Zëri i Amerikës: Kajmaku falsifikoi datën e vendimit të shkarkimit të nënkryetarëve

115

Në Shqipëri, prokuroria e Tiranës bëri të ditur sot se ka shpallur në kërkim ish kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurimit ‘arrest me burg’, në lidhje me hetimin që po zhvillohet në ngarkim të tij, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, të ‘Shpërdorimit të detyrës’, ‘‘Falsifikimi i formularëve’ dhe ‘Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës’.

Vetëm 11 ditë më parë, zoti Kajmaku, i zgjedhur në krye të Bashkisë së Vorës, si përfaqësues i Partisë socialiste, u shkarkua nga detyra me një vendim unanim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin që ishte arrestuar në Greqi dhe se ndaj tij kishte patur një procedim penal në shtetin fqinj.

Por urdhëri i arrestit ndaj tij lidhet më faktin se ai dyshohet që të ketë firmosur shkarkimin nga detyra të dy zëvendësave të vet, pasi KQZ, kishte marrë vendimin për t’i hequr atij mandatin, dhe ai kishte humbur të drejtën e firmës si kryetar Bashkie.

Për më tepër dyshohet se zoti Kajmaku, ka falsifikuar dhe datën e vendimit të shkarkimit të dy nënkryetarëve të Bashkisë. Efektivët e policisë të cilët kanë vajtur në banesën e tij për të ekzekutuar arrestin, nuk e kanë gjetur, dhe po vijojnë kërkimet.