Vetingu largon gjyqtarin kushtetues, Rama: S’kemi parë gjë akoma

773
Komisioni i pavarur i Kualifikimit vendosi dje shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, ndaj të cilit pati dyshime mbi burimin e pasurive të deklaruara. Vendimi ishte në kuadër të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Avokati i Lulos e quajti të padrejtë masën dhe paralajmëroi se do të bëjë ankimim. Ky është vendimi i parë i marrë nga institucionet e ngritura për procesin e rivlerësimit. Komisioni nuk dha detaje rreth vendimit që pritet të publikohet së shpejti, por dyshimet për Lulon nuk ishin as të karakterit moral dhe as profesional. Ato lidheshin me pasurinë e deklaruar prej tij, dhe veçanërisht një dhuratë e marrë nga motra prej 100 mijë dollarësh së bashku me një mjedis për zyra, si dhe një shumë prej 480 mijë dollarësh kanadez që ajo i kishte dhënë për nisjen e një aktiviteti në Kanada po që më pas gjyqtari Lulo pretendon se ja ka kthyer. Në seancën dëgjimore tre ditë më parë mbrojtësi i gjyqtarit, avokati Ardian Vishaj dorëzoi dokumente që sipas tij tregojnë se e motra e Lulos kishte mundësi financiare për të përballuar dhuratat dhe se gjithçka ishte kryer sipas rregullave. Vishaj e quajti të padrejtë vendimin. Me shkarkimin e Lulos, i cili pezullohet menjëherë nga detyra, Gjykata Kushtetuese është drejt kolapsit të plotë. Ajo mbetet me vetëm 5 anëtarë, dhe thuajse në pamundësi për të marrë vendime, të cilat për t’u quajtur të vlefshme kanë nevojë për minimalisht 5 vota. Pas vendimit ka reaguar menjëherë kryeministri Edi Rama. “Të gjithë shqiptarët që e mbështetën fort Vetingun, sot duhet të ndjehen mirë, sepse nisja është e mbarë. Pas 17 gjykatësve e prokurorëve që i ikën Vetingut pa filluar, procesi nisi e i pari që u mor në pyetje s’e justifikoi dot pasurinë dhe ra! Jam i bindur s’kemi parë gjë akoma”, tha Rama.
Sigal