Zhduken 250 milonë euro të BE për ndotjen

213

Shqiptarët janë
të pambrojtur nga ndotja dhe krimi mjedisor


Projektligji dhe
mafia e mbetjeve këto 26 vjet


Artan Manushaqe


Gazeta Telegraf/

 


Shqiptarët janë të pambrojtur nga
ndotja dhe krimi mjedisor. Ndërsa shqetësimet shoqërore për mjedisin janë të
hershme, të paktën që nga shekujt e 17-18 taksat mjedisore, taksat për ndotjen
e mjedisit janë zhvillimi i shekullit të shkuar. Ishte ekonomisti A. C. Pigou
(1877–1959) ai që propozoi një tatim i cili duhet t’i caktohet ndotësit bazuar
në koston e vlerësuar të dëmit të shkaktuar prej tij. Në vitet 1920-të, Pigou
foli gjerësisht për kostot e fshehura të ndotjes së prodhuar nga lëshimet e
gazrave të fabrikave dhe minierave në Mançester, të cilat ai i vlerësoi se
ishin dyfish më të mëdha se vlera e çelikut të prodhuar, pra kuptoi se ky lloj
shfrytëzim i burimeve natyrore dhe kjo industri prodhimi kishte një përfitim
negativ për njerëzimin. Për të kompensuar kostot e larta mjedisore dhe për të
nxitur përmirësimet teknologjike që do prodhonin më pak ndotje, ai propozoi
taksimin e prodhuesve sipas sasisë së ndotjes duke themeluar parimin, ndotësi
paguan. Ky parim u bë pjesë e rëndësishme e politikave publike të vendeve
perëndimore. Një shekull më pas, Elbasani dhe Fieri, të cilat ofrojnë industri
të riciklimit të burimeve dhe mbetjeve duhet të ishin vendet më të pastra dhe
me të ardhurat më të mëdha në vend, sipas parimit ndotësi paguan. Kjo gjë nuk
ka ndodhur, madje situata në të gjitha parametrat është jashtë kontrollit në të
gjithë territorin shqiptar. Shqipëria është sot një vend me një nivel të lartë
ndotje. Ndër të tjera sëmundshmëria e lartë nga sëmundjet kancerogjene dhe shtimi
i lindjeve problematike e dëshmojnë këtë realitet. Një tjetër plagë është
punësimi informal në industrinë e riciklimit, që shkon në rreth 12 mijë
persona, sipas draft strategjisë ndërsektoriale të mjedisit 2013-2020 të
qeverisë shqiptare.

Ndotja e tokës nuk është vepër penale edhe
pse ka qenë e tillë vite më parë

Krimi i organizuar operon fuqishëm në fushën
e mbetjeve, nëpërmjet politikës dhe normativës, si rastet e fundit në vende si
Itali, Shqipëri, Marok apo vende e botës së tretë. Industria e plehrave apo
mbetjeve në botë duke parë që ka laguna të mëdha, jo vetëm ligjore, në vendet
në tranzicion, të varfra dhe të pazhvilluara si për shembull Shqipëria, duke
korruptuar politikanët, mediat, qeveritë, aktivistët shoqërorë dhe nëpërmjet
kamuflazhit ligjor përpiqen që plehrat t’i largojnë nga vendet e tyre. Duket se
Shqipëria këto 26 vjet ka qenë modeli demode për t’u kthyer në një vend ku
anembanë kundërmon era e plehrave të cilat ndotin ujin, ajrin dhe tokën. Vetëm
për fazën e para të anëtarësimit në (IPA) BE- Shqipëria mori 200 milion euro
për mbetjet plus rreth 50 milion euro në vite për kostot operative! Ku shkojnë
këto, para?! Shqipëria është e mbushur nga Veriu në Jug me plehra. Por saga
vazhdon në mënyrë progresive çdo vit, sa më shumë plehra në Shqipëri aq më
shumë para jep BE. Sa më shumë ndotet mjedisi, aq më shumë sëmundje
kancerogjene dhe vdekje për ne, duke e futur vendin në një cikël vicioz të
rrezikshëm kolapsi që cënon edhe sigurinë kombëtare… Prisni fazën e dytë, kur
Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së, paratë do të vinë lumë për mbetjet, po a
do të kemi mbetje?! Kjo shpjegon edhe logjikën pse që nga 2004 e deri në 2016
me ligje dhe akte të tjera normative pushteti ka tentuar ta ligjërojë në mënyrë
sistematike industrinë dhe importin e mbetjeve në Shqipëri, por që ka ndeshur
në një reagim të fortë solidar qytetar. Përfitimet ekonomike në fushën e
mbetjeve në dëm të mjedisit janë objektivi parësor i mafies së mbetjeve në
rrafshin global. Mafia ka kthyer sytë edhe nga vendi ynë, i cili me një klasë
politike, administratë, drejtësi tejet të korruptuar, përpiqet të legjitimojnë
si veprimtari jo të dëmshme dhe në Interes Publik importin e mbetjeve.


Krimi kryhet edhe me mos veprim


Kjo gjë ka ndodhur në vite pasi lobimi prej
miliarda dollarësh ka qenë mjaft i fuqishëm në fushën e plehrave, riciklimit,
asgjësimit, transportimit, grumbullimit, dhe në dëm të Interesit Publik si me
poshtë:


1.      Kushtetuta
e Shqipërisë për sa i përket çështjeve të mjedisit, e paraqet si pjesë të
objektivave sociale, e cila nga pikëpamja e garancisë së të drejtës për një
mjedis të pastër dhe të shëndetshëm nuk e garanton në mënyrë të drejtpërdrejtë
këtë të drejtë. Ajo nuk e ngre në nivelin e një të drejtë themelore, e cila të
mund të ankimohet drejtpërsëdrejti në Gjykatën Kushtetuese apo të përbëjë një
bazë të fortë ligjore për ngritjen e padisë për çështjet mjedisore.

2.      Kosova
mbrojtjen e mjedisit, shëndetit dhe jetën e njeriut e ka të përcaktuar në
Kushtetutë, Shqipëria jo. E drejta për të pasur një mjedis të pastër në Italinë
fqinje është ngritur në nivelin e një të drejtë themelore dhe në nivel
kushtetues, në Shqipëri jo. Në Itali ka një Kod Mjedisor në Shqipëri jo. Në
Itali ka një Kod Penal që parashikon edhe ndotjen e tokës dhe për këtë arsye
futesh në burg, në Shqipëri jo, mjaftohesh me një gjobë administrative.

3.      Shqipëria
është anëtare e Këshillit të Evropës që nga 1995, ka një direktivë të saj me nr
2008/98 (Aquis Comunaitaire) për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet të drejtës
penale. Në kuadrin e integrimit në BE ka që në vitin 2011 që i bën thirrje
Shqipërisë në çdo progres raport të transpozojë këto ligje, në mënyrë të
veçantë të parashikojë si vepër penale ndotjen e tokës. Deri më tani politika
dhe legjislativi shqiptar nuk e kanë bërë këtë gjë.

 Shqipëria është një vend tërësisht i
ndotur ku numri i vdekjeve nga ndotja e ajrit shkon në 500 persona në vit sipas
OBSH/ISHP. Pjesa më e madhe e shqiptarëve, konkretisht 80 për qind e tyre
rrezikohen çdo ditë, nga Bisfenoli A, një element vdekjeprurës dhe shkaktar i
sëmundjeve hormonale dhe një sërë sëmundjesh të tjera të rrezikshme si ato
kanceroze apo autizmi. Legjislacioni ynë ka nevojë emergjente për përmirësime
dhe implementime. Problem madhor për vendin mbetet zbatimi i ligjit dhe
vullneti politik. Importi plehrave sot, do të thotë vdekje e ngadalëshme nesër,
e ekonomisë, turizmit e bujqësisë.


Industria ricikluese


Duke iu referuar një dokumenti zyrtar në
lidhje me sasinë e mbetjeve në Shqipëri rezulton se në vendin tonë gjenerohen
386,728,650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 % e tyre riciklohet. Kjo
tregon që 83 % e mbetjeve në treg nuk thithet nga kompanitë e riciklimit, por
ndërkohë qeveria kërkon të importojmë mbetje. Kryeministri në krye të herës së
debatit për mbetjet ngriti tezën se po falimentonte biznesi i riciklimit si dhe
po mbyllen vendet e punës për rreth 3 mijë punëtorë. Një javë më vonë ndryshoi strategji
duke u shprehur publikisht se e kemi detyrim nga BE importin e mbetjeve dhe
riciklimin e tyre. Ky pohimi nuk është i vërtetë. Pasi Aleanca Kundër Importit
të Mbetjeve “AKIP ” në një takim me ambasadoren e BE-së Romana Vllahutin pak
ditë më parë mësoi se: direktiva e BE-së dhe Konventa e Bazelit nuk e lejojnë
një vend të marrë një përgjegjësi të tillë kur ai nuk ka kapacitetet, si për
importuesin edhe për eksportuesin. Në kushtet ku ndodhemi dhe për të mbrojtur
biznesin e ricikluesve, zgjidhja e duhur është subvencionimi i bizneseve deri
sa menaxhimi i mbetjeve të jetë efikas. Kjo alternativë mundëson ndalimin e
importit të mbetjeve dhe përmirësimin e mjedisit, shëndetit dhe vendit. Në një
intervistë për një televizion amerikan lideri i
 Greenpace Kumi Naido, u shpreh, “Nuk më
shqetëson dëmtimi që i bëhet mjedisit, sepse natyra i gjen ekuilibrat e vetë,
ajo që më shqetëson është shëndeti i njeriut, a do të mund t’i mbijetojë ai
këtyre kushteve transformuese të mjedisit”. Nuk jemi ende gati për importin e
mbetjeve.

 

Ekspert ligjor për çështjet mjedisore