Sokol Hazizaj për gazetën “Telegraf”: Mazhoranca e sotme i bie më tepër një vije melodike “hip-hop” se sa një muzike ku notat shkojnë sinkron

452
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i “Telegraf”

Sokol Hazizaj, konstitucionalist, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet, se ngërçi për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është në betejë idiote, e stisur. Kushtetuta e përcakton qartë radhën e zgjedhjen së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe çdo interpretim tjetër, ku prevalon mbi afatin mbi mënyrën se si zgjidhet organi i Gjykatës Kushtetuese është qesharak. Zoti Hazizaj thotë, se Ulsi Manja si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, lapsuset e mëdha nuk i bën nga padija, por sepse kështu e urdhëron udhëheqësi i tij. Konstitucionalisti Hazizaj, shpjegon se Presidenti i Republikës nuk e ka “ngrirë” KED-in, por, ndryshe nga KED-i, është orientuar të drejtojë kandidatët e miratuar nga ai. Zoti Hazizaj e argumenton se reforma në Drejtësi ka dështuar totalisht, dhe sjell argumentin se të gjitha organet e reja të Drejtësisë, sikurse KED, KLGJ, KLP, që janë krijuar deri tani janë të konstetueshme përballë ligjit. Duke iu referuar ngërçit të 30 qershorit, që ende 2 bashki nuk kanë më kryebashkiakë, pas shkarkimit të atyre që u zgjodhën në 30 qershor si persona me rekorde kriminale, e për këtë arsye zoti Hazizaj thotë se situata është tepër qesharake.

 

-Zoti Hazizaj, ku qëndron thelbi i ngërçit President -KED – Parlament në përzgjedhje dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?

– Kjo është një betejë idiote, e stisur dhe pa sens. Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese realizohet si pasojë e urdhërimi kushtetues dhe shumë të qartë në nenin 129 të Kushtetutës, ku thuhet se: “1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit. Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar”. Nisur nga ky kuptim, çdo përpjekje për të lëvizur nga drejtëza ku tre organet prodhojë tre kandidatura, sipas radhës së sipërcituar në Kushtetutë është jo normale. KED në vështrimin administrativ ka vetëm një detyrim, i cili vjen për pasojë të vakancës/kërkesës së organit që të drejtën të zgjedh anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Mosplotësimi këtij detyrimi është jo kushtetues, fakt i cili konstatohet nga Presidenti, që nga ana e tij mundet të lëviz në zgjidhje të situatës jo normale, duke plotësuar nga vendet që i takojnë. Dhe kjo e fundit është e sforcuar, por nisur nga karakteri jo normal i kohës që enden organet kushtetuese, mund të vihet në lëvizje pasi mbarojnë afatet e organeve të tjera. Gjithsesi, kuptohet qartë se aktorët politikë edhe kësaj radhe, si gjithmonë në mënyrë qesharake vendosin organet në ngërç kushtetues dhe ligjor, deri sa të gjejnë kompromisin me njëri tjetrin në kurriz të shërbimit ndaj drejtësisë. Çdo interpretim tjetër, ku prevalon mbi afatin mbi mënyrën se si zgjidhet organi i Gjykatës Kushtetuese është qesharak.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Usi Manja deklaroi se të hënën Parlamenti do votojë kandidatin e dytë që KED i ka propozuar Presidentit, edhe pse Presidenti i ngrin KED procedurën e emërimet të anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, Ngaqë radhë e ka Parlamenti. A është Kushtetues ky votim në Parlament, derisa Presidenti nuk e dekreton?

Duket qartë se mazhoranca e sotme i bie më tepër një vije melodike “hip-hop” se sa një muzike ku notat shkojnë sinkron. Kjo nuk është e rastësishme, kur bëhet fjalë për detyrime kushtetuese dhe ligjore. Nuk mendoj se (Usi Manja) kryetari i komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë të jetë i imponuar nga padija për të bërë lapsuse kaq të mëdha, por është i detyruar politikisht t’i bjerë të njëjtave saze që i bien udhëheqësit e tij. Ndërsa nga një vështrim tjetër konstatoj se Presidenti i Republikës nuk e ka “ngrirë” KED-n, por ndryshe nga çfarë është përpjekur ky organ i fundit, pra KED-ja të bëjë, është orientuar të drejtojë kandidatët e miratuar prej saj, ndonëse e kufizuar sa i përket numrit dhe llojshmërisë së tyre.

-A është funksionale Gjykata Kushtetuese, edhe sikur të plotësojë Presidenti 3 anëtarë e Parlamenti 3 anëtarë, pa u ngritur më parë Gjykata e Lartë, e cila sipas Kushtetutës emëron e treta anëtarin e radhës të Gjykatës Kushtetues?

– Ndryshimet e fundit të ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese, përpikërisht neni 32 dhe vijues i tij saktësojnë që kolegji, mbledhja gjyqtarëve dhe seanca plenare kërkojnë minimumin e 2/3 të gjyqtarëve për të filluar aktivitetin e tyre. Në këtë kuptim, mund të themi se Gjykata Kushtetuese vihet minimalisht në funksion, ndonëse në një vështrim tjetër ngarkesa për shqyrtimin e çështjeve pranë saj ka të njëjtën ngarkesë thuajse sa Gjykata e Lartë. Duhet pranuar se Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e sistemit gjyqësor, por nga mënyra se si ngrihet dhe organizohet varet shumë prej saj. Pra si përfundim, duhet pranuar që dhe në mungesë të përfaqësimit të anëtarëve nga Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese do të funksionojë si organ “ADN-koc” nën presionin politik.

Vazhdon…