Vasili paralajmëron: Prokuroria të ketë kujdes, të zbatojë ligjin ndaj Dvoranit!

247

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar me anë të një postimi në Facebook, ku shkruan se Prokuroria duhet të ketë kujdes dhe të zbatojë ligjin ndaj Dvoranit, me qëllim që të mos vazhdojë t’i kundërvihet hapur popullit.

Vasili përmend edhe disa nga shkeljet e Ardian Dvoranit, duke u shprehur se ai nuk shpëton dot nga këto faje të rënda, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.

Postimi i plotë i Vasilit:

Prokuroria të ketë kujdes, të zbatojë ligjin ndaj Dvoranit dhe të mos vazhdojë t’i kundërvihet hapur popullit.

Edi Rama të largojë duart nga drejtësia dhe të mos vazhdojë të provokojë më me Ramaformën e tij sepse populli nuk do ta falë në asnjë mënyrë dhe fundi i tij do të jetë më i pashpresë se i Dvoranit të tij.

Dvoran ti do të ndiqesh penalisht sot apo nesër!

Do ndiqesh si i tillë se ke shkelur dhunshëm Kushtetutën dhe ligjin me dashje dhe këmbëngulje si kamikaz i partisë.

Nuk bllokohet KED, të cilën ti e përdhose me aktet e tua qëllimkeqe e antiligjore.

Që ti të vije në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me detyrën që Rilindja të dha për të kthyer Gjykatën Kushtetuese në gjykatë partie, u bllokua KED dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se dy vite.

Ky është faj që nuk i shpëton dot.

Që botove në Fletore Zyrtare vendimin e KED, duke dhunuar ligjin që ta kërkon vetëm në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, është faj nga i cili nuk shpëton dot.

Që nuk zbardhe e nuk botove procesverbalet e 30 mbledhjeve të KED është faj dhe nuk i shpëton dot.

Që vetë shpalle anëtare të Gjykatës Kushtetuese, kur as Kushtetuta e as Ligji nuk ta jep këtë të drejtë, është faj dhe nuk shpëton dot.

Kur ti kërkon t’i imponosh presidentit zgjedhjen dhe i dërgon kandidatët për dy vakanca njëherësh dhe Kushtetuta t’i kërkon sipas radhës dhe një nga një është faj dhe nuk shpëton dot.

Kur qëllimisht ja çon me vonesë kandidaturat Kuvendit kur duhet t’ia çoje në një ditë me Presidentin, që të zgjidheshin kandidatët, që do Rilindja, është faj dhe nuk shpëton dot.

Të gjitha fajet veç e veç janë të mëdha, por të gjitha bashkë shumë më të mëdha ndaj edhe fundi, herët a vonë është i pashpresë dhe këtij fundi nuk i shpëton dot.