Agim Nesho: Gropa e aferave

344
Sigal

Nënkryetari i Partisë së Lirisë Agim Nesho në një analizë të gjatë të tij, thotë se shteti është i kapur në Shqipëri, drejtësia jo funksionale dhe e kapur, e si pasojë nuk ndodh asgjë sa i përket skandaleve të mëdha, që rëndojnë në supet e mazhorancës qeverisëse.”Ka rreth tre vjet që deputetja Kryemadhi me grupin e Partisë së Lirisë po mbron interesin publik duke paraqitur, shpjeguar dhe faktuar aferën më korruptive të këtij regjimi në historinë e shtetit shqiptar, ku abuzohet hapur me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Jashtë kontratave dhe me arrogancën e një regjimi, që është përlyer nga koka deri në këmbë, kjo aferë korruptive do të kishte rrëzuar çdo qeveri në botë po të kishim sistem demokratik dhe populli të ishte i përgjegjshëm për të mos toleruar këtë abuzim. Por shteti është i kapur në Shqipëri. Drejtësia jo funksionale dhe e kapur, dhe populli dëshpërimisht i mbetur në varfërinë dhe mungesën e plotë të shpresës për të ardhmen e tij. Ekzekutuesit e aferës korruptive jo vetëm nuk bëjnë transparencë dhe japin llogari, por tallen edhe me popullin se fajet janë individuale dhe ata firmosin pa patur vëmendjen, ‘fët e fët’ sikur janë arkëtarë të një parkingu makinash. Afera e inceneratorëve dhe shpërdorimi i miliona eurove duhet të kishte tronditur shtetin në Shqipëri dhe përfituesit duhet të ishin përpara drejtësisë dhe paratë t’i ktheheshin popullit. Por ne shqiptarët duket se jemi mpirë nga skandalet që ndodhin çdo ditë në Shqipëri që nga inceneratorët, afera e Portit të Durrësit, aferat e PPP-ve, Rozeta e famshme, udhëtimet luksoze të kryeministrit të vendit më të varfër të Europës me aeroplan privat, etj. Forma e egër e ushtrimit të pushtetit dhe arroganca e shtetit duket se na ka lënë në mëshirë të Zotit për të na shpëtuar nga kjo murtajë që na ka zënë.

Ditët e fundit ka plasur në Washington DC dhe New York një skandal i jashtëzakonshëm ndërkombëtar, ku oligarkët e Putinit dhe kryeministri i Shqipërisë janë pjesë e një skeme korruptive duke kapur dhe kompromentuar individë të lartë të FBI-së për t’ju shërbyer interesave personale dhe pushtetit të tyre. Rama nuk është një çështje thjesht etike dhe transparencë e zyrtarit amerikan, por një skandal, që prek sigurinë kombëtare të SHBA-së. Përpara drejtësisë amerikane sot janë shtruar disa pyetje:

-Cilat asete të FBI-së janë kompromentuar në këto marrëdhënie korruptive, që agjenti i FBI-së ka krijuar me elementet e huaj që ka bashkëpunuar?

-Sa thellë ky zyrtar i FBI-së ka tronditur besimin në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit Amerikan duke manipuluar faktet, përdorur dhe ngritur çështje penale kundër individëve amerikanë për interes të porositësve të tij kontraktualë?

Dalja e kryeministrit Rama 14 herë në akuzën e prokurorit federal të Washingtonit është një rast i pa precedent për një kryeministër të një vendi anëtar të NATO-s. Përgjegjësia e Ramës në aferën e Ëashingtonit është tepër e madhe dhe kundër interesave të Shqipërisë:

-Së pari, zoti Rama ka thyer sistemin e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke korruptuar një zyrtar të lartë të SHBA-së dhe përdorur atë për interesat e tij të ngushta”,- shprehet ndër të tjera nënkryetari i PL-së Agim Nesho.