Stina e verës, Veliaj: Të kujdesshëm me përdorimin e ujit të pijshëm

482
Rruga “Mihal Grameno- Ali Visha” do të jetë së shpejti me një rrjet të ri ujësjellësi, duke ofruar shërbim më cilësor për 300 mijë banorët e zonës.
Kryebashkiaku i Tiranës siguroi qytetarët se të gjitha të ardhurat e mbledhura nga faturat e ujit të pijshëm shkojnë për më shumë investime në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
“Çdo qindarkë që paguhet për Ujësjellësin e Tiranës shkon për investime. Do të vijojmë me këtë investim gjatë gjithë verës pa ndërprerje, pavarësisht se ka zgjedhje, pavarësisht se ka pushime, pavarësisht temperaturave të larta, sepse gjykojmë se është shumë e rëndësishme që këtë projekt strategjik, i cili furnizon 300 mijë qytetarë të Tiranës me ujë, dy herë më shumë se sa ai që kishim, është i një rëndësie të veçantë”, u shpreh ai.
Me afrimin e stinës së verës, Veliaj u bëri apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e ujit të pijshëm dhe të mos e shpërdorojnë atë. 
“Është një skenë e denjë për një dokumentar të vendeve më të pazhvilluara dalja me zorrë për të lagur rrugët me ujë të pijshëm. Kjo është anormale e nuk duhet të ndodhë më! Sigurisht që do të reagojmë me gjoba dhe disiplinimin e nevojshëm që uji i pijshëm, që mezi e sjellim në Tiranë, të mos shpërdorohet as nga lavazhi, as nga freskimi i rrugës”, tha Veliaj.
Linjat aktuale në këtë zonë janë ndërtuar që në vitin 1958 dhe janë amortizuar plotësisht, duke sjellë mjaft humbje në rrjet e probleme me furnizimin me ujë të pijshëm të kryeqytetit. Tubacionet e linjës po ndërtohen sipas të gjitha standardeve, në mënyrë që të sigurohet jo thjesht një jetëgjatësi e sistemit, por edhe një rritje e konsiderueshme e furnizimit me ujë.
Sigal