Vetëm dje kanë firuar 400 mijë euro nga Fondi Rezervë

37

Skandali/ Qeveria “fut duart” në fondin Rezervë të Buxhetit të Shtetit për të ekzekutuar vendimet e Strasburgut

Qeveria Rama “fut duart” në fondin Rezervë të Buxhetit të Shtetit. Efektet financiare të shumicës së vendimeve të djeshme të qeverisë do të përballohen nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit. Këshilli i Ministrave vendosi gjatë mbledhjes së djeshme që të përballojë nga fondi rezervë ekzekutimet e 7 vendimeve të Gjykatës Europiane kundër Shqipërisë, vendimin për shpërblimin e policive që morën pjesë në operacionin në Lazarat si dhe vendimin për Financimin e federatës së peshëngritjes. Ajo çka përbën një skandal për qeverinë “Rama” është pikërisht fakti se efektet financiare të këtyre vendimeve do të përballohen nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit. Efekti financiar i këtyre vendimeve është rreth 383 000 euro, pa llogaritur taksat që rrjedhin nga vendimet e Strasburgut. Me vendim qeverie janë bërë ndryshime në vendimet nr.168, 26.3.2014 dhe  nr.170, 26.3.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut , datë 15.01.2013  për çështjen “Themeli Kundër Shqipërisë” dhe “Tushaj kundër Shqipërisë””, pikërisht në Pikën 5 të tyre ku thuhet se “5. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”. Përpos këtyre dy vendimeve, qeveria ka marrë edhe vendime të tjera që do të përballohen nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit: Vendimi për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.10.2013, për çështjen “Vogli kundër Shqipёrisё”; Vendimi për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 5.11.2013, për çështjen, “Izet Haxhia kundër Shqipёrisё”; Vendimi për Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 25.6.2013, për çështjet “Kaçiu dhe Kotorri kundër Shqipёrisё”; Vendimet për shtesë fondi Ministrisë së Drejtësisë, për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i gjashtë dhe i fundit) si dhe për të përballuar pjesën e mbetur të shpenzimeve administrative për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”. Gjithashtu do mbulohen me Fondin Rezervë të Buxhetit të Shtetit edhe vendimet për financimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, në masën 14 000 000 lekë, për të bërë të mundur përgatitjen dhe pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, që do të zhvillohet në periudhën 4 – 16 nëntor 2014, në Kazakistan; dhe shtesa e fondit, miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme për programin “Policia e Shtetit”, për mbulimin e shpenzimeve të operacionit të Policisë së Shtetit, të kryer në Lazarat, Gjirokastër në vlerën 165 428 500 lekë.

 

Qeveria Rama vazhdon të bëjë të paditurën për çështjet e Strasburgut

 Fondi rezervë i buxhetit të shtetit 2014 është 1 500 milionë lekë dhe përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Kështu thuhet në Ligjin për Buxhetin 2014, e miratuar nga Qeveria në fillim-dhjetorin e vitit 2013. Edhe pse ligji e parashikon se kur përdoret fondi rezervë, Qeveria Rama ka vendosur të vejë dorë mbi të duke e pakësuar me, të paktën, 253 000 euro, pa llogaritur taksa të tjera që rrjedhin nga vendimet e Strasburgut. Qeveria Rama vazhdon të bëjë ende të paditurin, përsa i përket vendimeve të Strasburgut, duke i trajtuar ato si raste të paparashikuara. Ndërsa pronarët shqiptarë kanë kohë që duan të sensibilizojnë politikën shqiptare duke i bërë publike çështjet e tyre në Strasburg si dhe efektet që do të kenë ato në buxhetin e shtetit, duke kërkuar vazhdimisht seriozitet nga ana e politikës shqiptare për të zgjidhur një herë e mirë çështjen e pronës.

 Fondi rezervë, bumerang për Ramën

 Vetë Kryeministri Edi Rama në prezantimin e detajuar të financave shqiptare në tetor të 2013-s denoncoi shpenzimin e fondit rezervë në masën 99.87 për qind të tij, nga qeveria “Berisha”, që i lejoi vetes të linte vendin pa fondin e emergjencave për katër muajt e fundit të këtij viti. “Ky vend, si çdo vend tjetër, por me kushtet e veta, me buxhetin modest ka edhe një fond, për atë që quhet emergjenca civile dhe ka edhe një rezervë të vetën, për ato raste, që nuk janë pak, të përsëritura, atje lart në veri, vit pas viti për shkak të përmbytjeve, kur njerëzve ju duhet buka e gojës dhe me ligj, jo në bazë të dëshirave të një pale, apo të një pale tjetër është përcaktuar se cili duhet të jetë limiti minimal i rezervave të këtij shteti për të përballuar nevojën për bukën e gojës, të njerëzve të këtij vendi, kur gjenden në kushtet e emergjencave humanitare. Limiti minimal, që ky shtet duhet të ketë në dispozicion çdo ditë, çdo sekondë, çdo natë…”, është shprehur atëherë Rama. Sot Rama bën të njëjtën gjë si Berisha dje dhe jemi ende në verë, kur parashikohen, siç ndodh çdo vit, pyje dhe kullota nën zjarr, priten përmbytjet e përvitshme në veri të Shqipërisë, tërmete etj.. Pra, Shqipëria “digjet” dhe qeveria krihet.

Si përdoret fondi rezervë

1. Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve.

 2. Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave është përcaktuar në masën 1 500 milionë lekë dhe përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore.

3. Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, Ministri i Financave mund t’i propozojë Këshillit të Ministrave plotësimin e saj nëpërmjet përdorimit të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit.

4. Fondi Rezervë i Buxhetit të shtetit përdoret vetëm për rastet e financimit të shpenzimeve, të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit. Miratimi i përdorimit të tij bëhet me Vendim të Këshillit të Ministrave”

5. Ministritë e linjës paraqesin tek Ministri i Financave një projekt, me të cilën argumentojnë: nevojat për shtesë fondesh, pamundësinë për t’u përballuar nëpërmjet rialokimit të fondeve brenda sistemit, nisur nga analiza e realizimit të buxhetit për periudhën raportuese, emergjencën e problemit dhe pamundësinë e parashikimit në procesin buxhetor etj.

6. Ministri i Financave, pas shqyrtimit të kërkesës dhe analizës së tyre, jep vërejtjet dhe sugjerimet, të cilat duhet të sqarohen dhe të plotësohen detyrimisht kur të përgatitet projekt-vendimi përfundimtar.

7. Me mendimin e ministrive të interesuara dhe atë të Ministrit të Financave projekt-vendimi paraqitet në Këshillin e Ministrave”.

Vendimet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimeve të Strasburgut:

Vendim

Për një ndryshim në vendimin nr.168, 26.3.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut , datë 15.01.2013  për çështjen “Themeli Kundër Shqipërisë”. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, vendosi:

Pika 5, e vendimit nr.168, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet si më poshtë vijon:

“5. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet

nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.”.

Vendim

Për një ndryshim në vendimin nr.170, 26.3.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut , datë 15.01.2013  për çështjen “Tushaj kundër Shqipërisë”. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

Pika 5, e vendimit nr.170, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Efekti financiar i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.”.

Vendim

Për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.10.2013, për çështjen “Vogli kundër Shqipёrisё”. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.10.2013, për çështjen nr.18343/11, “Vogli kundër Shqipёrisё”, në shumën 7 500 (shtatë mijë e pesëqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankueses, znj. Shero Vogli, në vlerë proporcionale me detyrimin që ka shteti shqiptar ndaj ankueses, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.10.2013, për ankimin nr.18343/11, “Vogli kundër Shqipёrisё”.

4. Pagimi i shumës së depozituar sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të ankueses, znj. Shero Vogli, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.

5. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Vendim

Për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 5.11.2013, për çështjen, “Izet Haxhia kundër Shqipёrisё”. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 5.11.2013, për çështjen nr.34783/06, “Izet Haxhia kundër Shqipёrisё”, në shumën 1 400 (një mijë e katërqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë në emër të ankuesit, z. Izet Haxhia, në vlerë proporcionale me detyrimin që ka shteti shqiptar ndaj ankuesit, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 5.11.2013, për çështjen nr.34783/06, “Izet Haxhia kundër Shqipёrisё”.

4. Pagimi i shumës së depozituar sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të ankuesit, z. Izet Haxhia, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.

5. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Vendimi

Për Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 25.6.2013, për çështjet “Kaçiu dhe Kotorri kundër Shqipёrisё”. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 25.6.2013, për çështjet nr.33192/07 dhe nr.33194/07, “Kaçiu dhe Kotorri kundër Shqipёrisё”, në shumën 15 600 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë në emër të ankuesit, z. Olsi Kaçiu, në vlerë proporcionale me detyrimin që ka shteti shqiptar ndaj ankuesit, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 25.6.2013, për çështjet nr.33192/07 dhe nr.33194/07, “Kaçiu dhe Kotorri kundër Shqipёrisё”.

4. Pagimi i shumës së depozituar sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të ankuesit, z. Olsi Kaçiu, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.

5. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

 Vendimi

Për shtesë fondi Ministrisë së Drejtësisë, për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i gjashtë dhe i fundit) për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi 122 500 (njëqind e njëzet e dy mijë e pesëqind) euro, për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i gjashtë dhe i fundit) për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar nr.ARB/11/24 “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimit (ICSID).

2. Ky fond, i konvertuar në lekë me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë në datën kur do të kryhet pagesa, i transferohet Ministrisë së Drejtësisë për të bërë pagesën.

3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Vendimi

Për shtesë fondi Ministrisë së Drejtësisë, për të përballuar pjesën e mbetur të shpenzimeve administrative për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, vendosi:

1. Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi 100 000 (njëqind mijë) USD, për të përballuar pjesën e mbetur të shpenzimeve administrative të arbitrazhit ndërkombëtar për çështjen nr. ARB/11/24, “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimit (ICSID).

2. Ky fond, i konvertuar në lekë me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë në datën kur do të kryhet pagesa, i transferohet Ministrisë së Drejtësisë për të bërë pagesën.

3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.