Zgjedhjet në Serbi, LSI thirrje shqiptarëve të Preshevës të votojnë

551
Partia Socialiste për Integrim u ka bërë thirrje sot shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe vendore të Serbisë. Në një dalje për mediat, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama tha se shqiptarët e Preshevës duhet të marrin pjesë në zgjedhje për të treguar forcën e unitetit dhe bashkimit të tyre.


Deklarata për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama 
Nesër shqiptarët e Luginës së Preshevës janë në zgjedhje. Janë në zgjedhje për të votuar përfaqësuesit dhe drejtuesit shqiptarë në krye të organeve të qeverisjes vendore, pra në të tre komunat që e përbëjnë Luginën e Preshevës. Por njëherësh do të zgjedhin edhe deputetët shqiptar për në Kuvendin e Serbisë, sepse nesër në Republikën e Serbisë zhvillohen njëherësh si zgjedhjet në Kuvendin e Serbisë, ashtu edhe zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.
Prandaj, në kuadër të kësaj dite, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim e gjej me vend t’ju drejtohem sot të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote në Luginën e Preshevës. I drejtohem sot të gjithë përfaqësuesve dhe drejtuesve politikë, qytetarëve me ndikim, intelektualë dhe përfaqësues të kësaj Lugine që me pjesëmarrjen e tyre masive në zgjedhjet e nesërme, të dëshmojnë gjithë forcën e unitetit dhe të bashkimit të tyre.
Ta kthejnë ditën e zgjedhjeve të nesërme në një manifestim qytetar, në një manifestim evropian, të vendosmërisë së tyre, të bashkimit të tyre dhe të nderimit shqiptar për të gjitha sakrificat, që kanë bërë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Për të dëshmuar kësisoj që forca e bashkimit të tyre, unitetit të tyre, vendosmërisë së tyre, evropianizimit të tyre, dominon mbi interesat e grupit apo mbi interesat partiake. Pra, të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet që nesër të votojnë për të fituar alternativa shqiptare në Luginën e Preshevës. Lugina e Preshevës është një referencë patriotizmi dhe atdhedashurie për të gjithë shqiptarët.
Prandaj ata nesër duhet të dëshmojnë forcën e bashkimit të tyre. Pjesëmarrja dhe jo bojkoti, përfaqësimi dhe jo vetëpërjashtimi, prania dhe jo mungesa duhet të frymëzojnë nesër shqiptarët që votën e tyre ta përdorin për të mirën e Luginës së Preshevës që votën e tyre ta përdorin që të fitojnë kandidatët shqiptarë në Luginën e Preshevës, që votën e tyre ta përdorin që në krye të Komunave në Preshevë, në Bujanovç dhe në Medvegjë të jenë drejtues shqiptarë, por edhe që të drejtat dhe interesat e shqiptarëve të Luginës në Kuvendin e Serbisë, t’i shprehin, t’i mbrojnë dhe të jenë zëdhënës të tyre deputetë shqiptarë. Këtë kërkon interesi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Këtë kërkon interesi evropian i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, këtë kërkon i gjithë procesi i integrimit të shqiptarëve në institucionet e Republikës së Serbisë, këtë kërkon mbi të gjitha gjaku, sakrifica, dhe lufta e paepur që kanë bërë shqiptarët e Luginës së Preshevës për të fituar të drejtat e tyre kombëtare.
Sigal