Shpërthen në Partinë Socialiste, grupet e hapura dhe të nëndheshme kundër Edi Ramës

619
Pas një heshtje relativisht të gjatë Partia Socialiste ka qenë dje kryelajm për një sërë zhvillimesh brenda saj. Mbledhja e grupit parlementar ku nuk kanë qenë të pranishëm si kryetari i partisë ashtu edhe superdeputeti i Jugut Kokëdhima është përshkruar nga debate të ashpra, nga kontestuesi i përhershëm Ben Blushi, por edhe nga deputetët Arta Dade dhe Fatmir Toçi. Ndërkaq një tjetër zhvillim ishte grumbullimi i socialistëve të pakënaqur nën drejtimin e opozitarit të përhershëm socialist Shkëlqim Meta që janë grumbulluar para selisë dhe kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës. Kryetari i grupit parlmentar Gramoz Ruci dhe një nga figurat më kryesore të kësaj partie për 25 vjet, megjithëse është munduar të ruajë gjakrat, vetë ai ka qenë i pakënaqur me kabinetin qeveritar dhe me forcimin jashtëstatuor të dyshes Rama- Kokëdhima. Lufta mes ekipit Rama-Kokëdhima dhe njësive politike të të brendshme të PS-së të dirigjuara nga politikanë karriere si Gramoz Ruçi, që ka marrë goditje së fundmi, po shkon drejt finalizimit. Është një luftë që konfirmon krisjen brenda PS-së, krahas krisjes brenda koalicionit. Në këto kushte një lëvizje që do të krijonte klimë më pozitive do të ishin ndryshimet në qeveri.
Sigal

Proteston Shkelqim Meta: Rama s’ka mandat, të largohet

Disa anëtarë të Partisë Socialiste, kanë kërkuar dje përpara selisë rozë largimin e kryeministrit Edi Rama, nga drejtimi i partisë. Mësohet se anëtarët e mbledhur para PS-së, kërkojnë largimin e Ramës pasi sipas tyre, ai po shkel statutin e PS-së duke qëndruar në krye të partisë ndonëse prej 3 vitesh i ka mbaruar mandati. Mes socialisëve protestues ishte edhe Shkëlqim Meta, i cili ka qenë edhe ish-kandidatë për kryetar të PS-së. Sipas tij kjo protestë vjen pas shkeljes së statutit të PS-së, nga kryetari aktual Edi Rama të cilit i ka mbaruar mandati prej 3 vitesh. “Protestojmë sot për të bërë publike prezantimin e shumë problematikave të PS, por veçanërisht, çështja e zgjedhjes së kryetarit aktual. I ka mbaruar mandati në 2013 dhe ai vazhdon të drejtojë këtë forcë politike pa zgjedhje duke u përpjekur të bëjë modifikime në statut”, u shpreh Meta. Po ashtu ai tha se duke filluar nga sot, është krijuar lëvizja ”Çohuni Socialistë”, e cila ka si synim zbatimin me insistim të statutit të PS-së. Sipas Shkëlqim Metës, në të gjithë degët e PS në Shqipëri, do të vijojë nisma për mbledhjen e firmave për një mocion mosbesimi ndaj kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama.

Berisha: Meta i çan partinë Edi Ramës, organizon protestë para selisë së PS!

Një grup i madh socialistësh, me teser të PS në dorë, në një rast të paprecedentë, organizuan një protestë para selisë së kësaj partie me kërkesën për largimin e Edi Ramës, i cili sipas tyre po shkatërron PS, e ka kthyer atë në një çiflig të tij, po bën batërdinë me vjedhjet në tendera së bashku me ministrat e tij dhe prej tre vitesh ka shtyrë dhe nuk zhvillon zgjedhjet në PS. Grupi i protestuesve, që kërkon të hyjë në selinë e PS por nuk lejohet nga policia, nuk ka lidhje me LMN apo Syrizën e Blushit. Ai udhëhiqet nga socialisti ekstremist dhe ish kandidati për kryetar i PS z. Shkëlqim Meta. Pavarësisht nga mbiemri i tij Meta, Shkëlqimi nuk është vëllai i Ilir Metës. Kështu që hyrjedaljet e tij të shpeshta në selinë e parlamentit nuk dihet nëse kane lidhje me zyrën e kryetarit të Kuvendit, pra me takime me Ilir Metën apo me ndonjë eksponent të lartë të PS. Rama, i tronditur nga protesta socialiste para selisë së PS, bllokoi menjëherë transmetimin e saj nga mediat. Por pavarësisht se kush fshihet prapa tij, në të vërtetë Meta po i çan Ramës partinë!

Tension dhe kritika në mbledhjen e grupit parlamentar të PS

Deputeti socialist i Vlorës, Fatmir Toçi, ka sulmuar ashpër në mbledhjen e djeshme të grupit socialist, deputetin tjetër të zonës, Koço Kokëdhima. Burime për mediat thanë se ai e ka akuzuar “komisarin e Jugut” se po i zgjedh të gjithë drejtuesit lokalë të PS privatisht pa përfillur strukturat dhe pjesën tjetër të deputetëve socialistë. Sipas Toçit, jo vetëm drejtuesit e PS në rreth, por edhe në emërime dhe biznese është shtrirë ndikimi privat i superdeputetit Kokëdhima. “Eshtë bërë më keq se Ali Pashë Tepelena, tha Fatmir Toçi. Por ndërsa Aliu e pushtoi Jugun, Koços po ja falin. Nuk e di se kush, por po ja falin”, mësohet të ketë thënë Fatmir Toçi. Koço Kokëdhima, ashtu si dhe kryeministri Rama nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e grupit socialist

Edi Rama vendos që Kongresi të zhvillohet në 19 mars 2016

Pak orë pasi Ben Blushi kritikoi procesin e organizimit në Partinë Socialiste, Edi Rama mori vendim që Kongresi të zhvillohet në datën 19 mars 2015. Pas një mbledhjeje në selinë e PS, Taulant Balla bëri publike datën e Kongresit. Sipas tij, Kongresi u shty për shkak se procesi i anëtarësimit ende nuk kishte përfunduar. Balla tha se vendimi i fundit i Asamblesë Kombëtare nuk është shkelur, pasi procesi i anëtarësimeve ende nuk kishte përfunduar.

Raporti i KE: Qeveria dështoi më mbledhjen e të ardhurave buxhetore

Komisioni Europian vërejti se Shqipëria ka punuar keq në drejtim të grumbullimit te të ardhurave buxhetore. Në raportin tremujor për zhvillimet ekonomike në vendet kandidate, Komisioni Europian konstaton se nga janari deri në nëntor, të ardhurat buxhetore vijuan keq duke u reduktuar shumë poshtë objektivit. Raporti vëren se mungesa u shkaktua kryesisht nga të ardhurat më të ulëta se sa priteshin nga TVSH-ja (3.8% nën plan) dhe akcizës (10.2% më pak). Megjithatë, shkalla në të cilën nuk janë realizuar shpenzimet ka qenë edhe më e madhe më me 7.9%. “Mungesa e shpenzimeve është me bazë të gjerë, duke ndikuar shpenzimet operative, shpenzimet për sigurimet shoqërore dhe shpenzimet e qeverisë lokale, por kontributi më i madh erdhi nga mosrealizimi i shpenzimeve kapitale (18.2% më poshtë objektivit), duke treguar për problemet e vazhdueshme në lidhje me menaxhimin e investimeve publike”, thuhet në raport. Në përgjithësi, deficiti buxhetor në njëmbëdhjetë muajt e parë ishte 40% më e ulët se sa ishte planifikuar dhe arriti në 1.7% të PBB-së. Megjithatë, borxhi publik ka vazhduar të rritet. Pas një rritje 10.5% në terma vjetorë, borxhi publik (duke përfshirë garancitë) qëndroi në 73.6% të PBB-së në tremujorin e tretë. Parlamenti miratoi buxhetin e 2016 në 17 dhjetor. Ai është e bazuar në supozimin se GDP nominale do të rritet me 6.2% dhe synon një deficit titull prej 2.2% të PBB-së, si dhe një suficit primar prej 0.6%, kryesisht nga kontrolli i rreptë i shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave nëpërmjet administrimit më të mirë. Rregullimet e taksave do të luajë vetëm një rol të vogël.

Marko Bello: Beteja e humbur e PS me koncesionet

Sa kohë ishte në opozitë Partia Socialiste deklaronte se do të rishikonte, madje do t’i anullonte marrëveshjet koncesionare që qeveria e Sali Berishës kishte lidhur me disa kompani private, të dyshuara si mbështetëse apo kliente të saj. Mirëpo, kur erdhi në pushtet, koalicioni PS-LSI konstatoi se ndërprerja e njëanshme e këtyre koncesioneve nuk ishte aq e lehtë dhe se nga gjykatat e arbitrazhit mund të vinin vendime me kosto të lartë financiare. Megjithatë, eksponentë të PS në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë në më shumë se një rast i kanë kërkuar drejtuesve të Ministrisë së Financave rishikimin e të paktën e tri koncesioneve: atë të pullave të akcizës, koncesionin e skanimit të automjeteve në dogana dhe dhënien me koncesion të ngjyrosjes së karburantit, të cilat sjellin një dëm ekonomik prej 15 milionë Euro secili në vit. Kërkesa për prishjen e koncesioneve ka patur edhe nga Shoqata e Hidrokarbureve, e cila i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për të prishur vendimet e qeverisë me dy kompani austriake për markimin e karburanteve. Sipas shoqatës, këto koncesione dëmtojnë rëndë interesin publik, pasi ato janë në fakt taksa të reja në dëm të konsumatorit shqiptar. Kur po mbushen 3 vjet qëkurse PS dhe aleatët e saj qeverisin vendin, numuri i koncesioneve po rritet frikshëm, aq sa me të drejtë qytetarët pyesin nëse do të jepet edhe qeveria me koncesion. Më shumë sesa paaftësi e atyre që qeverisin, duket se koncesionet janë kthyer në një parajsë financiare për një grushti klientësh të qeverisë, të cilët grabisin me leje pasuritë e shqiptarëve.