Spartak NGJELA: A do të thellohet hetimi i vjedhjes së BSH-së, drejt personaliteteve që kanë lidhje me të?

434
Sigal

Shoqëria shqiptare, ose është në prag të një ndryshimi ta madh, ose në prag të një fundosjeje tërësore

Shoqëria shqiptare, ose është në prag të një ndryshimi ta madh, ose në prag të një fundosjeje tërësore. Arrestimi i Guvernatorit te Bankës së Shqipërisë ishte një akt që ka sjellë një shpresë në opinionin publik shqiptar; por, në të njëjtën kohë, ka ngjallur edhe shumë pikëpyetje. Shqiptarët nuk do të besonin kurrë se Prokuroria shqiptare do të shkëputej nga krimi shtetëror. Çështja “Fullani”, unë e kam thënë që është një aspekt i krimit të gjatë shtetëror në Shqipëri. Ai tani është akuzuar dhe arrestuar, por sërish opinioni dyshon dhe ka të drejtë. Pyetja është kjo: A do të vijojë të thellohet hetimi i kësaj çështjeje drejt kryeministrave apo personaliteteve të tjerë që kanë lidhje me këtë? Një fakt kryesor është mënyra shumë e çuditshme e denoncimit të kësaj çështjeje dhe shenjat e deritanishme janë se është trembur vjedhësi. Po të jetë kështu, atëherë atë e ka trembur vrasja e Artan Santos. Të paktën vjedhësi kështu ka thënë. Por, kush e vrau Santon? Sigurisht ata të cilëve i’ u ka shërbyer për të bërë transfertat e parave të pista (nëse e ka bërë këtë) dhe këta janë pa dyshim ose kryeministri i rënë nga vafti, Sali Berisha, ose qarqe shumë pranë tij. Kjo, sigurisht që e ka trembur Bitrajn: “Mos vallë më vrasin edhe mua si Santon, ata me të cilët kam bashkëpunuar në vjedhje?” – duket se ka thënë ai. Kurse vetë Guvernatorin, më shumë e mbrojti Sali Berisha, nën petkun e “stabilitetit financiar”. Për të qeshur, sepse arriti të mbrojë edhe djalin e Guvernatorit, me budallallëqe, të cilat ia ka shtyrë për t’ i bërë struktura e tij depresive mendore nga frika e zbulimit të kësaj çështjeje. Kurse vetë vjedhja është lënë e lirë. Kuptohet se është lënë e lirë nga të gjitha kontrollet, sepse Bitraj ishte vetëm ekzekutori. Bitraj kuptohet qartë tani se është lënë i lirë të vjedhë…domethënë, ka vjedhur edhe për të tjerë. Por, këta të tjerë, kush janë? Kjo është detyrë e hetimit, sepse deri tani, për vetë rrethanat e çështjes, Guvernatori e ka njohur hajdutin, madje ai vetë ia ka hapur rrugën. Por, a do ta hetojnë hetuesit këtë fakt të nënkuptuar? Unë mendoj se po, sepse nuk ka rrugë tjetër. Përderisa nuk e mbyllën çështjen vetëm më Bitrajn, dhe me alibinë e tij, kuptohet se hetimi ka anuar nga drejtësia dhe jo nga krimi shtetëror. Po, pse është kjo fillimi i kapjes së fillit të kuq që mund të shpërbëjë të gjithë rrjetin e krimit shtetëror? Sepse Banka e Shqipërisë është pikë kyç. Krimi shtetëror, nuk mund të bënte dot asgjë nëse në këtë vend do të kishte një Guvernator jo të inkriminuar; një ministër të Drejtësisë të painkriminuar dhe një Prokuror të Përgjithshëm të painkriminuar. Në pamje të parë dukej se krimi shtetëror e kishte zgjidhur çështjen: të tre këta i kishte të vetët, sepse i kishte emëruar ai. Por ç’ndodhi? Befas i’u ra hallka kryesore: u zbulua Guvernatori i Bankës. Por, shenjat janë se i’u ka lëvizur, edhe Prokurori i Përgjithshëm. Atëherë krimi shtetëror do të mundohet të punojë me Gjykatën. Nëse do të jetë, se Prokuroria vërtetësisht kërkon të shkëputet nga krimi shtetëror, për të anuar nga drejtësia, domethënë nga populli, atëherë Gjykata s’ ka se çfarë të bëjë. Dhe prandaj shoqëria shqiptare mund të jetë në prag të një ndryshimi të madh në funksion të moralitetit dhe drejtësisë. Por, nëse krimi shtetëror synon të kapë sërish Prokurorin, domethënë hetimin, atëherë, me anë të gjykatës, gjithçka do të shkojë në fitore të krimit shtetëror dhe shoqëria shqiptare ose do të ngrihet në revoltë tërësore për të shpërbërë rrjetin kriminal shtetëror në Shqipëri, ose do të zhytet përfundimisht për të qenë skllave e krimit shtetëror.