Vokshi: Seriali korruptiv i Beqës, qindra milionë lekë abuzime për spitalet private e klinikat jashtë

57
Skandalet dhe abuzimet e Ilir Beqës në shëndetësi janë të larmishme dhe në çdo fushë.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për veprimtarinë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2014, që gjendet në Prokurori, ka zbuluar zhvatje të milionave edhe në financimin e paketës shëndetësore për shërbime që kryhen në spitalet private.
Miliona lekë u janë dhënë spitaleve private, në mënyrë korruptive, pa zbatuar procedurat, pa zbatuar legjislacionin në fuqi (fq 43-46), pa një vendim te Këshillit Administrativ (fq 160), pra vetëm me urdhër gojor të Ilir Beqës.
Ja ku keni dokumentin e auditit.
Po ashtu, abuzime janë konstatuar edhe në rastet e dhënies së parave për trajtimet mjekësore jashtë vendit.
Kontrolli konstaton shumë raste, rimbursim i tyre është bërë në kundërshtim me vendimin e qeverisë nr 638 datë 1.10.2014.
Janë janë evidentuar më shumë 90 milionë lekë të dhëna në klinika për trajtime që ato nuk i kryejnë, apo për trajtime që janë kryer në spitale brenda vendit (fq 44) në kundërshtim me VKM-në. Mbi 60 milionë lekë janë rimbursime për trajtime në vite të mëparshme që nuk parashikohen fare në vendimin e qeverisë (fq 45-46). Gjatë pagesave, konstaton KLSH-ja, u gjenden edhe raste rimbursimi pacientësh që nuk jetojnë më. Pra, as të vdekurit s’i kanë kursyer për të vjedhur fonde.
Një kërdi me qindra milionë lekë që shpërndahen nga Ilir Beqa në miq e klientë, sipas interesave të tij, në kundërshtim me ligjin.
Një ditë më parë, ne bëmë publike pjesën e raportit që fliste për skemën kriminale të korrupsionit me rimbursimin e ilaçeve.
Përgjigja mjerane e Ilir Beqës, nuk kishte lidhje me faktet që ne publikuam dje, ai mashtroi për uljen me 30% të çmimit të barnave, apo furnizimin e vazhdueshëm me barna të spitaleve. Prej politikave Rama-Beqaj kompani serioze jane larguar e të tjera kanë paralajmëruar largimin. E megjithatë Beqaj pranoi se edhe pse miku e klienti i tij është i ndjekur penalisht, i ka ndërprerë kontratën me Fondin për abuzime marramendëse, ai vazhdon ti japë miliona në tendera barnash spitalore.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me shpejtësi dhe në mënyrë të plotë këto akte të rënda korruptive, këtë vjedhje të parave të shqiptarëve, të provuar me fakte e me dokumenta.
Dosja është në organin e akuzës dhe nuk duhet të ketë zvarritje për të nxjerrë para përgjegjësisë këtë hajdutëri kriminale, të kryer nga kampioni i korrupsionit, Ilir Beqa.