Xhafa mbledh drejtorët e policisë në Elbasan, qyteti jashtë “forcës së ligjit”

264
Elbasani është një nga qytetet që prej shumë kohësh është përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale. Problemet në këtë qytet nuk lidhen vetëm me familjen Çapja, për të cilët është thënë nga akuza, se janë të përfshirë në afera të shumta kriminale që lidhen me trafikun drogës. E, pikërisht, prishja e këtyre pazareve ka sjellë edhe larje hesapesh ndër vite. Kulmi i ngjarjeve të rënda në këtë qytet u shënua në 19 shtator të këtij viti. Kishte vetëm pak ditë që ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj kishte rimarrë zyrtarisht detyrën. Mbrëmjen e kësaj date, makina e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit, u godit nga persona fillimisht të paidentifikuar. Më pas rezultoi se bëhej fjalë për një biznesmen, i cili u shpall edhe në kërkim. Deri tani kjo ngjarje është mbuluar nga heshtja. Pas saj u arrestuan tre persona dhe u sekuestruan 7 automjete, tre prej të cilave të blinduara dhe një armë zjarri sportive. Prokurorisë i rezultoi se personat që tentuan dhe goditën nëndrejtorin e policisë kishin mbrojtje të fortë. Dhe mbështetja e parë e tyre u tha se vinte nga kryebashkiaku Qazim Sejdini. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, lajmëroi se do të ndërhynte në komisariatin e Elbasanit për të bërë reformë të thellë. Kështu bëri. Ndryshoi gjithë kupolën drejtuese në drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit. Por ngjarjet vazhduan sërish. Pak ditë më parë, Ardian Çapja u godit sërish nga persona të paidentifikuar. Fill pas saj, Xhafa, pasi kishte dorëzuar në Kuvend Draftin për Reformën në Policinë e Shtetit, mblodhi në Elbasan 12 drejtorët e qarqeve. Bashkë me të ishin dhe dy përfaqësues të qeverisë, Blendi Klosi dhe Damian Gjiknuri. Kishte dhe përfaqësues nga Garda e Republikës. Nuk u dha ndonjë shpjegim, se çfarë lidhje kishte prania e Klosit me Gjiknurin në takimin që ministri i Brendshëm zhvilloi me shefat e policisë. Ndërsa nga ana tjetër u tha, se mbajtja e këtij takimi në Elbasan lidhet me ristrukturimin që ka pësuar drejtoria e këtij qarku, pa lënë mënjanë edhe ndjeshmërinë që ka qeveria për ngjarjet e fundit. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në përfundim të tij Xhafaj bëri një deklaratë për shtyp. Xhafa tha se në takim u diskutuan tre çështje me rëndësi të veçantë. 

-Çështja e parë, ishte ajo që ka të bëjë me rendin dhe sigurinë në territor dhe luftën kundër paligjshmërie. 

-E dyta lidhet me një projekt pilot për mënyrën se si do të jetë riorganizimi i drejtorisë vendore, komisariateve dhe policisë në territor në qarkun e Elbasanit, që synon të ketë një rishpërndarje, një riorganizim më të mirë të policisë duke forcuar prezencën e policisë në territor. 

-E treta çështje që u diskutua kishte të bënte me projekt-ligjin për Vetingun. Xhafa e pranoi se Elbasani është qytet problematik dhe që ka mbetur jashtë “Forcës së ligjit”. Krimi në Elbasan, sipas Xhafës, ende nuk është goditur, pavarësisht masave që u morën për të ndryshuar gjithë strukturën e komisariatit. “Unë di të them një gjë që, qoftë ata që ju i quani ‘Çapja’ apo ‘Çelaj’, nuk mund të sinjifikohen apo të simbolizojnë këtë qytet, apo një komunitet njerëzish me vlera siç është Elbasani. Ata dhe të tjerë që janë përfshirë në veprimtari kriminale, të jeni të sigurt që në momentin më të përshtatshëm do marrin ndëshkimin e merituar.”, tha Xhafa.