Erjon Braçe: “Haxhinasto, Ju nuk bëtë bilancin, ju gënjyet”

475
Sigal

Interpelanca e ministrit të METE-s në Kuvend, e kërkuar nga deputeti i PS-së

Seanca e djeshme e  Kuvendit është shoqëruar me debate mes ministrit të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto dhe deputeti i PS-së, Erjon Braçe në lidhje me koncesionet, pasi deputeti Braçe kishte kërkuar interpelancë me ministrin e  METE-s për privatizimet e bëra kohët e fundit në HEC-e dhe miniera. Në fjalën e tij, deputeti Braçe ka kërkuar nga ministri Haxhinasto një bilanc konkret për privatizimin e aseteve shtetërore. “Zoti Ministër,  Ju nuk bëtë bilancin që ju kërkova, ju gënjyet. Do ua provoj. Së pari në koncesionimin e pasurive kombëtare: Burimet ujore janë koncesionuar masivisht prej vitit 2007 e në vijim; qëllimi ka qenë ndërtimi i hidrocentrale dhe shfrytëzimi për prodhimin e energjisë elektrike. Keni krijuar vizionin e rremë të superfuqisë europiane në energji, pastaj ulet pretendimet në superfuqi rajonale, pastaj edhe me një superfuqi ballkanike. Në fakt këtu s’kemi të bëjmë me një superfuqi. Shifrat e dëshmojnë këtë: Ju në katër vitet e fundit, keni firmosur 112 letra-kontrata koncesionare; Përmes tyre do të investohej një shumë prej: 2.7 miliardë dollarë; Përmes tyre do të ndërtoheshin 307 hidrocentrale me fuqi të instaluar 1 454 MG. Në fakt deri tani: janë ndërtuar e janë në prodhim vetëm 32 hidrocentrale-pra as 10%; janë investuar vetëm 210 milionë dollarë-pra as 10%; kapaciteti i instaluar është vetëm 107 MG-pra as 6% e fuqisë së premtuar dhe as 4% e fuqisë së instaluar në Shqipëri. Ku është superfuqia këtu.  Gjatë 4 viteve do të ndërtohen 136 hidrocentrale dhe ato do të gjenerojnë 50 mijë vende pune! Ku janë?  Nga 136 hidrocentrale të premtuara janë ndërtuar vetëm 32! Ministër, Bulqiza është pasuria më e madhe minerare e shqiptarëve, ndaj ju jeni i detyruar të jeni transparent për të e mbi vendimet që merren për të.  Pse e fshihni vlerën reale të transaksionit?  Pse e fshihni të ardhmen e Bulqizës? Të gjitha dokumentet zyrtare të Ministrisë, AKBN, dëshmojnë se kontrata koncesionare ka dështuar; jo këtë vit, por çdo vit në 12 vite të saj. Kontrata e koncesionit nuk është zbatuar, por kontrata e koncesionit të pasurisë më të madhe të shqiptarëve është tregtuar. Bulqiza është zhvatur, ka bërë të pasur-pronarë, gangsterë e ministra symbyllur, por firmosës, ndërkohë që, po prek fundin.  Marrëveshja e koncesionit parashikonte një investim në vlerë deri: 20.5 milionë dollarë. Deri më sot, investimi i realizuar është:  7.9 milionë dollarë. Dua të të pyes Ministër, a është paguar rimbursimi i TVSH apo jo? Ju personalisht ç’rol keni? Ashtu siç duhet të pyes Ministër, a e dini që miniera ka vetëm 9 muaj jetë?