Klajda Gjosha: Zgjedhjet u manipuluan, demokracia u shkatërrua

178
Sigal

 

/Gazeta TELEGRAF

Klajda Gjosha, ish- ministre e Integrimit dhe kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se askush, as ndërkombëtarët që shpejtuan të njohin rezultatin zgjedhor të 25 prillit, madje ende pa u certifikuar nga KQZ, nuk mund të fshehë dot sot shitblerjen e votës, përdorimin e administratës dhe fondeve publike, vendosjen në vijë të parë të policisë së shtetit për të intimiduar dhe kërcënuar LSI. 25 Prilli ka qenë masakra më e madhe elektorale e parë ndonjëherë në Shqipëri, që solli shkatërrimin e çdo qelize të demokracisë!

 Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

–  Zonja Gjosha, nëse ju kujtohet, pas zgjedhjeve parlamentare më 2009, Edi Rama si kryetari i Opozitës, nuk i njohu rezultatet  Zgjedhore dhe futi deputetët e PS-së në grevë urie. Për zgjedhjet e 25 prillit, edhe raportet e OSBE/ODIHR, edhe të vëzhguesve vendas, bëjnë fjalë për shitblerje masive të votës, manipulime, etj. Parë në këndvështrimin e grevës së urisë të PS-së më 2009, si është 25 prilli i 2021?

– 25 Prilli ka qenë masakra më e madhe elektorale e parë ndonjëherë në Shqipëri, që solli shkatërrimin e çdo qelize të demokracisë! Nëse 2009 solli thjesht një grevë të PS-së, 2021 po sjell një shpopullim në masë të qytetarëve, që nuk mund të përulen para një politike dhe një shteti që ka harruar  të qeverisë dhe të drejtojë vendin. 25 prilli i  2021-it është viti më i errët i Shqipërisë në këtë tranzicion të lodhshëm 30- vjeçar!

“Gjatë numërimit, siç vërtetojnë edhe pamjet filmike, një pjesë e madhe të fletëve që i përkisnin LSI-së, shënoheshin për t’i bërë të pavlefshme. Kjo është kriminale dhe tjetërson vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë”

– Mbi 83 mijë vota të pavlefshme,  a dyshoni se shumë prej tyre janë vlerësuar “të pavlefshme” qëllimisht  nga  numëruesit?

– Një pjesë e madhe e votave të pavlefshme vjen nga mungesa e informimit të qytetarëve për mënyrën se si do të votohej. Miratimi me dashje i fletës së votimit vetëm 3 javë para zgjedhjeve dhe komplikimi i fletës së votimit me numra, solli një përqindje alarmante të fletëve të pavlefshme.

E dyta, gjatë numërimit, siç vërtetojnë edhe pamjet filmike, një pjesë e madhe të fletëve që i përkisnin LSI-së, shënoheshin, për t’i bërë të pavlefshme. Kjo është kriminale dhe tjetërson vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë.

– Pa hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, a duhet që opozita të njohë rezultatin zgjedhor?

– Është e rëndësishme të hapen disa kuti të cilat flasin qartë në rezultat për një manipulim zgjedhor. Qarku i Beratit, Durrësit, Lezhës, etj., janë të dukshme në përdorimin e mekanizmave të moslejimit të marrjes së mandatit nga LSI.

“Është e rëndësishme të hapen disa kuti, të cilat flasin qartë në rezultat për një manipulim zgjedhor. Qarku i Beratit, Durrësit, Lezhës, etj., janë të dukshme në përdorimin e mekanizmave të moslejimit të marrjes së mandatit nga LSI”

– Pse ndërkombëtarët e njohën rezultatin Zgjedhor,  edhe pse denoncimet për shitblerje të votës, manipulim  të saj janë kaq të shumta, madje të pasqyruara edhe në raportet paraprake të OSBE/ODIHR, KRIIK, etj.,?

– Nuk mund të fshehësh dot sot shitblerjen e votës, përdorimin e administratës dhe fondeve publike, vendosjen në vijë të parë të policisë së shtetit për të intimiduar dhe kërcënuar  LSI. Ajo që është më e rënda, është përdorimi i të dhënave personale  të marra nga E- Albania, që sot përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

– Faleminderit!