Shteti në gjunjë para krimit, qytetarët kërcënohen edhe në mjediset e policisë

591
Sigal

Intervista e oficerit të policisë Emiljano Nuhu dëshmon edhe një herë që shteti është në gjunjë para krimit, ndërsa qytetarët kërcënohen edhe në mjediset e policisë. Deputetë të mazhorancës, bëhen mburojë e fshehjes së veprimeve dhe akteve kriminale, duke “prangosur” edhe policinë, që të mos ushtrojë forcën e ligjit ndaj kriminelëve. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, edhe pse ka dijeni për shumë shkelje flagrante të ligjit nga drejtues të strukturave të Policisë së Shtetit hesht, deri në momentin që publikohen faktet, ndërsa vepron vetëm atëherë, kur nuk mundet më të mbulojë dot skandalet. Vetëm dje SHÇBA nisi hetimet ndaj 4 komisariateve, pse nuk kanë vepruar sipas ligjit për rastin e akuzave që ka ngritur ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu dhe Xhisela Malokut. Burime pranë SHÇBA thanë për gazetën “Telegraf: se po verifikohen gjithë procedurat e ndjekura nga policia në lidhje me denoncimet e bëra për përndjekje nga 25-vjeçarja Xhisela Maloku, po ashtu edhe denoncimet për kërcënime nga ish-oficeri i policisë. SHÇBA ka zbarkuar në Komisariatet nr. 3 dhe 6 në Tiranë, si dhe stacionin e Fushë Krujës, duke sekuestruar librat e shërbimit. Pyetja ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardian Veli është: Pse SHÇBA veproi vetëm dje? A ishte që më parë në dijeni? Dhe a do ta zbardhë me transparencë ngjarjen?

Akuzat e ish-oficerit ndaj deputetëve Balla dhe Rraja

Intervista që gazetari Basir Çollaku kishte realizuar me Emiljano Nuhu shkaktoi një valë reagimesh, ku socialistët në rresht nxituan që të përgënjeshtronin ngjarjen. Oficeri denonconte me emra deputetin Rrahja, djalin e tij dhe të vëllanë, se brenda në zyrën e tij e kishin kërcënuar vetë atë nën tytën e armës. Emiljano Nuhu fill pas ngjarjes u transferua për në komisariatin e Beratit, dhe tashmë me frikën që dikush mund të hakmerret ndaj tij ai është larguar jashtë vendit së bashku me familjen e tij. “Gjatë kohës që kanë qenë në hotel ky shtetas ka mbushur pistoletën dhe ia ka vënë në pjesë të ndryshme të trupit shtetases Xhensila Maloku duke thënë që do të vras tani, në qoftë se ti nuk bën marrëdhënie seksuale me mua. Nga dhuna që i është ushtruar kësaj shtetase i ka rënë të fikët dhe akti seksual nuk është kryer”, – deklaronte dje në intervistë Nuhu. “Ka shkuar te Komisariati numër 6. Në momentin që ka bërë këtë kallëzim, oficerët e policisë gjyqësore së bashku me shefin e krimeve kanë marrë informacione që për kë shtetas bëhet fjalë, që bëhesh fjalë, për djalin e deputetit të Krujës dhe e kanë lënë në pritje Xhensila Malokun, nuk i kanë marrë kallëzimin, kanë njoftuar deputetin së bashku me djalin e tij Rexhep Rrahja. Ai ka ardhur me njerëzit, e disa njerëz të tjerë. Këto shpjegime janë shpjegime që i ka dhënë e dëmtuara gjatë deklarimit, gjatë hetimit. Dhe kanë shkuar ku kanë takuar punonjësit oficerët e policisë gjyqësore që kanë qenë të komisariati numër 6 dhe e kanë nxjerrë shtetasen Xhensila Maloku dhe e kanë kërcënuar në ambientet e jashtme, duke i thënë, që do të vrasim, në qoftë se ti jep kallëzim”, – shprehet më tej Nuhu.

Dëshmia e Xhisela Malokut: Shefi madh i policisë më tha “ai që të do, të rreh”

Xhisela Maloka, vajza e cila kallëzuar në Polici, djalin e deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja ka treguar arsyet, pse ajo e ka tërhequr herën e parë kallëzimin ndaj Rexhepit. Në dëshminë vajza nga Nikla sqaron, se herën e parë ka tërhequr padinë për shkak se është kërcënuar me vrasje. Para oficerit, Emiljano Nuhu ajo ka thënë se nuk e ka babain dhe se jeton vetëm me nënën dhe motrën. “Unë e tërhoqa, sepse shtetasi Rexhep Rraja më kërcënoi se do më vriste, ata janë fis kriminelësh rrinë gjithmonë me pistoletë, unë nuk e kam babain, më është vrarë në vitin 1997, jetoj me mamin dhe motrën”, ka thënë Xhisela. Më tej ajo ka treguar se si shefi i Policisë së Krujës e ka tallur, duke thënë se “ai që të do të rreh”.

Kërcënohet gazetari Basir Çollaku dhe televizioni (Telefonata në redaksi): Do ju vrasim, do ju fshijmë

Menjëherë pas publikimit të intervistës së nënkomisarit Emiljano Nuhu, ku tregonte përpjekjet e deputetëve të PS-së për të fshehur përdhunimin e një vajze nga djali i Rrahman Rrahjas, në drejtim të gazetarit Basir Çollaku dhe redaksisë së Shijak TV ka pasur një telefonatë kërcënuese. Një telefonatë vjen në numrin fiks të redaksisë dhe thotë: do t’ju vrasim, do t’ju fshijmë. Mesazhi ishte i qartë: Intervista që ishte transmetuar shkelte në kallo dikë, i cili nuk trembej as të bënte këtë kërcënim të hapur. Ka qenë vetë gazetari Çollaku ai që ka bërë të ditur kërcënimin, ku i bën thirrje prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet.

Deputeti Balla kallëzon penalisht Bashën, nënkomisar Nuhun dhe gazetarin Çollaku

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla, ka kallëzuar penalisht kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Ai ka kallëzuar edhe nënkomisarin e policisë, Emiljano Nuhu dhe gazetarin Basir Çollaku. Akuzat vijnë pas publikimit të video-dëshmisë të nënkomisarit Emiljano Nuhu, dhënë për gazetarin Basir Çollaku. Në padinë e tij, Balla kërkon hetimin e Lulzim Bashës për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kallëzimit të rremë për një krim të pakryer si dhe për fyerje. Padia e deputetit socialist shkon edhe për ish-oficerin Emiljano Nuhu për të njëjtat akuza ndërsa për kallëzim të rremë Balla akuzon edhe gazetarin Basir Çollaku. Më vonë deputeti Balla tha se do të padisë edhe deputetin Paloka për shpifje.

Paloka: Balla disa kohë më parë ka qenë i akuzuar vetë për përdhunim

Shpifësira e “Rilindjes”, zëvendësi i denjë dhe quasisozia i Edvin Ramës, paska shkruar se do më hedhë në gjyq për shpifje duke më quajtur dhe “shpifës profesionist”. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Edvini kur e akuzova për lidhjet e tij me krimin përpara se të përgjysmonte grupin parlamentar për shkak të ligjit për dekriminalizimin. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Tahiri kur e akuzova për lidhjet me krimin, kryesisht me Habilajt, përpara se prokuroria të kërkonte arrestimin e tij. Tani radha e Taos. Po Tao Palla është më i shpifuri ndër ta… Sot akuzohet se ka mbrojtur përdhunuesin e një jetimeje, por disa kohë më parë ka qenë i akuzuar vetë për përdhunim (është fatkeqësi shumëfishe kur qenie të mbytura në komplekset e inferioritetit si pasojë e të shkuarës deficitare bëhen papritur të pushtetshëm). Po në gjyq do i japim mundësi publikut ta njohë dhe më mirë zëvendësin e Ramës. Unë ndryshe nga Berisha, do të t’i jap me detaje të gjitha, nga burime origjinale (besoj e di që i kam ca të njohur në Laç…). E jo vetëm aq… E kam thënë dhe më parë që të merresh me Tao Pallën është si të shkelësh me vetëdije mbi bajgë, po me që më ka ftuar…