Situata e zjarreve, Vasili për Ramën: Shqipëria digjet, kryeministri krihet

Zjarret janë kthyer në një çështje problematike në vend dhe forca të shumta të policisë, zjarrfikëse, ushtria janë angazhuar në operacione për shuarjen e tyre. Për kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili situata është e jashtëzakonshme. Ai i kërkon llogari kryeministrit të vendit Edi Rama, përse nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe përse nuk mbledh shtabin qeveritar për emergjencën. “Situatë e jashtëzakonshme, Shqipëria në flakë. Zjarre të frikshme që po asgjësojnë pasuri natyrore dhe prona të qytetarëve. Aleanca e kryeministrit me qytetarët thjesht një demagogji mizore, hipokrite, frikacake. 

1. Ku është qeveria? 
2. Pse nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme? 
3. Ku është shtabi qeveritar i emergjencës? 
4. Ku është shteti që, në këto ditë të rënda, duhej të ishte i gjithi në këmbë? 

Apo le të digjet vendi dhe pastaj vjen kryeministri për ngushëllim dhe qan me kujë? Shqipëria digjet, kryeministri krihet. "Deri kur kështu ma?", thoshte Migjeni i madh”, shkruan Vasili.