Vrasja e shqiptarit në Greqi, Nishani thërret Llallën dhe Manjanin

155
Presidenti i Republikës ka reaguar sot lidhur me vrasjen pak ditë më parë në rajonin e policisë në Athinë të shqiptarit Pëllumb Marnikolli.  Presidenti Nishani do të thërrasë në takim pune Prokurorin e Përgjithshëm dhe Ministrin e Drejtësisë për t’u informuar rreth hapave të ndërmarrë dhe për ndjekjen deri në zbardhjen e të vërtetës me transparencë për këtë ngjarje.
“Në këtë kuadër, përfaqësuesi i Kabinetit të Presidentit të Republikës ka kontaktuar dhe marrë takim me familjarë të të ndjerit ku ka përcjellë ngushëllimet më të ndjera të Kreut të Shtetit për humbjen e jetës së të dashurit të tyre. Në këtë takim, familjarët e të ndjerit kanë informuar mbi dijeninë e tyre rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur në një komisariat të policisë në Athinë dhe kanë kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarje. Në këtë kontekst, përfaqësuesi i Kabinetit shprehu angazhimin institucional të Kreut të Shtetit për të ndjekur me seriozitet dhe në vijimësi hetimin e kësaj çështje pranë autoriteteve përkatëse”, thuhet në njoftimin e Presidencës.