Sigal

Arroganca e komunikimit të z Rama është besoj edhe një ndër shkaktarët e nxitjes së një pakënaqësie popullore. Kjo arrogancë humbet edhe ato gjëra pozitive që ka bërë rilindja në këto vite. Ndaj edhe në këtë rast Rama dëshmoi se nuk del dot jashtë karakterit të tij autoritar

Protesta e studentëve ka në thelb edhe stopimin e arrogancës politike të kryeministrit

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Zamira Çavo në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se studentët kanë të drejtë të refuzojnë negociatat dhe dialogun me kryeministrin, sepse nuk kanë më besim, ngaqë nuk ndihen të barabartë në këtë negocim, prandaj ata kanë kërkesa ultimative. Prof. Çavo shpreh mendimin se ministrja Nikolla duhej të dorëhiqej. Gjithashtu, Prof. Çavo, duke shprehur mendimin se Arsimi në Shqipëri shkon drejt humnerës, thotë se kryeministri, “nesër, kur të tërhiqet, s’do ketë më atë arrogancë për të dëshmuar dështimin”.

Prof. Çavo, a mund ta quajmë dialog, fjalimin e kryeministrit Rama drejtuar studentëve nga rrjeti social?

– Shikoni, më se pari duhet të kuptojmë thelbin e arsyes. Z Rama kërkoi negociim, pra kërkoi dialog. Studentët ishin në të drejtën e tyre të refuzojnë. Dhe a e mendoni përse? Sepse ata nuk e konsiderojnë të barabartë në këtë negocim, sepse ata nuk kanë më besim, sepse ata kanë kërkesa ultimative. Ndaj Rama nuk kishte gjasë që të dialogonte në këto kushte. Nëse unë do të kisha qenë sot në vendin e tij ( larg qoftë) unë do kisha marrë një megafon dhe do dilja në shesh ku t’i njoftoja studentët se kisha plotësuar 90% të kërkesave të tyre dhe t’u thosha se 10 % tjetër do t’ua plotësoja në vitin e ardhshëm. Por z Rama nuk e bëri. Do ta bëjë më vonë, por atëherë nuk do ketë më këtë vlerë dhe as këtë mundësi për t’i bërë aleatë, siç thotë ai, studentët. Mos harrojmë se pavarësisht si u ngrit kjo protestë ajo ka në thelb edhe stopimin e arrogancës politike që na ka mbytur në këto 28 vjet. Pra dhe ndaj arrogancës së z Rama.

– Ministra e Arsimit Nikolla, nga cilët trembet, që nuk shkon aty në shesh dhe të bashkëbisedojë me studentët?

Ministrja Nikolla shkoi në shesh dhe studentët nuk e pranuan. Pra nuk qëndron si pyetje. Ajo që vlen të thuhet është pyetja: A ka bërë zonja Nikolla progres me arsimin shqiptar? Unë them jo. Vazhdoj të këmbëngul se arsimi shqiptar është në një të tatëpjetë që po e shpie buzë humnerës. Pra, nëse ka diçka nga e cila do duhej të frikësohej ministrja është paaftësia e qeverisë për të rilindur arsimin!

-A duhet të shkojë sërish te studentët?

-JO. Ministrja Nikolla do kishte bërë mirë të dorëhiqej.

– A është zgjidhja e duhur fjala e fundit që u tha kryeministri Rama studentëve: Hajdeni të dialogojmë bashkë ose rrini aty në shesh dhe protestoni?

– Arroganca e komunikimit të z Rama besoj se është një ndër shkaktarët e nxitjes së një pakënaqësie popullore. Kjo arrogancë humbet edhe ato gjëra pozitive që ka bërë rilindja në këto vite. Ndaj edhe në këtë rast Rama dëshmoi se nuk del dot jashtë karakterit të tij autoritar. Do tërhiqet me siguri nesër, por në protesta situata ndryshon me minuta dhe jo me ditë! Ndaj nesër, kur të tërhiqet, s’do ketë më atë arrogancë për të dëshmuar dështimin!

– Epiteti “Larvë” që kryeministri cilësoi publikisht ish-zëvendësministrin e vet, çfarë mesazhi përcjell?

– Fenomeni “Muka” është disi i çuditshëm, ndaj dhe nuk dua të komentoj. Por mendoj se një i ri i studiuar jashtë vendit, që na servir një kauzë, të cilën e fillon personalisht, e ndihmon qeveria për t’u bërë figurë publike, e më tej ai i rihedh dorezën e luftës edhe qeverisë. Për t’u dukur edhe më publik, ikën e vjen sërish.. boh më duket pak i dyshimtë.

– Sipas jush, sa mundet qeveria të plotësojë 8 kërkesat e studentëve?

– Kërkesat janë të gjitha të drejta. Nëse qeveria do kishte shpërdoruar më pak, me siguri që do t’i plotësonte të gjitha kërkesat. Por në mënyrë ultimative nuk besoj se i arrin.

– Prof. Çavo, publikisht janë bërë publike plagjiaturat e doktoratave të ministres Manastirliu, të kryetares së Komisionit Parlamentar të Jashtëm Kodheli, të deputetes socialiste Gjylameti. Derisa nuk ka dorëheqje, shkarkime, çfarë mesazhi u përcillet tashmë studentëve protestues?

– Kjo është arroganca e pushtetit! Këta, dhe kur them “këta” e kam fjalën për elitën politike, majtas e djathtas, i duan të gjitha: Duan paratë, duan pushtetin, duan titujt dhe gradat. Dhe kjo është një pafytyrësi e babëzisë politike! Mesazhi? Kur vjedh për tituj, mendo sa vjedh në para!

– A mund të ketë akoma qeveria legjitimitetin të qeverisë, kur sillet me kaq arrogancë ndaj protestës së studentëve, protestës të banorëve, të cilëve u prishen shtëpitë, ndaj korrupsionit kaq flagrant, kur një kompani falsifikon dokumentet dhe merr tenderë dhjetëra milionë eurosh dhe nuk ka asnjë reagim politik nga qeveria dhe as ndjekje penale nga prokuroria?

– Legjitimiteti i pushtetit varet nga vota popullore. Vetëm Revolucioni përmbys sistemin e bashkë me të dhe pushtetin. Sot nuk ka asnjë gjasë të ndodhë kështu!