeve dhe sukseseve të saj. Së dyti, duke qenë vendi organizator, përgjegjësitë bëhen edhe më të mëdha, veç të tjerash për krijimin e kushteve dhe klimës së favorshme, në kuadrin edhe të të gjithë detyrave që kërkon mbajtja e punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Së treti, duke qenë se shqiptarët jetojnë në katër shtete të rajonit, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mali Zi, detyrimet dhe promovimet e politikës shqiptare nëpërmjet përfaqësuesve të saj, marrin rëndësi të veçantë. Të veçantë e bën edhe qëndrimi që do të mbajnë Drejtuesit e Shtetit Shqiptar, si gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, por edhe në takimet formale dhe informale dypalëshe apo më shumë, me drejtuesit e shteteve anëtare. A do të flasin ata për të drejtat dhe liritë e munguara të shqiptarëve në Malin e Zi, për garantimin dhe sigurimin e tyre? 


Deri më sot, të pakten nga kronikat që kanë përcjellë mediat, nuk lexon asnjë frazë. Edhe pse me të drejtë janë përshëndetur zhvillimet dhe arritjet, të vjen keq kur lexon prononcime (sipas mediave) se: “Mali Zi, në këto 10 vjet Pavarësi, ka arritje në të gjitha fushat” dhe këto të thëna prej një nga përfaqësuesit më të lartë të Shtetit Shqiptar. Meqë Mali i Zi aspiron të jetë vend anëtar i NATO-s, duke përmbushur detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra dhe të përcaktuara në dokumentacionet përkatëse, ku ndërmjet të tjerave është dhe mbrojtja, garantimi dhe realizimi i të drejtave dhe lirive të popujve pakicë, siç janë edhe shqiptarët që jetojnë atje, natyrshëm lind pyetja. A do ti kërkohet të ndërmarrë angazhime konkrete për detyrimet që ka ndaj popujve pakicë, pse jo edhe të mbajë përgjegjësi për mos realizim të tyre? Përfaqësuesit e Shtetit Shqiptar, duke filluar nga Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta, Kryeministri z. Edi Rama, njëherësh edhe “Qytetar Nderi” i Ulqinit, Ministrat zj, Mimi Kodheli, z. Ditmir Bushati, si dhe të tjera personalitete si z. Pandeli Majko, në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, janë përballë edhe të detyrimit kombëtar, që vjen nga edhe shqiptarët ë Malit Zi, të cilët kërkojnë mbështetjen e shtetit amë, Shqipëri, për të drejtat dhe liritë e tyre. Kërkesa e tyre: “Mbroni të drejtat dhe liritë tona si popuj pakicë, por autoktonë në trojet tona etnike, pasi padrejtësisht që prej një shekulli e gjysmë nuk i gëzojmë ato. Sot më shumë se kurrë si shtetas të Malit Zi, që aspiron për t’u bërë shtet anëtar i NATO-s me të drejta të plota, të cilin e përshëndesim, apelojmë për të drejtat dhe liritë tona”:
-) Përfaqësim në administratën e lartë, sistemin gjyqësor, polici, shëndetësi etj, sipas nivelit të përcaktuar shifror në % të arritur në zgjedhjet e përgjithshme politike. 
-) Decentralizim të pushtetit që mundëson rritje të kompetencave në qeverisjen vendore në përputhje me Kartën Europiane të Autonomisë Lokale. 
-) Përdorim të lirë të Simboleve Kombëtare, në raste festash kombëtare apo familjare. 
-) Dhënie e statusit të Komunës Tuzit në malësi, si edhe komunave të tjera. 
-) Ndryshimin dhe përmirësim të ligjit zgjedhor, për të mundësuar përfaqësim të garantuar të shqiptarëve në Parlamentin e Malit Zi, në përputhje me votën popullore sipas numrit të popullsisë. 
-) Respektimin e të drejtës së pronës, si edhe të zhvillimit të saj. 
-) Dhënien e kompetencave të plota Komunës Ulqin me shumicë shqiptare, si komunave të tjera me shumicë malazeze. 
-) Mbështetjen me politika standarde favorizuese, që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm edhe në zonat ku jetojnë shqiptarët, si në zonat me shumicë malazeze. 
-) Mos përdorimin dhe mbështetjen e Institucioneve Qendrore, që nuk respektojnë dhe që shtrembërojnë historinë mijëra vjeçare të shqiptarëve autoktonë në trojet e tyre etnike, etj. 
Mbarë shqiptarët, jo vetëm në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë ato që kanë emigruar me shekuj e deri më sot, i kanë sytë, veshët dhe ndërgjegjen të ngritur nga Tirana zyrtare. Politika Shqiptare ndodhet përpara një sfide të madhe. Ajo duhet dhe do të dijë të tregojë se është e denjë dhe në gjendje më shumë se kurrë që të mbrojë liritë dhe të drejtat e popujve kudo në botë ku ka represione, dhunë e konflikte. Por mbi të gjitha, duke patur edhe mbështetjen e Vendeve Anëtare të NATO-s, Politika shqiptare do të tregojë se di të mbrojë edhe të drejtat, edhe liritë e nëpërkëmbura të bashkëkombësve të saj kudo ku jetojnë, për më tepër të atyre që jetojnë në Malin e Zi. Por njëherësh dhe në koherencë me këto qëndrime, riunifikimi i platformave dhe qëndrimeve të subjekteve politike shqiptare nacionale dhe jo vetëm, si dhe konfirmimi i tyre në një Platformë Unike të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi për të drejtat dhe liritë si deri më sot, përbën imperativin e kohës, si edhe detyrimin e angazhimeve të përbashkëta të shqiptarëve në Malin e Zi, pse jo, edhe të gjithë faktorit politik shqiptar kudo ku janë e jetojnë. Shqiptarët me banim në Malin e Zi janë besimplotë se, NATO është garancia e të drejtave dhe lirive të tyre, ndaj e mbështesin anëtarësimin e Malit Zi si shtet me të drejta të plota, në strukturat e saj.