Vjen reagimi i parë nga PD: Refuzimi i KQZ ndaj dekretit të Presidentit, puç institucional!

159

Përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Ivi Kaso, ka reaguar menjëhërë pas vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të rrëzuar dekretin e Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve vendore.

“Refuzimi i pashembullt i KQZ, – u shpreh Kaso, – për të zbatuar dekretin e Presidentit të Republikës, është hapi i parë i një puçi institucional! Asnjë akt i mëtejshëm lidhur me zgjedhjet s’mund të jetë i ligjshëm dhe i vlefshëm për sa kohë s’ka datë të dekretuar për zgjedhjet!”

Z. Kaso e kishte paralajmëruar një situatë të tillë më 21 maj 2019. Në Syri.net. ai denoncoi kapjen e KQZ nga katër komisionerë të propozuar nga PS-ja, në kundërshtim me ligjin. Bëhet fjalë për 4 komisionerët që sot uzurpuan Komisionin Qendror dhe rrëzuan dekretin e Presidentit Meta, pavarësisht se kryetari Klement Zguri e refuzoi shqyrtimin e këtij dekreti.

DEKLARATA E IVI KASOS, SEKRETARIT PER ÇESHTJET ZGJEDHORE NE pd, ME 21 MAJ 2019: 

Z. Kaso, çfarë po ndodh në KQZ?

Veprimtaria e KQZ po konfirmon edhe njëhërë atë që ka qënë shqetësimi i PD që në momentin që Kryeministri me koshiencë të plotë vuri dorë mbi balancën që Kodi Zgjedhor parashikon lidhur me përfaqësimin e anëtarëve të KQZ që propozohen nga forcat politike dhe miratohen më pas nga Kuvendi.

Sot janë katër anëtarë të PS në KQZ?

Pikërisht! Sot në KQZ kemi katër anëtarë të propozuar drejtpërsëdrejti nga PS, duke thyer haptazi parashikimin ligjor. Ligji parashikon që qoftë forca më e madhe e mazhorancës parlamentare, qoftë forca e opozitës parlamentare ka të drejtë të propozojë deri në 2 kandidatura. Sot kemi një KQZ të prishur nga balancat, tërësisht të kapur nga mazhoranca dhe kryeministri dhe e gjitha bërë për një qëllim.

E kemi denoncuar që në fillim që kur Kuvendi miratoi dy kandidaturat e tjera. Qëllimi është për ta kapur këtë institucion, për ta shndërrruar në vegël, për të ulur çdo standart zgjedhor, që kanë ardhur në përkeqësim dhe përdorur në momente të caktuara të zgjedhjeve t’i shërbejnë forcës që e ka kapur momentalisht KQZ-në, Partisë Socialiste, mazhorancës në pushtet.

Z. Klement Zguri, ku ka votuar kundër?

Kryetari, z. Zguri, ka votuar kundër në të gjitha vendimarrjet e rëndësishme, që me koshiencë nga anëtarët e majtë janë votuar sipas oreksit të mazhorancës në pushtet dhe jo sipas ligjit. Votimet e z. Zguri në momente “kruciale” në vendime të rëndësishme, sa i përket menaxhimit të zgjehdjeve, janë konform ligjit.