Xhemal Qefalia: Prokuroria, nëse ka dosje të ministrave dhe ish-ve, duhet t’i hetojë.

415
Xhemal Qefalia, deputeti i PS, në intervistën për gazetën “Telegraf” e pohon që e ka lexuar “Kandidatin” e kolegut Blushi, e vlerëson për stilin e shkruar, por e kundërshton për “Rilindjen”, se kjo qeveri po përmbush zotimet e marra edhe pse deputeti Qefalia pranon që ka një avashmëri. Zoti Qefalia, thotë që kritikat e ambasadorit Lu, për ministra të korruptuar e deputetë kriminelë duhet t’i dëgjojë prokuroria e gjykata dhe të hapin dosje. Zoti Qefalia kërkon që të listohen deputetët e kriminuar, por të mos përballet gjithë Parlamenti. Zoti Qefalia pranon që janë manipuluar faktet e akuzave që kanë bërë PS, si opozitë ndaj ministrit Imami dhe drejtuesve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, e megjithatë, aparatura e përgjimit ende është aty, që u ble nga Imami jashtë çdo procedure ligjore, ndaj prokuroria duhet të hetojë ende. 
Sigal

-Zoti Qefalia, e keni lexuar librin “Kandidati”?

– Po, e kam lexuar dhe është një libër që ngjalli interes. 
Interes, ku?
– Për mënyrën sesi autori, kolegu ynë, Blushi kishte arritur të sillte fragmente të ndryshme të fushatave të zgjedhjeve, plus mënyra dhe stili si shkruan Blushi është një stil që tërheq përherë vëmendjen e lexuesve.

– Zoti Qefalia, Blushi ditët e fundit u shpreh se, ai do të qëndrojë brenda grupimit politik, për të shpëtuar “Rilindjen” nga ‘Funerali’. Ju, çdo t’i thoshit?

– Unë nuk e kam dëgjuar këtë pjesë “…për ta shpëtuar Rilindjen nga Funerali”, pasi unë kam mendimin tim personal. Mendoj që ‘Rilindja’ dhe pjesa e mazhorancës, po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur të gjitha angazhimet e bëra para elektoratit. Natyrisht, pritshmëria ka qenë shumë më e madhe dhe ndoshta qytetarët dhe individë të caktuar mund të kenë vërejtjet e tyre për mënyrën sesi operohet me vështirësi. Gjithsesi, ajo që është pozitive është se shumë punë po shkojnë në drejtimin e duhur. Ka njëfarë avashtësie dhe kjo është edhe ajo kritika që më bëjnë qytetarët në takimet e mia.

– Ditët e fundit ambasadori amerikan Lu tha që reformës në drejtësi i tremben “ministrat e korruptuar dhe deputetët kriminelë”. Sipas jush, për cilët e kishte fjalën ambasadori Lu?

– Unë mendoj që artikulimi i fundit që ka bërë ambasadori amerikan Lu, duhet lexuar drejt, pasi në saj të kësaj reforme, të synimeve parësore të kësaj mazhorancë, pas reformës Territorialo- administrative, që rezultoi shumë e suksesshme, reforma e dytë është ajo e drejtësisë. Është vullneti i kësaj mazhorance, e cila bën gjithçka për ta realizuar. Në këtë reformë ka një gjithpërfshirje. Dhe ajo që thotë ambasadori Lu është që në sistemin gjyqësor kemi korrupsion. Nuk themi që i gjithë sistemi gjyqësor, pasi kemi gjykatës dhe prokurorë, të cilët kanë guximin të marrin veprime që kërkojnë kurajo. Por, nëse prokuroria vazhdon të ketë dosje të hapur të ish-ministrave, apo edhe të ministrave aktualë, të cilët kanë abuzuar me detyrën, natyrisht, që reforma në drejtësi do t’i japë vendim e merituar kujtdo që abuzon me taksat e shqiptarëve. Kushto që ka abuzuar, patjetër, që duhet të përgjigjet para sistemit drejtësisë. Për sa i përket deputetëve të kriminalizuar, ka një komision parlamentar që merret me hartimin e një drafti ligjor për dekriminalizimin, për të cilin unë kam rezervat e mia. 

– Cilat janë rezervat tuaja?

– Duhet të ishim më konkretë. Edhe opozita që bën akuza, do të ishte më mirë t’i listonte deputetët kriminelë dhe të sillte përpara prokurorisë, cilët janë deputetët kriminelë dhe veprat penale për të cilat akuzohen. Të thuash vetëm që ka deputetë të kriminalizuar, duke rrokur mikrofonin në studio televizive, apo në seanca plenare e të thonë që këtu është parlament i kriminalizuar, ndërkohë që nuk vënë gishtin se, cilët janë ata, kjo e bën të padenjë edhe pjesën më të madhe të grupeve parlamentare, por hedh edhe aludime në popull që vërtet parlamenti është i kriminalizuar.

– Ju pohuat se, duhet lexuar mesazhi i ambasadorit amerikan, për ministrat e korruptuar dhe deputetë kriminelë. Nga kush?

– Duhet lexuar nga organet ligjzbatuese, siç është prokuroria dhe gjykata, të cilët duhet të operojnë menjëherë, kur konstatojnë që ka raste korruptive, vepra kriminale nga ish ministra, apo edhe nga ministra. 

– Më përpara, duhet bërë dekriminalizimi apo reforma në drejtësi?

– Kur themi dekriminalizim, duket një fjalë e stërmadhe, që të krijon përshtypjen që i gjithë parlamenti shqiptar është i kriminalizuar. Duhen evidentuar personat, të cilët janë marrë me krime, i janë shmangur drejtësisë, mbartin mbi vete krime. Normalisht, do ishte mirë që fillimisht të kishte një fenomen të tillë. Por unë besoj dhe jam i bindur që më shumë luajtur me terma politikë, për ta bërë pis të gjithë parlamentin tonë.

– Zoti Qefalia, si e vlerësoni auditimin dhe kallëzimin penal që ka bërë KLSH, ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes?

– Unë para se të ndalem te kjo, do t’iu bëja edhe juve një pyetje. Edhe juve, si gazetar, nëse ju them, më listoni emrat e deputetëve të cilët janë të kriminalizuar edhe ju do hezitoni, do ngrini supet, sepse nuk e njihni. Unë nuk jam njohur ende me aktet e konstatuara nga KLSH, por kam ndjekur ministren e Mbrojtjes, e cila ka deklaruar në mënyrë korrekte, sesi është operuar ndaj vërejtjeve që ka konstatuar KLSH, madje dhe ish ministri paraardhës ka deklaruar që, po, kjo është vazhdimësi e shumë operimeve në tendera që janë bërë. 

– Ato akuza që ju bëtë ndaj ministrit të Mbrojtjes, kur ju ishit në opozitë, por prokuroria tashmë i ka pushuar ato, përsëri ju keni akoma mendimin që akuzat që bëtë ju ishin të drejta, por prokuroria nuk ka dashur t’i hetojë apo ju pranoni vendimin e prokurorisë?

– Ka ndryshuar një diçka shumë e madhe nga e kaluara. Nëse Komisioni Parlamentar i Sigurisë nuk arrinte dot të futej në Ministrinë e Mbrojtjes kur ishte Imami ministër, pasi viheshin barriera dhe postoblloqe, kjo ishte kohë e mjaftueshme për t’u dhënë atyre mundësinë për të korrigjuar, apo futur duart në dokumente që korruptonin në ato kohë lidershipin e ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtues të lartë. 

– Domethënë, ju tani akuzoni që provat e fajësisë që ju akuzuat, janë manipuluar?

– T’ju konkretizoj vetëm një rast. Ne si opozitë, thamë me të madhe që është abuzuar për blerjen e një pajisjeje përgjimi, që u ble për të përgjuar opozitën dhe diplomatët e huaj në Tiranë. Ky është një fakt. Pajisja e përgjimit është atje, kur atëkohë refuzohej me të madhe edhe nga ministri Imami, e cila është blerë në kundërshtim me të gjitha procedurat e blerjeve, ndaj prokuroria duhet ta hetojë edhe tani. 

– A është e vonuar PS, që pas 2 vjetëve qeverisje, del për herë të parë në bazë të takojë elektoratin e saj?

– E mira ishte që kjo të ishte bërë edhe më përpara. Gjithsesi, unë e vlerësoj edhe pse është e vonuar, është pozitive, që ministrat përballen drejtpërdrejt me elektoratin. 

– Cilat janë kritikat që ju bën elektorati juve?

– Këto takime që bëjmë nuk kalojnë pa kritika, sidomos ndaj problemeve operative të të përditshmes, me të cilat ndeshen qytetarët dhe zgjidhjet e halleve të tyre zvarriten. Qeverisja duhet të reflektojë këto kritika, të jetë më fleksible, më e ndjeshme dhe më operative për t’u dhënë zgjidhje problemeve. Duhen të kihen parasysh edhe rishikimi i masave ekstreme që janë ndërmarrë, pavarësisht qëllimit të mirë, por që kanë dhënë më shumë efekte negative. Dua ta pohon. Që shikoj një dyndje të rinj e të reja, që aspirojnë të pranohen në PS. Kjo më inkurajon për reformat e deritanishme që kemi ndërmarrë.