Spartak Ngjela/ Pse e refuzon Presidenti i Republikës një Guvernator të huaj për Bankën e Shqipërisë?

499
Sigal

Kryeministri Rama kërkoi të emërojë në postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ish- guvernatorin e famshëm të Argjentinës, Mario J. Blejer, një personalitet të mirënjohur botëror. Presidenti i Republikës s’e pranon. Pse? Banka është vjedhur; këtë tani e di e gjithë Shqipëria; kurse vjedhja duhet parë nga brenda dhe duhet hetuar nga profesionistë. E para gjë që do të bënte një Guvernator i huaj profesionist, do të kryente me kompetencë auditin me njerëzit e vet. Kush e ka vjedhur Bankën e Shqipërisë në këta dhjetë vjet? Kjo është pyetja që bëjnë sot shqiptarët. Sigurisht, ata që po mbron Presidenti me aktin e tij të rëndë. Po Rama si Kryeministër çfarë duhet të bëjë? Duhet të ndryshojë urgjentisht ligjin. Bën shumë mirë që bashkëpunon më PDIU-në, por duhet që të vijojë politikën për një kushtetutë të amenduar; kurse për Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, nuk ka nevojë që të preket kushtetuta. Mund të ndyshohet ligji, në mënyrë që Presidenti, të jetë i detyruar që të sjellë në Kuvend propozimin e Kryeministrit dhe jo që të ketë të drejtë që Presidenti vetë t’ ia dërgojë ai Parlamentit duke zgjedhur një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, sikurse e kërkon ligji aktual. Presidenti nuk e ka këtë një kompetencë substanciale, por krejt formale, përderisa kandidatura duhet të shkojë në Parlament, është vullneti i Parlamentit dhe jo ai i Presidentit në emërimin në këtë post të lartë. Propozimi nuk është vullnet për emërim, por vullnet për propozim: domethënë është kompetencë krejt formale. Atëherë, këtë formalizëm mund ta ndryshojë si të dojë ligji organik i Bankës së Shqipërisë. Sot ky formalizëm është që, Presidenti zgjedh një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës dhe këtë ia dërgon Kuvendit për ta zgjedhë si Guvernator. Shumë mirë, ligji mund të ndërrohet që, Presidenti, nuk e zgjedh Guvernatorin nga Këshilli Mbikëqyrës, por nga propozimi i Kryeministrit. Kjo, nëse ligji nuk do të lihej kështu siç është, pasi të abrogohet neni që nuk e lejon një të huaj që të jetë Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Në të kundërt, ligji mund të lihet kështu siç është, por, pasi Parlamenti të emërojë vetë guvernatorin e huaj si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës së Bakës, duke i rrëzuar në Kuvend të gjitha kandidaturat e tjera të propozuara nga Presidenti, i vjen radha që të propozohet i Huaji që është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Kjo është mëse normale për një procedurë parlamentare. Është një diskreditim i madh për shqiptarët dhe për Shqipërinë, që sot, të gjithë janë lëshuar si çakej të vjedhin shqiptarët. Rama duhet të qëndrojë deri në fund, sepse pa një Guvernator profesionist nuk del dot nga kjo Krizë që ka mbërthyer Shqipërinë financiarisht. Është një zgjedhje shumë e gjetur ish- Guvernatori i Bankës Qendrore të Argjentinës, sepse ai është një nga ekonomistët më të mëdhenj të kohës; dhe duhet të kuptohemi: Guvernatori duhet të drejtojë politikën monetare, dhe duhet të na përgatisë me kompetencë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria në të ardhmen në lidhje me Euro-n. Duhet që ai, profesionalisht, të shohë më vëmendje precedentin kosovar, dhe duhet gjithashtu që në politikën monetare që do të ndjekë, ta këtë parasysh patjetër edhe tregun dhe politikën monetare në Kosovë. Kryeministri aktual duhet të dijë se, më këtë masë monetare që është në treg, me këtë nivel inflacioni dhe më këtë prurje nga remitancat dhe turizmi, por edhe nga eksporti, fitimi i Bankës së Shqipërisë mund të arrijë shuma shumë të mëdha, të cilat deri tani kanë humbur. Po kjo do të varët nga Guvernatori. Duhet politikë e ashpër dhe adekuate për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, dhe kundër hajdutëve që janë lëshuar për të vjedhë varfërinë e shqiptarëve. Por a do ta çojë dot deri në fund Kryeministri Edi Rama këtë çështje?