Socialistët e pakënaqur nisin lëvizjen e re politike

60
Kanë nisur tashmë zgjedhjet për drejtuesit e PS të rretheve. Por, zgjedhjet e para, po japin shenjat, se siç duket këto zgjedhje nuk do të jenë paqësore siç e kanë “traditë” socialistët, mbasi brenda kësaj familjeje politike ka hyrë “sherri e shamata” për vende pune e poste, që nuk ua janë dhënë atyre që i meritojnë, paracaktuar sipas premtimeve e përbetimeve të krerëve të PS. Sipas burimeve të “Telegraf”, socialistët e vitit 2016 në 20 qytete e rrethe të vendit, po lëshojnë sinjale konkrete shkërmoqjeje e lufte brenda llojit, sinjale që tregojnë se ata nuk janë më “grusht bashkuar” si deri në qershorin 2013, kur pas 8 vitesh opozitë iu vërsulën marrjes së pushtetit, me bindjen se çdo i zgjedhur, anëtar, militant apo “guerilas” partie do të shpërblehej me “thelë pushteti” sipas kontributeve, meritave, aftësive, financimeve dhe miqësive me krerët e “Komitetin Qendror” të PS, siç u ishte premtuar gjatë fushatës. Ndërsa udhëheqësit e PS, pas hipjes në pushtet kanë punësuar vetëm familjarët, miqtë, shokët dhe anëtarë e militantë të PD me të cilët kanë lidhje e pazare reciproke, premtimet për punësimin e socialistëve nuk janë mbajtur, duke u zvarritur me premtime të reja në këto 30 muaj pushtet. Por socialistët e përdorur, të mashtruar, të tallur e së fundi të shpërfillur, nuk i kanë “ngrënë” me premtimet e dala boje të krerëve të kupolës së PS në qendër e në rrethe dhe kanë vendosur të kundër-përgjigjen ndaj tyre, me lëvizje konkrete jo kundër PS si “ideal partie”, por kundër atyre që i mashtruan duke u shkelur e shitur idealin. Çfarë po ndodh këto ditë brenda strukturave të PS?

Në 6 rrethe të jugut, krijohet lëvizja “Socialistët e Pakënaqur e të Mashtruar” (SPM)

Ky realitet i maskuar pas lojës për “punësime me konkurs”, i ka çuar socialistët nga humbja e durimit dhe rebelimi brenda strukturave, në çarje e copëzim dhe së fundi në lëvizje të organizuar kundër kupolës socialiste në qendër e në bazë. Brenda socialistëve, mësohet se ka nisur e tashmë është bërë realitet “çarja e madhe”. Ky lajm, që ka shkuar edhe në “veshin” e kreut të PS Edi Rama, vjen nga strukturat e PS të rretheve të jugut. Sipas një informacioni dërguar gazetës “Telegraf” nga brenda strukturave të PS të Tepelenës, bëhet me dije se pas zgjedhjeve të vitit 2013, “ushtria” e PS është ndarë në disa “çeta” me “komandantë” emra kryetarësh të PS të qarqeve, rretheve, qyteteve e zonave, me emra të udhëheqësve të lartë të “byrosë politike” të PS, me emra drejtorësh rajonalë e qendror, me emra deputetësh e ministrash të PS. Kjo situatë “klanizimi” e strukturave është manifestuar edhe në takimet që drejtues, deputetë e ministra të PS kanë zhvilluar kohët e fundit në Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë, Mallakastër, Mirditë, Fier, Kukës, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Sarandë e Përmet, takime të cilat janë kthyer në “ring” akuzash mes klaneve të quajtur “privilegjuarit”, të “mashtruarit” dhe të “braktisurit” që janë krijuar brenda socialistëve, për shkak të pazareve me vendet e punës, ku 80% e socialistëve të zgjedhur, qëndrestarë e kontribues kanë mbetur rrugëve të pa punësuar nga forca e tyre politike prej 30 muajsh në pushtet! Lëvizja e parë dhe tashmë e formëzuar në trajtën e një fraksioni me pjesëmarrje e shtrirje të gjerë socialistësh e zonash, ka nisur në Tepelenë dhe po vepron aktivisht me bashkëveprim në 5 rrethe të tjera të jugut të Shqipërisë, konkretisht në Gjirokastër, Vlorë, Ballsh, Sarandë, Delvinë e Përmet. 

Strukturat e PS në këto rrethe janë inekzistente, ku çdo grup mblidhet e bën diversion kundër grupeve të tjera e anasjelltas, por që gjithsesi fuqinë e partisë e kanë ata që kanë në dorë edhe fuqinë e pushtetit me postet dhe vendet e punës që kanë zënë e po shijojnë deri edhe si familje, fis e krushqi në qark, rreth, qytet e zonë. Në kryesinë e PS, shkojnë “letra” nga baza socialiste në Tepelenë, Gjirokastër, Përmet, Vlorë, Sarandë, Delvinë e Mallakastër, sikur në këto zona bëhen mbledhje të rregullta partie, kur në fakt, PS në jug dhe në 20 qytete e rrethe, qytete e zona të tjera të vendit është tjetërsuar në “kukull” vetëm me logo, flamur, kryetar, sekretar, disa anëtarë që janë në punë shteti e një çelës qëq tundet në emër të PS. Pjesa masive e anëtarësisë së PS nuk e njeh më këtë lloj PS-je tip klani, çete, drejtorësh e familjarësh që kanë uzurpuar pushtetin dhe po e “mjelin” atë sikur ta kenë “lopën” e tyre. Kundër këtij realiteti që është servirur si “model” nga kupola e PS në qendër e që është imituar e instaluar në bazë, janë ngritur socialistët në 6 rrethet e jugut me lëvizjen e tyre “Socialistët e Pakënaqur e të Mashtruar” (SPM), lëvizje që synon kundër-veprimin për të përmbysur uzurpatorët e partisë, të pushtetit dhe xhambazët e vendeve të punës, të cilët janë deputetë, ministra, drejtorë, prefektë, kryetarë qarqesh, familjarë dhe sekserë të tyre.

Gati nisja e lëvizjes “SPM” edhe në 15 qytete e zona të tjera

Sipas burimeve, lëvizja “Socialistët e Pakënaqur e të Mashtruar” (SPM) është përhapur e është gati për veprim edhe në 15 qytete e zona të tjera të vendit. Qendra e lëvizjes e cila tashmë është zhvendosur nga Tepelena në Vlorë, ka bërë gjithë kontaktet me strukturat e PS në rrethe dhe zona të tjera të vendit deri në skajin verior, duke marrë mbështetjen e plotë prej tyre, për një lëvizje kombëtare e cila në fakt, sipas burimeve brenda kësaj lëvizjeje të madhe ka si synim kryesor “pastrimin dhe shpëtimin” e PS së marrë peng nga individë matrapazë, nga të zgjedhur dhe të emëruar me mandat moral e kohor të humbur edhe sipas statutit të partisë. Kjo lëvizje e re, ndoshta vendimtare për fatet e PS të para apo pas kongresit që flitet se më në fund do të mblidhet, nuk ka qenë dhe nuk është e vështirë për t’u përkrahur e nisur, mbasi afro 80% e socialistëve janë të pakënaqur nga drejtuesit e tyre aktualë në qendër e në zona për shumë arsye. , një prej ët cilave është mashtrimi për punësimin dhe shumë premtime të tjera të trumbetuara me bujë në qershorin 2013, por të pa mbajtura. 

Ata që e kanë përkrahur të parët lëvizjen e socialistëve të jugut “Socialistët e Pakënaqur e të Mashtruar” (SPM), kanë qenë socialistët e Shkodrës, brenda të cilëve janë manifestuar publikisht reagime të shpeshta me akuza konkrete kundër krerëve të “byrosë politike” të PS në qendër. Madje socialistët shkodranë, kanë avancuar lëvizjen me kërkesën për zhvillimin e një kongresi të socialistëve të ndershëm, përpara kongresit të socialistëve të molepsur që po e mbajnë peng partinë për “qoka” që bien ndesh edhe me interesat kombëtare. Pas tyre, lëviza ka gjetur mbështetje të plotë edhe Peqin, Burrel, Ersekë e Pukë, ku socialistët kanë kërkuar të dalin me një thirrje publike, ku të kërkojnë shkarkimin e “tutorëve zonalë” të PS të maskuar pas termit “të deleguar”, por të caktuar me klientelizëm nga kupola qendrore e partisë, mbasi sipas tyre, këta “tutorë” janë manekinë dhe shërbëtorë të kupolës së partisë, që nuk po i reformojnë por po i shkatërrojnë strukturat e partisë, duke arritur deri edhe në shpërfillje të vendimeve e mendimeve të bazës, edhe kundër statutit me emërime kryetarësh me urdhër e emra të paracaktuar individësh sipas preferencave të tyre. Të ashpër në kërkesat e tyre për avancimin dhe forcimin e lëvizjes janë treguar socialistët e Fierit, Korçës, Lezhës, Elbasanit, Beratit, Gramshit, Pogradecit, Cërrikut, Peqinit, Burrelit, Bulqizës e Dibrës të cilët deklaruan se prej 2 vitesh në pushtet, nuk i përfill asnjë në kupolën e PS në Fier e në Tiranë, sidomos deputetët e zonave të cilët shesin e blejnë vendet e punës me pazare milionash.

Kush është shkaku i krijimit të lëvizjes “SPM”?

Po cili është shkaku i nisjes dhe formëzimit të kësaj lëvizjeje masive me shtrirje kombëtare brenda familjes socialiste, kundër kupolës qendrore të partisë dhe klaneve në qarqe, rrethe, qytete e zona, të cilët prej 30 muajsh kanë uzurpuar dhe po përdorin si “biznes privat” PS dhe pushtetin e PS, duke emëruar në krye të partisë e të funksioneve shtetërore, jo vetëm banditë të penalizuar me krime, të importuar nga emigracioni, por edhe kundërshtarë të egër të partisë, të cilët kanë dhunuar fizikisht jo vetëm socialistë të thjeshtë, por edhe drejtues të lartë të saj me “kërcënime për vrasje”! Të pakënaqur prej qëndrimeve dhe veprimeve kupolës së PS, janë socialistët e mashtruar për vende pune. Të pakënaqur janë profesionistët, të cilët nuk po punësohen paçka se nëpër zyra e shërbime publike janë punësuar individë jo profesionistë e madje jo socialistë, në përqindjen më të madhe edhe me diploma false. Të pakënaqur janë pensionistët, të cilëve nuk iu mbajt premtimi për rritjen e pensioneve dhe kushtet për çlodhje me mjedise normale. Të pakënaqur janë studentët, të cilëve pushteti i PS u rriti tarifat e studimit.

 Të pakënaqur janë mësuesit, mjekët, infermierët etj., të cilëve pushteti i PS u mohoi pagën e 13 të fund-vitit dhe shpërblimin e Vitit të Ri. Të pa kënaqur janë veteranët e luftës, të cilët u mashtruan në kërkesat e tyre për ringritjen dhe meremetimin e busteve, lapidarëve, varrezave të dëshmorëve e pllakave përkujtimore të luftës Nacional-Çlirimtare. Ta pa kënaqur janë ushtarakët, të cilët u mashtruan se do t’u ktheheshin shtëpitë e oficerëve, por që na fakt po u hiqen të gjitha. dhe ish-ushtarakët për mashtrimin për statusin dhe pensionet. Të pa kënaqur janë policët dhe ish-policët, të cilët u mashtruan për pagesat e orëve shtesë, rritjen e pagave dhe trajtimet suplementare. Të pa kënaqur janë invalidët, jetimët dhe të moshuarit e braktisur, të cilët u mashtruan për rritjen e pagesave, të trajtimit me strehim e me trajtesa të tjera sociale. Të pa kënaqur janë qytetarët, të cilëve iu shtuan taksat, iu rrit bileta e transportit urban, iu rritën çmimet e energjisë elektrike, ilaçeve, karburantit, shërbimit shëndetësor e deri tek librat shkollor të fëmijëve. Të pa kënaqur, të mashtruar ndihen socialistët për vende pune. Ka shumë pakënaqësi të cilat kanë “ndezur” inatin dhe rebelimin e socialistëve të ngritur së fundi në lëvizjen “Socialistët e Pakënaqur e të Mashtruar” (SPM), për t’i kujtuar kupolës së PS, se është futur dhe po ecën në rrugën që nuk ka lidhje me moralin, idealin dhe programin qeverisës socialist. 
——————————-
Ja 20 zonat ku ka nisur e po përkrahet lëvizja “SPM” 
1. Vlorë
2. Peqin
3. Sarandë
4. Burrel
5. Ersekë
6. Delvinë
7. Pukë
8. Fier
9. Korçë
10. Bulqizë
11. Elbasan
12. Tiranë
13. Gramsh
14. Lezhë
15. Pogradec
16. Berat
17. Krujë
18. Ballsh
19. Lushnjë
20. Shkodër