Zbardhet lëvizja e radhës, Mynyr Koni do të takojë studentët e ngujuar

466
Sigal

Rektori i Universitetit të Tiranës do të jetë sot në Fakultetin e Drejtësisë, për të takuar studentët e ngujuar aty. Në një reagim në rrjetet sociale, Mynyr Koni shprehet se ky takim vjen pas kërkesës së një pjese tjetër të studentëve për të vijuar normalisht mësimin.

Reagimi i Konit:

Sot në  datën 24 janar 2019, në mbledhjen e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, ashtu sikurse ishte vendosur në rendin e ditës, u shqyrtua materiali i përgatitur nga grupi i punës në lidhje me aktet nënligjore të miratuara në datën 26 dhjetor 2018 nga Këshilli i Ministrave.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Z. Artan Hoxha paraqiti situatën mbi atë se çfarë po ndodh në këtë fakultet dhe pas diskutimeve, Senati vendosi të dëgjojë një përfaqësi të studentëve të FD rreth shqetësimeve të tyre për vijueshmërinë e procesit mësimor.

Studentët kërkuan që t’u garantohet e drejta për procesin e mësimdhënies. Në këto kushte, Rektori i Universitetit të Tiranës deklaroi menjëherë se ditën e premte datë 25 janar 2019, ora 10:00, do të shkojë në Fakultetin e Drejtësisë për të takuar studentët që ndodhen brenda këtij fakulteti.

Më pas Senati vazhdoi mbledhjen e tij sipas axhendës.

Çdo artikulim tjetër nga disa portale lajmesh është i pavertetë dhe një spekulim i stisur.