Topalli-Selami-Bregu: Të mblidhen forumet e PD-së

539
Tre deputetë kërkojnë nga kryetari Basha të konsultojë grupin parlamentar dhe Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike për vendimet e rëndësishme

Disa nga politikanët dhe deputetët e Partisë Demokratike kritikuan publikisht kryetarin e partisë, Lulzim Basha, për qëndrimet që po mban ndaj zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit. Jozefina Topalli, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami qortuan Bashën për mënyrën e marrjes së vendimeve në Partinë Demokratike dhe shprehën vullnetin për të marrë pjesë në zgjedhje. 

Ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, deklaroi se ka kërkuar “prej disa javësh mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar se çfarë do të bëhet me pjesëmarrjen në zgjedhje si dhe për kostot e bojkotit që PD ka vendosur në raport me zgjedhjet”. Ndërsa deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, shkroi në rrjetet sociale se kryetari i PD, Lulzim Basha, duhet të heqë dorë nga vendimi për të mos e futur partinë në zgjedhjet e 18 qershorit. “PD ka lindur si një parti me vokacion perëndimor. Ajo nuk u largua nga zgjedhjet as në 1997, as nuk u pajtua me bojkotin, që dikur bënte Edi Rama as me bllokimin që partia e tij u bënte rrugëve”, tha Bregu. “Sot nuk mund të hesht më, sepse edhe ata që kurrë nuk na kanë lënë vetëm më parë, nga presidenti Daul dhe deri te i fundit në PPE më thonë prej disa ditësh që nuk na ndihmojnë më, sepse ‘ju nuk doni të ndihmoni veten’. Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje dhe të jetë në parlament, dhe të votojmë për reformën në drejtësi dhe ato që duhen për zgjedhjet”, theksoi ajo.

Ndërsa deputeti demokrat, Eduard Selami, deklaron se mospjesëmarrja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 18 Qershorit do të ishte një gabim i rëndë historik, jo vetëm për këtë forcë politike por dhe për vendin. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ish-kreu i PD-së foli me tone kritike ndaj qëndrimeve të kryetarit të opozitës Lulzim Basha, i cili prej më shumë se dy muajsh po udhëheq një protestë të gjatë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Javën e shkuar, përpjekjet e përfaqësuesve të parlamentit evropian për të ndërmjetësuar daljen nga kriza, dështuan. Për Selamin, ky ishte një shans i humbur. Ai është i mendimit se ekzistojnë ende hapësira të vogla për zgjidhje dhe se këto hapësira duhet të shfrytëzohen nga kryedemokrati. “Basha e përdori çadrën, jo më për një protestë paqësore, por fatkeqësisht, me një retorikë populiste dhe një gjuhë të papërshtatshme, e përdori për të anashkaluar institucionet, dhe më keq akoma, për të bojkotuar Parlamentin, në një moment shumë të rëndësishëm, siç është Reforma në Drejtësi, e cila është e lidhur me rrugën integruese në Evropë. Më tej akoma me një retorikë të paprecedent për të bllokuar dhe mos marrë pjesë në zgjedhje, e cila është mjaft e dëmshme për Shqipërinë, për Partinë Demokratike dhe për çështjen shqiptare”, u shpreh Selami. Sipas tij, ka një pengmarrje të strukturave të partisë nga Basha, “në kundërshtim me ato premtime që bëri kur u zgjodh kryetar, premtime personale që m’i ka bërë dhe mua, por dhe të gjithë demokratëve”. “Dhe është për të ardhur keq, që PD sot është më pak demokratike se në të gjithë historinë e saj, dhe unë mendoj se një nga arsyet që PD ballafaqohet me një krizë të brendshme kaq të rëndë, e cila po ndikon negativisht dhe për çështjen shqiptare dhe Shqipërinë, unë mendoj se është dhe mosfunksionimi i strukturave”, tha Selami.

Nga ana e tij, kryetari demokrat, Lulzim Basha, është shprehur se opozita do të mbetet e vendosur për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme me Edi Ramën kryeministër, duke nënvizuar vendi ka nevojë për një qeveri teknike. 
Sigal