Sot pedagogët e gjithë fakulteteve vendosin nëse do bojkotojnë mësimin

475
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Protesta e studentëve para Parlamentit: “Pakti për Universitetin” nuk është i plotë. Të plotësohen 8 kërkesat, ne nuk tërhiqemi!

Dje u mblodh edhe senati i Universitetit te Tiranës. Studentët kërkuan dorëheqjen e rektorit të UT Koni, por, senati e shpërfilli këtë kërkesë, ndërkohë, që diskutoi si të bindë studentët, që të pranojnë “Paktin për Universitetin” që u ka lënë në derë kryeministri Rama.

Protestë sërish para Parlamentit

Studentët nuk ndalen në protestat e tyre. Nuk ka më rëndësi sa është numri i studentëve protestues, por fryma e protestës që mbahet gjallë, kur disa studentë të frikësuar nga presionet e vazhdueshme të disa pedagogëve dhe dekanëve, janë rikthyer në auditorë, pavarësisht bindjeve dhe dëshirave të tyre. Dje studentët u grumbulluan përpara Parlamentit, për të protestuar. Në thirrjet e tyre studentët kërkuan plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre që janë i adresuar ministrisë së Arsimit dhe kryeministrit Rama. Studentët u shprehën se kërkesat e tyre janë të qarta dhe se janë të vendosur që të mos tërhiqen deri në plotësimin e tyre. “Studentët që ndodhen këtu janë të paktë në numër, sepse presionet kanë bërë të vetën, duke qenë se jemi edhe në fund të sezonit. Në një klasë me tre studentë pedagogët kanë marrë mungesa. Askush nuk dëshiron që të humbë vitin shkollor. Në fakultetin tonë vetëm 35% marrin pjesë në mësim, nuk mund të them se mësimi do të nisë, por do të ndodhemi në të njëjtën situatë siç jemi sot,” u shpreh njëri nga studentët. Duke argumentuar rreth programit të qeverisë, i cili është quajtur “Pakti për Universitetin”, njëri nga protestuesit tha se ai nuk është i plotë, pasi, sipas tij, nuk u jep zgjidhje të gjitha kërkesave që kanë parashtruar. Një tjetër student deklaroi se pjesa më e madhe e studentëve në protestën e ditës së sotme janë nga Fakulteti Inxhinierisë Elektrike. Ai tha, kemi dalë përpara Parlamentit për t’i çuar një mesazh politikës, për t’i thënë se të gjithë bashkë janë përgjegjës të situatës së studentëve. “Kush e ka parë veten tek ky grupim ka vendosur të marrë pjesë, është dëshirë personale e gjithsecilit. Kjo protestë është një formë sensibilizimi për plotësimin e kërkesave tona. Ky nuk është fundi i protestës, pjesa më e madhe e studentëve vijojnë bojkotin.” Ai tha se do të jetë në çdo protestë të studentëve në mbështetje të kërkesave që kanë paraqitur. Studenti argumentoi se pikat e “Paktit për Universitetin” në përgjithësi janë në të mirë të sistemit arsimor, por theksoi se ai nuk ka garanci për realizimin e tyre.

Pedagogët: Të jemi një zë

Sot, pedagogët e Universitetit të Tiranës do të zhvillojnë një asamble, me akademikë nga të gjitha fakultete e UT-së. Grupi organizator i akademikëve me përfaqësues nga Fakulteti Histori-Filologji, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Fakulteti i Shkencave Sociale u kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në këtë takim, gjithë pedagogëve të UT-së. Takimi është planifikuar të zhvillohet, në ora 10, në sallën e madhe të godinës LIRIA. Synimi, sipas organizatorëve, është të dilet me një zë të përbashkët për Universitetin e Tiranës, në raport me situatën e krijuar dhe hapat në vazhdim. Ky takim i përgjigjet situatës së krijuar në arsimin e lartë dhe propozimit të mbledhjeve të deritanishme të asambleve për takim mes asamblesh. Synimi është, të dilet me një zë të përbashkët për Universitetin e Tiranës, në raport me situatën e krijuar dhe hapat në vazhdim. Ftohen të gjithë pedagogët e UT të marrin pjesë. Pjesëmarrja individuale e çdo pedagogu është vendimtare për të ardhmen e UT”, thuhet në deklaratën e grupit organizator.