Tahir Muhedini:“Kauza kombëtare e Çamërisë u përket të gjithë shqiptarëve!”

60

 Qenia e dy forca politike të Komunitetit Çam e dëmton Kauzën Çame

 Tahir Muhedini, Kryetari i Nderit i PDIU-së, është kandidati i parë i kësaj force politike në Qarkun e Tiranës. Në intervistën për “Telegraf”, zoti Muhedini, thotë  se, ekzistenca e dy partive çame e dëmton Kauzën dhe se nuk mund të bësh parti për shkak të inateve personale. Zoti Muhedini, për herë të parë pohon se, për Rezolutën Çame në 2004-n, fillimisht, kishte një marrëveshje paraprake me të gjitha partitë, por një  telefonatë nga Athina, për Kryeministrin Nano, bëri që deputetët e PS-së, të abstenonin.

– Zoti Muhedini, personalisht, kandidimi juaj në Qarkun e Tiranës, si i pari i listës së PDIU-së çfarë do të thotë?

Është një vlerësim nga PDIU-ja. Por, kjo më obligon, që këtë vlerësim, që të punoj maksimalisht  për të çuar më tej Kauzën e madhe të Çamërisë, i cili është edhe amaneti i prindërve tanë dhe jam optimist sepse në Qarkun e Tiranës pretendojmë 2 mandate. Ndërsa si parti, pretendojmë të marrim 5-6 mandate.

– Këtë optimizëm, përveç entuziazmit elektoral, ku e bazoni?

– Optimizmin e mbështet të komunikimi i përditshëm me qytetarët, shikoj që bashkë me qytetarët çamë, edhe qytetarët e tjerë na përkrahin, duan të kontribuojnë  me votëbesimin e tyre në realizimin dhe jetëzimin e Kauzës kombëtare të Çamërisë, si një kauzë edhe e tyre. Arritja më e madhe që kemi bërë deri tani, është se Kauzën e Çamërisë e kemi shndërruar prioritet  jo vetëm për Komunitetin Çam, por edhe për gjithë shqiptarët, kudo qofshin. Ndaj PDIU-ja është parti kombëtare, që do të thotë, që, si të majtë, edhe të djathtë, të jemi bashkë, për çështjen kombëtare. Çamëria i do të gjithë shqiptarët.

– Rezoluta Çame e 2004-s, është e votuar?

–  Ka qëndrime të kundërta nga ata që s’kanë  lidhje me këtë çështje dhe duan të flasin si papagall për Çështjen Çame. Kryetari i Shoqatës “Çamëria” Servet Mehmeti dhe unë, në 2004-n morëm aprovimin paraprak nga të gjithë forcat politike të asaj kohe, që të gjithë do ta votonin Rezolutën në Kuvend. Të gjithë na siguruan, asaj kohe,  se  politika shqiptare, pa përjashtim,  ishte në një qëndrim për Çështjen Çame. Por, ato ditë që po votohej Rezoluta Çame, erdhi një telefonatë nga Athina, e cila për socialistët e Nanos, kishte rëndësi më të madhe, të cilët, paskëtaj, edhe pse na kishin premtuar se do ta votonin, abstenuan. Votuan 53 deputetë të djathtë, dhe shumë pak  të majtë dhe për habinë e të gjithëve, kryetari i Kuvendit i asaj kohe, Servet Pëllumbi, tha se nuk miratohet Rezoluta Çame.

– Nga ana tjetër, Rezolutën Çame, në 2004-n, as zoti Berisha dhe zonja Topalli nuk e votuan, sikundër e votuan disa deputetë socialistë.

– Nuk më bën përshtypje që nuk e kanë votuar Berisha dhe Topalli. Deputetët e djathë votuan “pro”, sepse kishte dëshirën Berisha, apo jo?! Po të mos donte Berisha, asnjë nuk do të kishte votuar nga e djathta, sikundër urdhëroi Nano socialistët, që të gjitha abstenuan, pasi mori urdhër nga Athina, me telefonatë.

– Po si e shpjegoni që as ky Kuvend nuk bëri asgjë që të miratonte p/Rezolutën Çame që ju dorëzuat kohët e fundit?

– Unë mund të them, që qysh nga 2004-ra, PS-ja na ka një borxh të madh, është një turp i madh që nuk quajtën të miratuar Rezolutën e cila u votua. Ne gjithnjë kërkojmë që Çështja Çame të zgjidhet në rrugë institucionale. Koha kur dorëzuam Rezolutën tonë, në prag të 100 -Vjetorit të Pavarësisë, ishte momenti më i madh historik, që forcat politike ta kishin obligim kombëtar miratimin e saj. Por, siç duket, u vonua nga Kuvendi shqyrtimi i saj në Komisionin e Jashtëm parlamentar,  me qëllim, që të mos kapeshin afatet kohore. Dule, pastaj, në atë komision u vuri kusht forcave politike, që kush e voton atë,  ai nuk do të bëj koalicion elektoral. Në këto momente, PS-ja bën gati një p/Rezolutë për Çamërinë,  ku thoshte se qeveria shqiptare duhet të japë llogari çdo 6 muaj se çfarë ka bërë për Çështjen Çame. Kjo ishte një pikë e mirë, që edhe ne e mbështesim, por, gjithë përmbajtja e Rezolutës ishte një përmbajtje negative, ku zoti Rama hedh poshtë Rezolutën tonë të mirëmenduar dhe zoti Rama shkoi deri aty, sa tha: “Të bëjmë një Rezolutë që të mos na lind  konflikt i minoritetit grek me Komunitetin Çam. Por, unë e përsërit. Që ne,  bashkëjetojmë si vëllezër me minoritetin grek, por Rama e bën që të na fusë ne në konflikt, për hatër të një njeriu që gjithnjë u ka shërbyer qarqeve greke, e ky është Dule.

– Tashmë, 2 parti politike të Komunitetit Çam, ndihmojnë apo dëmtojnë Kauzën Çame?

–  Dy forca politike Kauzën Çame e dëmtojnë. Por me sa duket, Dojaku ka marrë mision, për ta dëmtuar këtë Kauzë, sepse të krijosh pak muaj para zgjedhjeve forcë politike e të hysh në koalicion me Vangjel Dulen, i cili  në Kuvendin e Shqipërisë, ishte i vetmi që nuk nderoi të vrarët e masakruar  çamë nga gjenocidi grek. Duhet, sa më parë, që të gjithë duhet të bashkohen, sepse Kauza jonë është Një, nuk është interes partiak apo individual. Çamëria i do të gjithë të bashkuar. Edhe amaneti i të parëve tanë, është që të jemi të gjithë bashkë. Nuk mund të bësh parti për inate.

– Shpëtim Idrizi do të jetë deputet i PS-së, apo i PDIU-së?

– Shpëtim Idrizi është Kryetari i PDIU-së. Sot është në listën e PD-së dhe kjo erdhi sepse PD-ja u krijoi hapësirë gjithë aleatëve që të jenë të pranishëm në Kuvend, gjë që nuk ndodh te PS-ja. Ne na vjen mirë, sepse edhe kjo dëshmon nga PD-ja që vlerëson dhe mbështet Kauzën Çame. Por, Idrizi është kryetari i PDIU-së dhe i tillë mbetet edhe si deputet. Gjithë shqiptarët të votojnë numrin 50 që është PDIU-ja me kryetar Shpëtim Idrizi.

– Sido që të jetë, një parti e Komunitetit Çam do të jetë në maxhorancë qeverisëse. Kjo do të ndikojë pozitivisht që Kauza Çame të ketë më prioritet?

– Ne një forcë politike kemi. Është trumbetuar shumë nga Rama, por edhe nga Meta, i cili që kur krijoiLSI-në, u përpoq që të merrte Komunitetin Çam atje dhe po përpiqet që t’i përçajë çamët.

– Cili është kontributi politik që keni dhënë ju, deri tani, si parti e Komunitetit Çam në Kauzën Çame?

– Kontributi i parë ishte krijimi i Shoqatës së parë “Çamëria” në 1991, e cila evidentoi vlerat kulturore dhe patriotike të Çamërisë”, dha produktin politik, Rezolutën Çame në 2004-n. Ne kemi bërë sensibilizimin e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm për Kauzën Çame. Fillimisht PDI-ja dhe më vonë PDIU-ja mobilizoi gjithë çamët për të përkujtuar njerëzit tanë, që u vranë e masakruan në gjenocidin grek, në Kllogjer, do të ndërtojmë një Memorial e varrezat e martirëve. Kemi vajtur edhe në organizma ndërkombëtarë, për të bërë prezent çështjen tonë, si në OKB, në qeverinë amerikane, në BE, kudo. I kemi kërkuar edhe Janullatosit, që të bëjë një lutje në përkujtim të shqiptarëve të atyre që janë vrarë e sot janë pa varre. Ai nuk erdhi dhe ne kemi vajtur në Boston, në Kishën, ku bëhet një meshë e madhe, në përkujtim të shpirtrave të vrarë e që janë pa varre. Kemi krijuar hapësira shumë të mëdha Çështjes Çame, ku tani nuk jemi më parti komuniteti, por parti kombëtare.

Çështja Çame për politikën shqiptare ka qenë muhabet kafenesh

Politika në përgjithësi, dhe maxhoranca  8- vjeçare, në veçanti, a i kanë kushtuar atë prioritet që meriton Kauza Çame?

– Politika shqiptare në 22 vjet, asnjëherë nuk e ka bërë prezent në tavolinë Çështjen Çame, pasi Çështja Çame, në marrëdhëniet Shqipëri- Greqi, ka qenë përherë muhabet kafenesh dhe jo problem institucional. Reagimi i ynë, në 2004-n, ishte përpjekja që të votohej në Kuvend Rezoluta Çame dhe më pas krijuam partinë tonë, PDI-në, produkt i së cilës është që sot gjithë populli shqiptar kontribuon për zgjidhjen e Kauzës Çame. Dhe Kauza jonë Çame duhet të zgjidhet vetëm në rrugë institucionale e jo në mënyrë anësore: “Takova atë, më tha kështu, më tha ashtu”, siç e kanë zakon politikanët tanë. Në qoftë se është bërë diçka pozitive, e ka bërë PD-ja, e cila ka sanksionuar 24 Qershorin, si Dita e Gjenocidit grek ndaj popullsisë të pafajshme civile të Çamërisë.

– Faleminderit!