Zgjedhjet lokale, Duma garon në Durrës, Basha: Fytyra emblematike e PD

44
DURRES – Partia Demokratike prezantoi Grida Dumën si kandidaten zyrtare të së djathtës për garën elektorale të 21 Qershorit në bashkinë e Durrësit. Në këtë mënyrë, lideri i opozitës Lulzim Basha vendosi të shpërfill kandidatin Agron Duka që Fatmir Mediu prezantoi publikisht nën siglën e Partisë Republikane. Megjithatë, aleati historik i demokratëve merr përsipër rriskun e humbjes dhe nuk braktis koalicionin e djathtë.
Ora 11:15 Duma: Mirënjohje PD për shansin, i kthej Durrësit shpresën
Kandidatja e sapozgjedhur nga PD për të garuar në zgjedhjet elektorale të Bashkisë së Durrësit, Grida Duma e cila u prezantua personalisht nga lideri demokrat Lulzim Basha tha se do të garantojë fitoren.
“Po kthehem tek qyteti im i lindjes sepse Durrësi e meriton t’i kthehet qytetaria. Sot do të fillojmë një etapë tjetër. Do kthehem shpresën e metropolit të dytë të Shqipërisë të rëndësishëm, do kthejmë fitoren, dhe mirënjohje PD që më dha shansin”, u shpreh zonja Duma. 
Ora 11:00 Basha: Grida Duma, fytyra emblematike e nisjes së re të demokratëve
Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi publikisht Grida Dumën si kandidate për Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet e 21 qershorit. Nga qyteti bregdetar, kryedemokrati Basha tha se zonja Duma është një kandidate potenciale e së djathtës për të garantuar fitoren e Bashkisë. Një fytyrë emblematike e nisjes së re të demokratëve, e ka cilësuar lideri i opozitës Basha.
“Ditë e bukur për qytetarinë e Durrësit, demokratët mbështetësit dhe aleatët. Sot shpallim kandidaturën tonë, të qytetarëve për një Durrës modern. Kemi premtuar një ofertë të re sepse koha nuk pret më, njerëzit duan ndryshim, të djathtë e të majtë, në Durrës e anembanë Shqipërisë janë të pakënaqur. Oferta jonë e re ka pasur disa personalitete e fytyra mbi të cilat është bazuar, njëri më dinjitoz se tjetri, por zgjedhja e PD dhe e aleatëve tanë pa rezervë shkon tek një bijë Durrësi, vajzë Durrësi, nënë Durrësi, një fytyrë emblematike e nisjes së re të demokratëve, të një intelektualeje të kalibrit evropian, akademike e shkëlqyer, politikane e dashur dhe e admiruar nga durrsakët. Grida Duma, kandidatja juaj dhe kryetarja e ardhme e bashkisë së Durrësit”, u shpreh Basha. 
Basha: Duka figurë dinjitoze e së djathtës, mbështetja e PR ndaj Dumës garanci për fitore
Kreu demokrat nuk la pa përmendur edhe kandidaturën e mundshme të Agron Dukës që u diskutua për në këto zgjedhje, ku u kujdes të theksojsë se zoti Duka është një figurë dinjitoze e së djathtës. Basha tha se e shikon garanci për fitore të së djathtës, faktin që deputeti i Durrësit Duka dhe Partia Republikane do të mbështesin Grida Dumën.
“Në garën për Durrësin përveç figurave të PD-së pati edhe një kandidaturë dinjitoze të aleatit të PR, Agron Duka. Duke vlerësuar me pozitivistet ofrim e figurës së tij, duke vlerësuar po kështu bashkimin pa rezervë të PR në mbështetje të Grida Dumës si një garanci shtesë për garantimin e fitores së Durrësit. Gara që na pret nuk ka për qëllim fitoren e PD, opozitës por ka për qëllim fitoren e çdo qytetari të bashkisë së re të Durrësit”, u shpreh nga qyteti bregdetar lideri i opozitës Lulzim Basha.
Ditën e djeshme forca më e madhe opozitare, PD ka zyrtarizuar Kasem Mahmutaj si kandidat për Bashkinë e Beratit. Mahmutaj vjen nga Partia Republikan dhe kjo mund t’i ketë ulur tensionet mes palëve.
Kandidatët zyrtarë të PD deri tani për zgjedhjet e 21 qershorit
Grida Duma – Bashkia Durrës
Gëzim Vata – Bashkia Fushë-Arrëz
Bashkim Shehu – Bashkia Kukës
Myslim Haxhi – Bashkia Kuçovë
Kasem Mahmutaj – Bashkia Berat
Bajazit Karriqi – Bashkia Përrenjas
Xhevdet Belishta – Bashkia Maliq
Darien Xhindoli — Bashkia Lushnje
Albert Kreci —Bashkia Peqin
Rrok Doda — Bashkia Pukë
Nezir Rizvani — Bashkia Burrel
Basir Cupa – Bashkia Klos
Irakli Gorea — Bashkia Divjakë
Asqeri Kuqja – Bashkia Belsh
Besnik Dushaj—Bashkia Tropojë
Ardian Turku—Bashkia Elbasan
Xhelal Mziu—Bashkia Kamzë
Igli Kokalari—Bashkia Gjirokastër
Altim Çomo—Bashkia Libohovë
Kodhel Cala—Bashkia Gramsh
Buaj Hoxha—Ura vajgurore
Luan Mustafaj—Patos
Zef Hila—Vau i Dejes 
Dhurim Alinani — Bashkia Delvinë
Gëzim Caushi —Bashkia Roskovec