Xhafaj ‘flakë për flakë’ Berishës: Hajduti bërtet, kapeni hajdutin

Pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha drejtuar pasardhësit të tij, Edi Rama e këtij është në panik, flakë për flakë është përgjigjur ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Ky i fundit theksoi se do kishte dashur që Berisha të rrinte në sallë, pasi ai doli pas debatit me kryetarin e Kuvendit, Gramazo Ruçi për shkak se i preu fjalën. Mes të tjerash plot ironi Xhafaj theksoi se Berisha “bërtet si hajduti që thotë ‘kapeni hajdutin’”.

“Prisja që të rrije në sallë se ti je personi që na ke kujtuar frazën: bërtet hajduti: kapeni hajdutin. Edhe sot na e ke kujtuar. Vetëm ky e di se ne në pushtet qenkemi në panik, ndërkohë që ju jeni në opozitë. Kjo është arsyeja se pse ju ndëshkuan qytetarët”, pohoi Xhafaj, një nga emrat më të akuzuar nga opozita, pjesë e kabinetit qeveritar ‘Rama 2’.