Venecia kritikon qeverinë për presidentin dhe pronat e bregdetit

479
Sigal

Në një deklaratë për shtyp pas rrjedhjeve të pjesshme në median shqiptare nga draftraportet e veta, Komisioni i Venecias duket se rrëzoi shumicën parlamentare socialiste në planin e tyre për shkarkimin e Metës si dhe kritikoi një ligj kontrovers të qeverisë për pronat në bregdet.

Komisioni i Venecias duket se rrëzoi planet e qeverisë “Rama” për shkarkimin e presidentit dhe për rregullime kontroverse ligjore të statusit të pronësisë së tokave në zonat bregdetare në dy opinione të veçanta që zyrtarisht pritet të publikohen të hënën pas seancës plenare të komisionit, por që u paraprinë nga një deklaratë e pazakontë e publikuar të premten. [link deklarata]

Deklarata e komisionit pasoi rrjedhje të pjesshme në mediat e Tiranës të paragrafëve të ndryshëm të projektraportit që nuk është miratuar ende, paragrafë që sugjeronin se opinioni do të ishte favorizues për qeverinë në betejën e socialistëve kundër ish-aleatit të tyre Meta.

Parlamenti i kontrolluar nga Partia Socialiste nisi verën e kaluar një procedurë hetimi parlamentar me premtimin e shkarkimit të presidentit Ilir Meta, të cilin e akuzojnë se ka shkelur kushtetutën me një dekret të lëshuar prej tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 20019. Procedura e shkarkimit të një presidenti kërkon së paku dy të tretat e votave të parlamentit si dhe një vendim konfirmues nga Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht nuk është funksionale. Por pavarësisht kësaj, socialistët premtuan se do të vijonin me procedurën e shkarkimit. Ata shkuan më tutje duke kërkuar një opinion përmes kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi nga Komisioni i Venecias, një zyrë e Këshillit të Europës që i jep vendeve të ndryshme opinione miqësore për çështje kushtetuese .

Raporti i Komisionit, i cili njihet si “i Venecias” për shkak se i kryen takimet plenare në qytetin e Venecias në Itali, pritet të publikohet zyrtarisht të hënën më 14 tetor, por ka rrjedhur në median shqiptare nga burime të panjohura që nga fundi i shtatorit.

“Ekspertët kushtetues të Këshillit të Europës të Komisionit të Venecias konkludojnë se ndonëse presidenti mund të ketë vepruar përtej fuqive të tij kushtetuese, ka tregues se aktet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre të tillë që të justifikojnë një shkarkim,” shkruhet në deklaratën e komisionit.

“Edhe nëse Asambleja do të gjende se presidenti i ka kaluar limitet e veta, Komisioni i Venecias ka pikëpyetje nëse kjo përbën një “dhunim të rëndë”.

Kritikat për ligjin për “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, i cili është kritikuar si një platformë shpronësimi të tokave në bregdet për llogari të të ashtuquajturave “investime strategjike”, ishin edhe më të ashpra.

“Ekspertët mendojnë se ky ligj nuk ka qartësu dhe previzion”, ai nuk ka “hapa procedural bazë dhe afate të qarta”.

Sipas komisionit të Venecias, ka “shqetësime për fuqi të tepërta rregullatore që i janë dhënë Këshillit të Ministrave,” si dhe paralajmërojnë se këto probleme, të marra sëbashku,shkelin Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë.

projektligj i propozuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama synon të anulojë Aktet e Marrjes në Përdorim të Tokës Bujqësore në zonat bregdetare duke refuzuar regjistrimin e pronësisë së tyre në të gjitha rastet kur parcelat e tokave “janë zënë nga ndërtimet pa leje” ose janë zënë nga të ashtuquajturit “investitorë strategjikë”.

Projektligji “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 10, pika 2 [link], parashikon që toka bujqësore e shpërndarë më parë dhe për të cilën, fshatarët kanë aplikuar për ta regjistruar nën pronësi, duhet të plotësojë disa kushte, mes të cilave, kjo tokë “nuk duhet të jetë e zënë nga ndërtimet pa leje” si dhe “nuk duhet të jetë objekt i investimeve strategjike”.

Projektligji në fjalë parashikon gjithashtu që ndërtimet pa leje, pavarësisht se ku gjenden, të mund të blejnë tokën kur atë ia kanë grabitur të tjerëve (situatë e rëndomtë kjo në bregdetin shqiptar) si dhe të paguajnë çmimet e hartës së qeverisë “Rama”, çmime shumë të debatuara që janë disa dhjetëra herë më të ulëta se sa çmimet e tregut.

Projektligji u fut në procedurë parlamentare dhe ishte pranë miratimit në fillim të këtij viti, por u bllokua në çast të fundit nga ndërhyrja e Greqisë, e cila ngriti pikëpyetje nëse ky ligj synon shpronësimin e fshatarëve të bregdetit të jugut të Shqipërisë, të cilët janë pjesërisht minoritarë grekë.