Vasili: Pa sipërmarrje dhe zhvillim ekonomik Shqipëria nuk mund të bëjë përpara

425
Zv/ kryetari aktual i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili dhe kandidatja për deputete Erisa Xhixho takim me të rinjtë profesionistë në sektorin privat në Fier

Pas shpalljes së listave, drejtuesit dhe kandidatët për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk kanë humbur kohë. Kanë nisur takimet në të gjitha qytetet e vendit duke shpalosur platformën e tyre për zgjedhjet e 18 qershorit. Kështu zv/Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili së bashku me kandidaten për deputete të LSI-së, Erisa Xhixho, kanë marrë pjesë gjatë ditës së djeshme në një tryezë me rrjetin e të rinjve profesionistë në sektorin privat të qytetit të Fierit. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe deputetët e LSI-së, Kejdi Mehmetaj dhe Robert Bitri. Nënkryetari Petrit Vasili, i cili nesër pritet të votohet në krye të partisë, pas emërimit të kryetarit aktual Ilir Meta në postin e Presidentit të vendit foli me të rinjtë sipërmarrës, për mënyrën se si duhet të jetë Shqipëria dhe për përpjekjet që partia e tij ka bërë dhe do të bëjë për të arritur objektivat. Ndërsa mori fjalën para të rinjve, Vasili tha se pa sipërmarrje dhe zhvillim ekonomik e shoqëror Shqipëria nuk mund të bëjë përpara. Më tej ai theksoi se nëpërmjet ideve që vijnë nga sipërmarrësit do të mund të realizohet një program elektoral realist. “Të gjithë së bashku, pa asnjë ndalim, ecim drejt një Shqipërie që do të jetë një Shqipëri e zhvilluar, kapitaliste e sipërmarrëse. Sepse pa sipërmarrje, pa zhvillim të tillë ekonomik dhe shoqëror Shqipëria nuk mund të bëj përpara. Shqipëria nuk mund të jetë më e begatë, dhe të gjitha fjalët që politika thotë, do të jenë ato fjalët boshe të cilat mbi bazat e atyre premtimeve që vetë politikanët as vetë nuk i besojnë. Ne po formësojmë falë këtyre ideve, edhe atë program elektoral tonin, i cili do të jetë një program jo vetëm i shkëlqyer, por mbi të gjitha do të jetë një program realist, i vërtetë”, – u shpreh Petrit Vasili. Në këtë takim mori fjalën e kandidatja për deputete në Qarkun e Fierit Erisa Xhixho. Kryefjala në këtë takim ka qenë mbështetja që LSI i jep të rinjve. Për këtë qëllim, Vasili dhe Xhixho u thanë të rinjve se partia ku ata bëjnë pjesë do të bëjë të mundur realizimin e ideve falë një programi konkret. Në fjalën e saj Erisa Xhixho, deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet të rinjtë dhe idetë e tyre inovative me një program konkret. Sipas Xhixhos, biznesi privat ka nevojë për stabilitet politik që të sigurojë investimet vendase e te huaja. “Interesi madhor është që të kenë një Shqipëri të stabilizuar politikisht, por edhe ekonomikisht. Janë kyç për zhvillimin e ekonomisë. Unë besoj fort se në qoftë se politika i jep një vëmendje akoma më të madhe sektorit privat, padyshim që kjo do të sjellë hapjen e vendeve të reja të punës”, – tha Erisa Xhixho. Ndërsa, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, theksoi se të rinjtë janë të parët dhe në krye të gjithë objektivave. “Jemi të bindur që në krye të gjithë objektivave që ne kemi, janë të rinjtë sepse e thashë për LSI-në të rinjtë janë të parë dhe kjo do të jetë fitorja jonë më e madhe në 18 qershor”, – deklaroi Mehmetaj.
Luan Rama: Mbështetje pa asnjë gram politikë për artistët
Luan Rama dhe Kejdi Mehmetaj, dy nënkryetarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, morën pjesë ditën e djeshme në një ekspozitë artistike titulluar “Melodi”. E organizuar në Muzeun Historik Kombëtar, në këtë ekspozitë ishin prezantuar piktura, skulptura dhe fotografi nga artistë të rinj. Ndërkohë mësohet se kjo ekspozitë ishte organizuar edhe me mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Lëvizjes Rinore për Integrim, ku artistë të rinj ekspozuan punimet e tyre për qytetarët.

Luan Rama nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në fjalën e tij në këtë ekspozitë theksoi mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim për artistët dhe se puna e tyre është për t’u admiruar. “Është një melodi e bukur kjo, sepse në këto telajo apo në gjithçka që është këtu edhe në punimet në skulpturë apo edhe në fotografi, është përjetimi, është shpirti artistik i atyre që i kanë realizuar këto vepra. Dhe kjo mënyrë komunikimi që këta artistë realizojnë me ne, që jemi publiku, shikuesit, është sa e veçantë, është sa e vështirë, por po aq edhe e bukur dhe emocionuese. Më lejoni të garantoj në mbështetjen pa asnjë gramë politikë brenda. Në mbështetjen maksimale që ne kemi një atribut përfaqësimi politik, ta shfrytëzojmë këtë atribut për të krijuar lehtësirat e nevojshme dhe mundësitë që shpirti artistik, dhe në këtë rast jo vetëm i piktorëve, skulptorëve apo fotografëve, por shpirti artistik i cilitdo që ndien një përjetim artistik dhe këtë përjetim kërkon t’ia transmetojë edhe publikut, ne ta mbështesim, ta inkurajomë dhe të krijojmë sa më shumë hapësira”, – tha Luan Rama. Ai foli qartë edhe për mënyrën se si veprat e artit nuk duhet të mbeten pa u publikuar. Sipas tij arti duhet të shkojë tek publiku dhe nëse nuk e arrin këtë mbetet pa jetë. “Sepse në fund të fundit, çdo vepër arti, nëse nuk është e destinuar të shkojë te shikuesi, te publiku, mbetet pa jetë dhe praktikisht nuk përmbush misionin e vet. Për melodinë e shpirtit të artistëve ka shumë nevojë politika, që është kaq e vrazhdë, është kaq refraktare, pa asnjë gramë meditimi dhe përjetimi emocional. Guximi dhe këmbëngulja e ju të rinjve që nga kjo pikëpamje jeni vërtet për t’u admiruar. Arti është për të gjithë dhe le ta përjetojmë këtë si një ngjarje të bukur artistike me urimin për më shumë sukses dhe për më shumë mbarësi për të gjithë ju”,- u shpreh Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama. Mbështetja e të rinjve artistë, ishte në qendër të fjalës së mbajtur në këtë ekspozitë edhe nga nënkryetarja tjetër e LSI-së Kejdi Mehmetaj. “Kanë qenë vetë këto artistë, të cilët e kanë organizuar, menaxhuar aktivitetin. Kontributi ynë ka qenë shumë minimal karshi punës që ju keni bërë. Dhe shpresojmë që nga ky pozitivitet që të marrim nga kjo ekspozitë, të paktën ne që përfaqësojmë disi pjesën politike të reflektojmë edhe në punën e përditshme që bëjmë, të japim më shumë hapësira dhe më shumë mbështetje për artistët, sidomos për artistët e rinj. Për të tilla aktivitete, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, do të na keni shumë në mbështetje dhe shumë në suport, sepse realisht ajo që kemi bërë është shumë e vogël karshi punës së madhe që ju bëni”,- tha Kejdi Mehmetaj.
LSI, nesër Konventa Kombëtarë, Petrit Vasili kryetari i ri 
Petrit Vasili nga nesër do të jetë kryetari i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Emri i tij u përmend nga kryetari Ilir Meta, menjëherë pasi ky i fundit u zgjodh nga Parlamenti për të qenë në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme. Ndërkohë të dielën në mbledhjen e Komitetit Drejtues, Ilir Meta lajmëroi se largohet nga çdo funksion në Lëvizjen Socialiste për Integrim duke dorëzuar edhe dokumentin e partisë. Burime zyrtare nga Lëvizja Socialiste për Integrim thanë për gazetën “Telegraf” se këtë të mërkurë, pikërisht nesër, do të mblidhet Konventa Kombëtare, ku do të zgjidhen drejtuesit e LSI-së. Tashmë është bërë e njohur për të gjithë se në krye të partisë do të jetë Petrit Vasili, aktualisht zv/kryetar. Ndërkohë që për postin e nënkryetarit pritet të jetë në liste emri i deputetes Monika Kryemadhi, e cilësuar si forcë e madhe e mendimit dhe lëvizjes në këtë parti. Ilir meta, presidenti i ri i vendit, deklaroi në fund të mbledhjes se Komitetit Drejtues se do të rikthehet sërish në partinë që vet e themeloi, pasi të ketë përfunduar mandatin presidencial. 
Sigal