Silva Caka: Ministria e Shëndetësisë, bashkëpunëtore apo ideatore e vjedhjes skandaloze që iu bëhet shqiptarëve në QSUT?

373
Sigal

Nga Silva Caka:

Ministria e Shëndetësisë, bashkëpunëtore apo ideatore e vjedhjes skandaloze që iu bëhet shqiptarëve në QSUT?

Në traun e QSUT-së, në hyrjen nga Pediatria, sot na “mirëpriti” një vajzë, e cila na njoftoi se kane ndryshuar tarifat e hyrjes, qëndrimit dhe parkimit në ambientet e brendshme spitalore. Ose e thënë ndryshe, janë rritur!!!

Më parë, çdo hyrje-dalje në ambientet e brendshme, paguhej 100 Lek. Po aq paguhej edhe nëse e lije makinën të parkuar gjithë ditën aty (24 ore), deri sa të zgjidhje hallin që të çoi në QSUT. Humbja e biletës kushtonte 300 Lek.

Ndërsa tani, me tarifat e reja, 3 orë parkim kushton 100 Lek, çdo orë shtesë, përtej kësaj fashe orare kushton 100 Lek/ora dhe humbja e biletës kushton 500 Lek.

Kurrë nuk e kam kuptuar arsyen e kësaj pagese, aq më tepër që pothuajse asnjëherë, qytetarët nuk gjejnë parkim të lirë brenda QSUT-së.

Ajo që e bën edhe më qesharake situatën, është fakti që edhe pse qytetarët paguajnë tarifën në hyrje, vende parkimi nuk gjen dhe sikur të bëjë vaki të parkosh dysh (nga urgjenca e të sëmurit që ke me vete), gjendet edhe një palopolic, që të gjobit sa i ha krahu!

Kjo është një vjedhje masive, që iu bëhet shqiptarëve nga një koncesionar, i cili i ndryshon çmimet sipas qejfit.

Kufirin tek thana, koncesionarit ia vendos Ministria e Shëndetësisë, por përderisa koncesionari bën “si n’tok’ t’vet”, atëherë Ministria nuk ngelet të jetë gjë tjetër veçse bashkëpunëtore (ose ideatore) në këtë vjedhje masive.