Zgjedhjet e PD-së në Fier do të udhëhiqen nga motoja “transparencë dhe modernizim”

462
Sigal

Flet për “Telegraf” z, Admirim Shehaj, sekretari i degës së PD-së, Fier

Çdo listë e parafabrikuar paraprakisht që është publikuar për efekte aksionesh politike në Fier është e pavërtetë dhe nuk është pjesë e emrave të propozuara nga seksionet e PD-së. Kështu është shprehur ekskluzivisht për gazetën ”Telegraf”, sekretari i degës së partisë demokratike për Fierin, Admirim Shehaj, në lidhje me emrat e kandidatëve që garojnë për postin e kryetarit të partisë demokratike. Lidhur me këto lista është spekuluar shumë. Tashmë Partia Demokratike ka nisur zgjedhjet për krerët e rinj të tyre në rrethe, gjë e cila ka hapur dhe shumë debate, nuk kanë munguar dhe akuzat për manipulime. Sipas z. Shehaj, çdo listë e parafabrikuar paraprakisht që është publikuar për efekte aksionesh politike, është e pavërtetë dhe nuk është pjesë e emrave të propozuara nga seksionet e PD-së. “Lista për kreun e ri të PD-së, në kuadër të procesit të ristrukturimit, ka 58 emra që janë shqyrtuar dhe përzgjedhur sipas kritereve të përcaktuara për kryetarët e PD-së. Kreu i ri i PD-së në Fier do të dalë pas 24 orësh nga votimi i drejtpërdrejt i 474 delegatëve të kuvendit të Fierit, që do të zhvillohet në 22 qershor”,- ka qartësuar z. Shehaj. “58 kandidatët përfaqësues të të gjithë kategorive që plotësojnë dhe që pretendojnë të drejtojnë PD-në e Fierit, të përfshirë nga ethet e procesit zgjedhor, do të përballen me sfidën e kërkesave për ndryshim pas dalje në opozitë të partisë demokratike. Kandidati  që do të marrë 50%+1 të votave të kandidatëve me të drejtë vote që përfaqësojnë 18 grupe seksione dhe 254 seksione, do të jetë automatikisht kreu i ri i PD-së në Fier”,- ka shpjeguar më tej procedurën zgjedhore sekretari i PD-së, z. Shehaj. Sipas tij, nëse askush prej emrave që garojnë për kryetarin e ri nuk do të plotësojnë këtë përqindje votash, atëherë në raundin e dytë të procesit zgjedhor, dy emrat që i përkasin të parit dhe të dytit në renditje, të cilët kanë marrë më shumë vota nga delegatet e kuvendit, do të votohen sërish në raundin dytë, dhe ndërkohë ai që merr edhe një votë më shumë se tjetri, do të jetë kryetari bri ri. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe koordinatori i përcaktuar nga partia demokratike për mbarëvajtjen e procesit ristrukturues të Degës së PD-së në Fier, Ylli Asllani nëpërmjet kontaktit telefonik. “Ristrukturimi i PD-së në Fier, ka nisur në muajin shkurt të këtij viti me procesin e regjistrimit të anëtarësimeve që kanë shkuar në 5033 anëtarë, nga të cilët 870 janë femra dhe 1740 janë anëtarësime të reja, ku 80% e tyre janë pjesëtar të kategorisë së moshës së re. Kreu i ri dhe përbërja e kryesisë së PD-së tek dega Fier prej 30 përfaqësuesish do të dalë ditën e diel, në 22 qershor, pikërisht nga lista  e 58 kandidatëve të listës së publikuar dhe asnjë listë tjetër e pa konfirmuar nga dega e PD-së, e cila nuk do të konsiderohej e ligjshme. Për të gjithë kandidatët nuk ka ndikuar asnjë fuqi eprore dhe ndikim të grupimit të interesave. Ka përfunduar koha e oligarkisë në PD. Strukturat e reja të PD-së do të përfaqësojnë fillimin e një sfide të re që do të udhëhiqet nga motoja “transparence dhe modernizim”, që do të jetë e pandryshueshme”,- ka përfunduar fjalën z. Asllani.