Zamira Çavo: Parlamenti që do prodhojë 25 qershori do jetë pa sy, pa veshë e pa gojë

390
Fushata zgjedhore duket se është futur në kornizat e saj të zakonshme. Ndërkohë që vihet re një ashpërsim i gjuhës së përdorur nga liderët e forcave politike që janë në garë në këto zgjedhje. Për profesoreshën Zamira Çavo kjo fushatë elektorale është shumë e veçantë. “Është një fushatë që nuk ka më atë interesin e dikurshëm që kanë pasur shqiptarët për të shprehur militantizmin e tyre partiak. Kjo mendoj se është një shenjë pozitive dhe tregon se shoqëria shqiptare po piqet”, – shprehet Çavo. Ndërkohë lidhur me ashpërsimin e gjuhës, ajo thotë se është pjesë e marrëveshjes Rama-Basha, ndrysa shton se nuk do të kishte dëshirë të dëgjonte një gjuhë të tillë. Për zgjedhjet e 25 qershorit Çavo shprehet se nuk do të sjellin ndonjë surprizë të madhe. “Madje gjykoj që do ketë një pjesëmarrje më të madhe në votime. Por Parlamenti që do prodhohet do jetë Parlamenti më hibrid, i cili për shkak të mungesës së standardeve do të na sjellë një parlament pa sy, pa veshë e pa gojë, por arrogant në daljet publike”, shprehet ajo. Ka bindjen se “Rilindja” do ketë epërsi dhe nëse do i duhen shumë vota, do bashkë qeverisë me Partinë Demokratike. Sipas Zamira Çavos, kjo gjë do të bëjë të mundur qetësimin e konfliktualitetit në vend, por nuk do zgjidhë dot asnjë problem të ekonomisë dhe mirëqenies sociale.
Sigal