Trafikantët lihen të lirë nga gjyqtarët e korruptuar, me urdhër politik

187
Edhe pse politika ka rënë në dakordësi, që lypset sa më shpejt një bërje reforme në drejtësi, prapëseprapë, po kjo politikë shto ujë e shto miell, shto ujë e shto miell, me pasojë që reforma në drejtësi të shtyhet në kalandrat greke, ndërkohë që drejtësia hemorragon padrejtësi. Aq sa edhe durimi i ndërkombëtarëve, po humbet në atë shkallë, saqë u detyrua edhe ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, të fliste publikisht popullit shqiptar, “vendçe”, me gjuhën popullore, duke hequr nga fjalori guacën e gjuhës diplomatike, pasi u bind edhe vetë ai, që fjalët e thëna në tryezën dypalëshe që ka zhvilluar me dhjetëra herë ai personalisht me politikanët tanë, të mos pinë më ujë. Ambasadori amerikan Lu, duke iu drejtuar shqiptarëve, tha haptas, që kësaj reforme në drejtësi, që po vonon dhe me rrezik të dështojë, i tremben vetëm ministrat e korruptuar, deputetë kriminelë dhe gjyqtarë të paaftë. Vetëm qeveria nuk kishte veshë që të dëgjonte këto kambana alarmi, që ranë, ndaj nuk reagoi. Ministrat vazhdojnë në qetësi të japin tendera miqve dhe klientëve të tyre politikë (për të shlyer detyrimet elektorale) deputetët kriminelë përditë në “ligjshmërinë” e tyre firmosin prezencën e tyre në Parlamentin ligjbërës, ndërsa gjyqtarët e paaftë dhe të korruptuar shesin përditë drejtësinë, kundrejt shumës së parave që derdhet në xhepat e tyre dhe personat që kryejnë krimin lëvizin qetësisht, të paprekur midis nesh. Nëse në çfarëdo shteti tjetër, qoftë demokratik, qoftë diktatorial, qoftë monarkik, qoftë feudal, nëse publikisht do të bëhej një deklaratë e tillë, për ministra të korruptuar, për deputetë kriminelë, për gjyqtarë të paaftë, për kriminelët që lëvizin të lirshëm, të paprekshëm nga drejtësia, do të ndodhte tërmet politik, cunami do të rrafshonte të gjithë institucionet shtetërore të kapura nga krimi. Mirëpo, kudo, në çdo shtet të botës, do të ndodhte që kryeministri të jepte urgjentisht dorëheqjen, që parlamenti të shpërndahej brenda ditës, e të bëheshin zgjedhje të parakohshme, që fshesa në Gjyqësor të ishte radikale, veçse jo në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” në forumin për reformën në drejtësi u drejtohet Prof. Shefqet Muçi, Prof. Zamira Çavo, Avokatëve Idajet Beqiri, Zaçe Islami, Ndue Pjetra, me pyetjet:
1. Për kë bien kambanat e kritikave të ambasadorit amerikan Donald Lu, për kriminelët që lëvizin lirshëm? Reformës në drejtësi i tremben ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë dhe gjyqtarë të paaftë?
2. Kush i lë të lirë kriminelët: Gjykata? Prokuroria? Politika?
Prof. Zamira Çavo: Interesat e politikanëve lidhen direkt ose indirekt me krimin
U bë kohë që nuk kam dëgjuar ndonjë diplomat të shprehet pa as më të voglin make up diplomatik! Ambasadori nuk erdhi dje në Shqipëri. Tashmë ai e njeh mirë mënyrën se si funksionon politika shqiptare. Kjo do të thotë që nuk ka rrugë tjetër për ta sjellë në funksionimin e duhur shoqërinë shqiptare, përveç rrugës së të përballurit me të vërtetën e thënë troç! Për kë bien kambanat? Unë them për të gjithë Ne! Bien për mazhorancën, pasi në dy vjet ende asnjë hap për reformimin e sistemit të drejtësisë. Bien për Opozitën që vazhdon me monologje donkishoteske dhe aspak frytdhënëse. Bien për institucionet tona; Prokurori e Gjykata. Bien për Presidentin, i cili nuk ka lëvizur as një gjysmë hapi për të ndihmuar drejtësinë e shtrirë në shtratin e vdekjes. Bien për kryetarët e partive, që kanë kandiduar elementë me rekorde kriminale në Parlamentin shqiptar. Dhe e dini pse bien në radhë të parë për këta që përmenda? Sepse asnjërit prej këtyre nuk u intereson një sistem Drejtësie i vërtetë! Sepse interesat e tyre të vogla lidhen direkt ose indirekt me krimin, qoftë atë të rrugës, e qoftë atë të ekonomisë. Por kambanat bien edhe për Ne, popullin, që ende vazhdojmë të qahemi çdo ditë dhe nuk lëvizim për të garantuar atë që duam të gjithë “barazinë tonë ligjore e institucionale. Kambanat e zotit Lu bien për ne intelektualët, që nuk bëhemi dot bashkë për t’i treguar rrugën njerëzve dhe shoqërisë.Të lirë kriminelët i lë Gjykata, por Fajin ia hedh Prokurorisë, e cila nuk i mbështet me fakte. Prokuroria nga ana e saj fajëson politikën që ndërhyn. Tani secili mund ta gjejë se, cili i lë të lirë kriminelët. 
Prof. Shefqet Muçi: Ambasadori Lu kritikon Ekzekutivin, Legjislativin dhe Gjyqësorin, për pengimin e reformës në drejtësi
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu e ka shprehur qartë duke e ndarë kritikën në tre drejtime. E para flet për ministra të korruptuar. E dyta flet për deputetë kriminelë. E treta flet për gjyqtarë të paaftë. Ambasadori Lu në kritikën e tij ka përfshirë 3 pushtetet: Kur flet për ministra të korruptuar ka parasysh Ekzekutivin, kur flet për deputetë kriminelë, ka parasysh legjislativin dhe kur flet për gjyqtarë të paaftë, ka parasysh Gjyqësorin dhe në radhë të parë KLD dhe Presidentin e Republikës, të cilët merren me emërimin, shkarkimin transferimin dhe problemet e Gjyqësorit. Nuk ka përjashtuar asnjë nga dëshira e dikujt që merr pjesë në këto pushtete, për të mos u bërë reforma në drejtësi. Ambasadori i parashtron shumë drejt problemet, duke kërkuar nga të gjithë që të angazhohen për të bërë reformën në drejtësi, e cila, sipas atij dhe opinionit publik, zvarritet në mënyrë të padrejtë. Nuk po bëhet në kohën e duhur. Kur ambasadori Lu përmendi emra të caktuar, si kriminelë që nuk janë gjykuar, që nuk hetohen, nuk zbulohet veprimtaria e tyre kriminale, ka parasysh policinë dhe prokurorinë. Organet që merren me luftën kundër kriminalitetit, është policia, është prokuroria dhe gjykata. Unë nuk pajtohem plotësisht me opinionin që është krijuar, që këto organe nuk e kryejnë detyrën që u është ngarkuar. Në fund të fundit, burgjet janë mbushur me njerëz, gjykime po bëhen përditë, ka qindra të dënuar me burgime të përjetshme, e këto hetime, e këto gjykime i bëjnë këta prokurorë, këta gjyqtarë, të cilët ne i futim në një thes. Si të ndershmit, bashkë me të korruptuarit. Prandaj të jemi të kujdesshëm në etiketime publike. Ndaj është e domosdoshme, që të bëjmë reformë në polici, reformë në prokurori, reformë në gjyqësor. Faji i politikës është se krijon një perceptim të qëllimshëm se gjoja të gjithë në Gjyqësor janë të korruptuar, të paaftë, pa vënë kurrë para përgjegjësisë ata persona që janë efektivisht të korruptuar. Në kuptimin e perceptimit të përgjithshëm, edhe të disa vëzhgimeve personale, të disa çështjeve, që një specialist i kupton, unë mendoj se dëmin më të madh këtu politika e bën, sepse po të shikojmë çështjet për të cilën akuzohen gjykatat, janë çështjet që kanë të bëjnë me politikanët, me çështjet që kanë të bëjnë me ministrat. Pra nuk po çojnë në gjyq ministrat, edhe kur çohen kallëzimet penale në gjyq për ministrat, paskëtaj, bëhen lloj-lloj makinacionesh për të mbyllur çështjet e tyre në hetim, në gjykim. Paskëtaj, ministrat e politikanët kanë në dispozicion median të tërë për të sharë gjykatësit, prokurorët, për të thënë që prokuroria u bie pa të drejtë në qafë. Ministrat janë të pandehur, e pastaj akuzojnë prokurorinë dhe gjykatën që i heton, për korrupsion. 
Av. Idajet Beqiri: Politika, Gjykata, Prokuroria janë të kapura nga krimi dhe korrupsioni
Janë bërë aq shumë prapësi dhe veprime anti-shtet, janë deformuar aq keq demokracia, institucionet e saj, principet e saj, sa jemi bërë aq shumë problematik, sa jo vetëm që e kemi dënuar dhe dëmtuar shumë vetveten, por jemi bërë rreziku real e potencial për “eksport” destabiliteti në gjithë rajonin. Abuzivistë sa më nuk ka, politikanët tanë i interpretonin mesazhet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, për luftën kundër krimit, korrupsionit dhe dekriminalizimit, sipas oreksit të vet të sëmurë, dhe të gjithë kishin të drejtë, veç Shqipëria, populli shqiptar dhe shteti i tyre përpëliten si ajo pula që e ka zënë flama! Kambanat e alarmit janë të drejtpërdrejta për kriminelët potent dhe mbështetësit politik të tyre, për të gjithë pengmarrësit e këtij vendi, për të gjithë ata që nuk i kanë lënë kusur këtij vendi dhe populli, duke e vjedhur dhe grabitur çdo ditë, duke i mohuar liritë dhe të drejtat e njeriut, duke u vrarë dhe mohuar drejtësinë, demokracinë, moralin dhe familjen, jetesën normale, pronën dhe punën. Dhe kryetema që kërkon ndërhyrje urgjente me bisturinë e kirurgut është reforma në drejtësi. Kambanat po bien për penguesit më të mëdhenj të reformës në drejtësi, janë ish- kryeministri Berisha dhe ish ministri Basha, së bashku me bandën e tyre kriminale të mirë organizuar. Kambanat po bien edhe për disa politikanë të qeverisë aktuale, të cilët erdhën në qeverisje krahas kartave të tjera, edhe me luftën pa kompromis që do t’u bënin kriminelëve politikë, që ranë nga pushteti, por që fatkeqësisht po i ruajnë ata, sikur u luten për hesape reciproke. Ky lloj rotacioni është korrupsion i gjallë, është krim dhe banditizëm, është antishtet, për rrjedhojë duhet të përmbyset qoftë edhe duke paguar kosto, sado e lartë që të jetë ajo. Politika, Gjykata, Prokuroria, të tria, veç e veç dhe së bashku gjithashtu, për fatin e keq, janë të kapura prej krimit dhe korrupsionit, prej mafias së paskrupullt, prej paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë, prej të qënurit të thelbit të politik bërjes në vend të shitur tek agjenturat antishqiptare, të cilët duan integrimin e gjithë Ballkanit në BE, duke e lënë Shqipërinë vrimën e fundit të kavallit! Këto institucione duhen pastruar mirë, duhen pavarësuar, duhen mbushur me shqiptarë të aftë profesionalistë, me integritet të lartë moral dhe atdhetar, të distancuar dukshëm nga garda e maskarenjve që i sundon sot ato.
Av.Zaçe Islami: Një reformë e shëndetshme në drejtësi, do të thotë që e gjithë struktura aktuale e gjyqtarëve dhe prokurorëve të largohet
Ambasadori Lu ka kohë që u bie kambanave për ata që kanë veshë, por vetëm politikanet tanë (politikanë u thënçin, se vetëm të tillë nuk janë) nuk kanë veshë të dëgjojnë. Ata nuk do lëvizin absolutisht asnjë gjë në drejtim të kancerit që ka kapur shoqërinë. Qëllimisht, klasa jonë politike, më e korruptuara në gjithë Evropën, propagandon pluralizmin, pasi në Shqipëri vetëm pluralizëm nuk ka. Ka 70 vjet që sundon kasta e kuqe, me ndryshimin se këto 25 vjetët e fundit nxori disa ekzemplarë, agjentë të sigurimit famëkeq të shtetit, nëpërmjet të cilëve krijuan partiçkat “opozitare”. Cili nga deputetët tanë është prononcuar me deklaratat e ambasadorit amerikan? Askush, dhe as që pritet të flasë ndonjë prej tyre, sepse janë të gjithë njëlloj. Kanë ndodhur hatara të mëdha në Shqipëri, u dogj Shqipëria në 97-ën, amnistuan njëri tjetrin, u vranë me qindra djem, askush nuk u përgjigj, u vranë 26 qytetarë të pafajshëm në Gërdec dhe fajtorët përgjegjës vazhdojnë të ndërtojnë pallate, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, dhe askush nuk u dënua, u vodh thesari në Krrabë, askush nuk dha llogari, u vranë 4 veta me duar në xhepa në bulevard, faji ngeli jetim e plot raste të tjera, për të cilat nuk përgjigjet askush, u mbytën dhjetëra njerëz me Katrin e Radës, u përsërit po një tragjedi e tillë më 21 janar ……..lista është pa fund. Por duhet thënë se k/ministri me një VKM datë 20-05-2015 ka bërë një reformim në drejtësi, duke u dhënë të drejtë prokurorëve, gjyqtarëve dhe hetuesve të shkojnë tek të burgosurit në çdo kohë, ndërsa avokatët vetëm me lejen e administratës së burgut. Se pse duhet të shkojnë edhe gjyqtarët tek i burgosuri, këtë e dinë ata që kanë hartuar atë çorbë, por për mua, janë abroguar dy nenet themelore të Kodit të Procedurës Civile, konkretisht neni53/1 dhe 256/1, të cilët u siguronin të burgosurve të drejtën e mbrojtjes gjatë hetimit. Frikë nga reforma në drejtësi kanë, pa përjashtim, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Një reformë e shëndetshme në drejtësi do të thotë që e gjithë struktura aktuale e gjyqtarëve dhe prokurorëve të largohet. Por kush do t’i largojë? Ata, të cilët kanë marrë miliona për ato emërime? Do shkarkoj gjyqtari i Gjykatës së Lartë, bashkëshorten, gjyqtare në shkallën e parë? Do shkarkoj deputeti gruan, apo kunatën, apo motrën, etj, etj, etj? A ka zgjidhje? Po ka, por mbasi të krijohet një qeveri teknike, të ndryshojë Kodi Zgjedhor, të hartohen ligje të reja kundër nepotizmit, të mos ketë në asnjë mënyrë dy persona nga e njëjta familje të punësuar në shtet e plot të tjera, që, nëse do na ftojnë edhe “NEVE TË VEGJËLVE”, në ndonjë tavolinë të rrumbullakët, do t’i parashtrojmë qëndrimet tona.
Av.Ndue Pjetra: E keqja buron nga KLD, që mbron gjithmonë gjyqtarë të korruptuar e të emëruar, sipas orekseve politike
Jehona në media se ministra, deputetë, e një pjesë e mirë e politikanëve janë të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, nuk do të thotë asgjë të re për ne si qytetarë. Tashmë jemi mësuar me lajme të tilla. Nga ana tjetër Ambasadori Amerikan kërkon të ngrejë tërë shtetin në këmbë për reformën në drejtësi, sikur problemi të jetë i tanishëm dhe jo i kahershëm. Drejtësia është plaga jonë që vazhdon të lëngojë, e kërkon përpjekje reale, larg etiketimeve politike. Ambasadori Amerikan me një gurë dëshiron ‘të vrasë shumë zogj’. Ai shfaqet i ashpër dhe jashtë kompetencave të tij si ambasador, Veprimi i tij është ‘i ligjshëm’ në Shqipëri, por në një shtet tjetër nuk do të konsiderohej i tillë. Me këto deklarata të tij, personave me status ju lind e drejta t’i drejtohen gjykatës për prishje imazhi. Duhet të kemi parasysh se, trafikantët lihen të lirë nga gjyqtarët e korruptuar, me urdhër politik. Në sistemin e drejtësisë tek ne, e keqja buron nga KLD, që ka dalë gjithmonë në mbrojtje gjyqtarëve të korruptuar, e të emëruar sipas orekseve politike. Konsolidimi i sistemit të drejtësisë vjen nëpërmjet vlerësimit të vendime të gjykatave të dhëna padrejtësisht, ku nga ky vlerësim dalin në pah gjyqtarët e korruptuar, e ata që kanë dhënë veprime të padrejta. I kujtojmë Ambasadorit Amerikan se vlerësime të tilla janë të përhershme në Shtetet e Bashkuara. Për t’iu larguar retorikës boshe, e mira është që Ambasada Amerikane të zbatojë të tilla projekte edhe në Shqipëri, për një transparencë më të madhe në gjyqësor.