Të ardhurat nga TVSH, 6.5 miliardë lekë më pak në buxhet në 2016

157
Mosrealizimi më i madh nga administrata fiskale për vitin e kaluar ka ardhur nga Tatimi i Vlerës së Shtuar, duke dhënë një ndikim negativ në treguesit fiskalë të kësaj periudhe. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH-ja janë realizuar në vlerën 131.3 miliardë lekë, nga 137.9 miliardë lekë që ishte planifikimi.
Edhe pse ka një mosrealizim të kësaj takse me 6.5 miliardë lekë, përsëri ajo është më e lartë se e një viti më parë, ku për vitin 2015 u arkëtuan në buxhet nga ky zë 125.7 miliardë lekë. Një ndër faktorët që mund të ketë ndikuar në të ardhurat e pakta është dhe ulja e ritmit të luftës ndaj informalitetit, ndërsa administrata tatimore “zbuti” aksionin e nisur dy vjet me parë për kuponin tatimor. Kjo ka bërë që në shumë subjekte përsëri të mos lëshohet ky kupon.
Faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e rimbursimeve, që ka arritur në masën 8.8 miliardë lekë për këtë periudhë, si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtëzimin dhe reduktimin e procedurave të rimbursimit.
TVSH e rimbursuar për këtë periudhë, gjatë vitit të kaluar ishte 7.6 miliardë lekë. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është taksë që zbatohet ndaj mallrave dhe shërbimeve brenda territorit të Shqipërisë.