Shpërthen ish-kreu i PD-së Sali Berisha

509
“Listën e Bashës nuk do ta bëja kurrë, ka këshilltarë mizerabël”
Shpërthimi i Sali Berishës kundër kreut aktual të PD-së. Shmangia e forumeve, kritikat për deputetët, largimi i Topallit, marrëveshja me Ramën dhe sfidat e demokratëve 
Si e ka ndjerë veten Sali Berisha kur e ka parë veten në listën e kandidatëve për deputetë, të shpallur nga Basha?
“Absolutisht, unë e kam theksuar që atëherë që unë do të kisha bërë një listë krejtësisht tjetër. I kam konsideruar dhe i konsideroj të pamotivuara largimet e disa eksponentëve të rëndësishëm të PD-së nga lista. Kam theksuar që atëherë se kjo është listë e kryetarit, për herë të parë në historinë e Partisë Demokratike. Listat janë të partisë, kjo realisht ka qenë listë e kryetarit se nuk kaloi në forumet e partisë. Dhe nëse kjo listë fiton unë kam deklaruar se do ta duartrokasim në mënyrë të zjarrtë. Tani, çdo njeri tjetër në Shqipëri, përveç Çim Pekës mund të thotë se ‘ti nuk ke besuar se do të fitojë’. Njeriu që nuk mund ta thotë këtë është Çim Peka, po të ketë parasysh një bisedë që bëmë me hapjen e fushatës në Fier, e cila me aq sa unë di të vlerësoj fushatat, ishte një hapje e shkëlqyer dhe në vlerësimin tim, nëse fushata do të ruante atë trend Lulzim Basha do të arrinte të kapërcente problemet e krijuara dhe do të elektrizonte elektoratin shqiptar. Nuk jam paragjykues. E kam thënë atëherë që nëse fiton do ta përshëndesim në mënyrë të zjarrtë. Po humbi, ka përgjegjësinë më të madhe personale. Sigurisht e kam theksuar se jo e tërë përgjegjësia ishte vetëm e tij. Nuk do shërbente nëse do thuhej kjo. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, por më kryesorja është e kryetarit. Thoni se kam shkruar se Sali Berisha duhej largohej..! Jo. Pse? Sepse nuk kam qenë unë në listat e atyre që u larguan, kanë qenë ata në listën time. Kështu që unë pozicionin tim, e kisha ridimensionuar me kohë. Ata për mua kanë qenë bashkëpunëtorë të çmuar dhe unë jam vlerësues dhe falënderues për të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur dhe mbetem në marrëdhënie miqësore me ta pa asnjë diskutim. Pastaj kur vjen problemi se unë të lista e atyre apo ata te unë është çështje tjetër”. 

Si ndihet Sali Berisha sot?
“Edhe një herë e theksoj se kjo është listë e kryetarit të PD-së. As nuk do të më shkonte ndërmend që unë të bëja një listë si kjo. Por duhet të dimë një gjë, se çdo njeri bën listën që mendon. Problemi thelbësor i kësaj liste është që kjo nuk kaloi në forumet e partisë, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë më kurrë dhe s’duhet të ndodhë. Çfarë ndodh sot? Ka një armiqësi shumë të egër dhe që uroj të zbutet, për faktin se kryetari e mori përsipër të gjithë përgjegjësinë. Ata nuk i hoqi partia dhe forumet e partisë, se ata ndoshta mund dhe të hiqeshin nga forumet e partisë, nuk e dimë këtë, por ata i hoqi personalisht kryetari. Në këtë rast cili është apeli im për ta? Apeli im është, dakord, ky është një gabim për mua i papranueshëm që ju jeni hequr nga listat pa forumet. Megjithatë, me të gjithë investimin tuaj në PD, kolosal që keni, mendoj se në qëndrimet politike mendoj se duhet t’ju udhëheqin interesat e PD-së. Sikundër kryetari mendoj se duhet të ketë një sens përgjegjësie, vetëdije se këta njerëz u hoqën direkt prej tij, jo nga forumet. Pra këta kanë një kazus ndaj tij dhe duhet të gjejë mënyrën për ti zbutur, për të arritur drejt një situate tjetër. PD në historinë e saj këtë ka. Ka histori ndarjesh, bashkimesh, tolerancash të gjitha këto së bashku”.

A ka biseduar me ju para se të bënte publike listat, a ka dhënë ndonjë shenjë Lulzim Basha se këto figura kryesore nuk do të jenë më në listën e tij?
“Jo nuk më ka dhënë një shenjë të tillë. Unë me Lulzim Bashën nuk kam biseduar për listën dhe nuk kam ndjerë absolutisht keqardhjen më të vogël për këtë. Pse? Nuk kam dashur të bisedoj. Unë i mbahem strikt asaj, më pyeti i jap mendimin siç e kam vetë. S’më pyeti, unë nuk flas”.
Një pikëpyetje e madhe është takimi i gjatë i Lulzim Bashës me Edi Ramën, mbi 3 orë. Deri në këtë moment është një takim jo transparent. A ju ka thënë Lulzim Basha, a është konsultuar me ju, para apo pas takimit se çfarë ka biseduar. Ju a jeni në dijeni se cila është marrëveshja afatgjatë, sepse Rama flet për marrëveshje afatgjatë? Deri ditën e zgjedhjeve keni thënë që është një marrëveshje win-win. 
“Po e kam thënë dhe e saktësoj se çfarë ishte. E kam thënë me bindje të thellë. Së pari, a më ka thënë Lulzim Basha që do të bëj takimin? Absolutisht jo, por jam i bindur në mënyrë të prerë se ai nuk ka shkuar atje i paralajmëruar se do të bëjë takimin sepse Edi Rama nga Elbasani tha se nuk po marr pjesë. Nuk di të kenë komunikuar, nuk kam pasur dijeni. Pas takimit më ka thënë dhe për hapin e tij për të pranuar çfarë ishte kërkuar dhe pak më shumë madje. Në rrafshin politik ajo ishte në vlerësimin tim një fitore e shkëlqyer. Nëse në atë kohë nuk e kam shprehur me termat e forta për arsye elektorale, unë tani e them: Ajo ishte një fitore e shkëlqyer e Lulzim Bashës. Sepse të arrije, t’ia rrëzoje gjysmën e qeverisë kryeministrit, tejkaloje çdo lloj parashikimi dhe ishte një fitore në rrafshin ndërkombëtar sepse e gjithë bota e mori vesh që ajo çadër pati kazus të drejtë dhe se ngadhënjeu kauza e çadrës. Kjo ishte. Nga ana tjetër e kam thënë dhe e them, Edi Rama shpëtoi lëkurën e vet dhe aty bëri mirë. Pavarësisht se ai për mua është ashtu siç është, përsëri ai aty tregoi një kuant politikani dhe shpëtoi lëkurën e tij. Ky ishte vlerësimi. Marrëveshja, ky sukses i madh u kthye në të kundërt nga Edi Rama, ky ishte problemi. Ai mori të gjitha avantazhet e marrëveshjes. Ai paraqiti atë si një sukses të vetin, e paraqiti atë si një mëshirë për një djalë të mirë si Lulzim Basha dhe marrëveshjes nuk iu bë avokatia në mënyrën e duhur nga Lulzim Basha”. 

Nga aftësia e Edi Ramës, apo paaftësia e Lulzim Bashës?
“Kaq mund të them, që Edi Rama me një diabolizëm të pafund, përvetësoi marrëveshjen dhe Lulzim Basha nuk e bëri dot avokatinë e saj”.
A ndihet Sali Berisha i vrarë politikisht nga pasardhësi i tij? 
“Absolutisht jo. Zero. Në mënyrë absolute sepse Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen nga lider i kësaj partie. Që në momentin që unë, të mendoj që s’mendoj kurrë, unë shkel mbi veten time, gjë që unë nuk e bëj kurrë”. 

Gjatë këtyre muajve a jeni penduar që keni dhënë dorëheqjen në 2013 dhe ka shumë zëra dhe akuza brenda PD-së që keni mbështetur Bashën në 2013?
“Dy momente. Nuk jam penduar qoftë edhe për një të qindin e milisekondës, nuk pendohem. Gjatë jetës më ka takuar të marr vendime të rëndësishme, por unë kurrë nuk kam marrë vendime pa i marrë mirë dhe qartë. Kurrë nuk jam penduar për vendimet e mia. Për asnjë nga vendimet e mia të mëdha nuk jam penduar. E dyta për garën. Është e rëndomtë kjo që njerëzit besojnë gënjeshtrat e veta. Cila është e vërteta.. Në mënyrë absolute, as Lulzim Basha dhe as i ndjeri Sokol Olldashi nuk janë thirrur nga Sali Berisha për të kandiduar. Jo. Që të dy kanë ardhur vetë tek Sali Berisha. U kam thënë të njëjtën fjali që të dyve: Ky është vendim i juaji, unë nuk kam asgjë kundër. Ua kam bërë të qartë që asnjëri prej tyre të mos thotë se jam kandidat i Sali Berishës. Ishin kandiduar siç duhet. Djem të zotë që të dy. Fushata ishte e para e kësaj natyre”. 

A është e vërtetë që Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi ju kanë ardhur në zyrë dhe ju kanë propozuar se fituesi do të ishte kryetari dhe humbësi nënkryetari?
“Absolutisht kurrë nuk kanë ardhur. Po të kishin ardhur nuk do e pranoja, sepse ajo nuk do të ishte garë. Do ishte fiktivitet, ajo nuk do ishte garë në konceptim tim. Sokol Olldashi ka qenë një nga njerëzit më të zgjuar në drejtimin e PD. I ndjeri bëri një gabim të madh që më çuditi. Unë kam strukturat tha, ky (Basha) tha unë kam anëtarësinë. Mirëpo i ndjeri Sokol nuk e realizoi që strukturat drejtuese të partisë nuk ishin më ato që i donte anëtarësia, sepse në humbje anëtarë dhe militantët e thjeshtë të parin që akuzojnë janë drejtuesit lokal dhe me radhë. Ky ishte faktori përcaktues i asaj gare. Edhe unë u çudita, pse e bëri këtë zgjidhje, e bëri vetë. Ai i njihte strukturat në mënyrë të shkëlqyer, Sokoli, por nuk ishin ato që të bënin kryetar. Ato ishin ato të cilat anëtarësia i akuzonte si përgjegjëse për humbjen. Aq më tepër kur unë dhashë dorëheqjen. Në kushtet e dorëheqjes time, anëtari më i thjeshtë thoshte kur ky (Berisha) dha dorëheqjen, ky duhet të ikë një minutë e më parë”.

Gjatë kësaj kohe që kishim një garë brenda PD-së, a keni qenë i gatshëm që ta mbështesni Jozefina Topallin nëse hynte në garë përballë Lulzim Bashës?
“Asnjë njeri nuk mbështesja dhe asnjë njeriu nuk do t’i përzihesha në garë. Më ka ardhur Eduard Selami e i kam thënë se unë nuk mbështes njeri. E kam pritur Astrit Patozin, i kam pritur me radhë. Nuk mund të përzihem unë. Përzierja ime në PD ka marrë fund në çështjen e garave në PD”. 

Mospërzierjen tënde në çështjet e PD-së, të paktën sërish, analistë të kryetarit aktual, po e lexojnë si shantazh që dyshja Rama-Basha i kanë bërë Sali Berishës. A ndiheni i shantazhuar nga takimi 3-orësh që kanë bërë?
“Absolutisht zero (qesh), të asnjë lloj”. 

Të nesërmen e marrëveshjes në zyrën tuaj ka ardhur për një kafe, ish-kryetari i LSI-së, presidenti aktual Ilir Meta. Çfarë ka biseduar me ju atë ditë, Ilir Meta?
“Një kafe kortezie dhe asgjë tjetër. Sepse personalisht unë e kam mirëpritur marrëveshjen dhe takimin Basha-Rama. Unë kam prerë çdo lloj përpjekje të Ramës që të komunikonte me Sali Berishën. Kam prerë me thikë çdo lloj përpjekje të tij dhe kam qenë kategorik. Ata janë takuar. Nuk është përgjegjësia ime që ata mendojnë gabim. Është çështje e tyre. Nuk ka diskutuar asgjë madhore politike përveç se një kafe kortezie me Ilir Metën. Ai ndoshta e mendoi se kjo marrëveshje kishte qëllime kundra tij, dhe nuk përjashtohet se ajo pati perkursione të tilla gjatë fushatës, çfarë pagoi një çmim shumë të shtrenjtë PD-ja. Sepse gjatë fushatës Rama arriti të krijojë përshtypjen se do të kishim një koalicion PD-PS. Vetvetiu doli atë javë që Ilir Meta do të ishte opozita e vetme, çka e ndihmoi LSI-në, e bëri me fletë. Nëse marrëveshjen Rama e nisi për të dëmtuar Ilir Metën, mund të thuash që Ilir Meta nuk humbi nga marrëveshja. Ajo javë propagande elektorale, e rrebesheve ndaj LSI-së u tha shqiptarëve se, shikoni ai është një opozitar i vërtetë”.

Që nga momenti i artikulimit i nevojës për Reformën në Drejtësi, Ilir Meta ka pasur një bindje për një marrëveshje mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, kundër Ilir Metës dhe Sali Berishës. A jeni ndjerë i trysnuar nga një marrëveshje të heshtur mes Bashës dhe Ramës?
“Asnjëherë. Nuk trysnohem. Nuk jam ndjerë dhe nuk trysnohem. Nëse ka njeri që e ka faktuar me mijëra herë që unë nuk trysnohem, nuk jam njëri që impresionohem”. 

Por kjo nuk e ndalon kundërshtarin të përpiqet?
“Unë nuk mund të them që Lulzim Basha është përpjekur. Se përpiqet Edi Rama ajo është punë tjetër. Absolutisht në asnjë rast nuk kam konstatuar se Lulzim Basha është në ujdi me të”. 

A keni dyshuar ndonjëherë në besnikërinë e Lulzim Bashës apo mirënjohjen e tij ndaj Sali Berishës.
“Asgjë nuk bazoj unë në qëndrimin ndaj meje në rrafshin sentimental. Unë çdo gjë e gjykoj dhe nuk kam pasur asnjë rast të dyshoj, apo të mosdyshoj. Unë jam njëri i dorëhequr. Në këtë pozicion, në një farë mënyre i gjithë preokupimi im është të jem rigoroz në statusin e të dorëhequrit sepse kjo më takon”. 

Mediat para dy ditësh kanë raportuar për disa debate në mbledhjen e grupit të PD-së. A ka qenë korrekt raportimi i medias?
“Pak a shumë korrekt, përveç interpretimeve absurde. Ai ishte një diskutim në mbledhje të grupit, nga më të rëndomtit. Ishte bërë një deklaratë, dy deklarata më saktë. Një deputet tha që “unë kam bindje”, dhe unë ja besoj plotësisht. A mund t’i thuash gjë tjetrit kur thotë se unë kam bindje? Si thua dot. Unë kam bindje tha se kanë ngatërruar numrat. Dhe unë i besoj plotësisht se ai ka bindjen. Ky variant krijonte një problem. Sepse e zhvendoste çështjen nga ata që tradhtuan tek Ulsi Manja dhe komisioni. Por ne nuk mund ta zhvendosim fokusin nga ata që na tradhtuan”.

Replikën e kishit ndaj Salianjit apo ndaj Lulzim Bashës?
“Grida Duma është zëdhënëse e grupit. Këtu ndalemi. Zëdhënësja e grupit nuk mund të bëjë asnjë deklaratë pa miratimin e grupit. Ky është standardi! Ky ishte qëllimi im. Nuk e kanë kuptuar fare. Standardi është ky, zëdhënësja e grupit është zëdhënëse e mbledhjeve të grupit. Full, Stop. Zëdhënësja e grupit po foli, duhet të thotë se unë po flas si deputete, se si deputete mund të flasë, nuk ka censurë. Ama duhet të përcaktojmë rregullin. Aty unë jam deputet, jam anëtar i atij grupi. Zëdhënësja është zëdhënëse e grupit vetëm për deklarata që miratohen në mbledhje të grupit. Kjo u korrigjua dhe kaq”. 

A besoni se Basha mund t’i kthehet rrugës së opozitës pa kompromis ndaj kundërshtarit? 
“Fillimin e pati shumë të mirë, i shkëlqyer. Vështirësitë e listës ishin të padiskutueshme. Po t’i kthehemi IPR-së , i cili për ne tragjikisht, por për të vërtetën u faktua milimetrik, ajo javë në vazhdim PD u ngjit me 5 pikë, nga 32 në 37.6%. Çfarë do të thoshte kjo? Kjo do të thoshte se PD-ja, po të ecte në këtë mënyrë do të tërhiqte si magnet të pavendosurit. Me Edi Ramën kishte 7 pikë diferencë, por ritmi i rritjes 5 pikë në javë PD-në e nxirrte pa diskutim parti të parë. Çfarë ndodhi? Për mua ndodhi fataliteti. Edi Rama me mjeshtri diabolike filloi, përvetësoi marrëveshjen dhe hapi në të katër anët e Shqipërisë me çdo gjë edhe me militantë të thjeshtë se “ne do të bëjmë koalicion”. Këtu kryetari i PD-së u tregua i vonuar. Nuk e kuptoi që kjo ishte një puthje fatale për ne. Çfarë ndodhi në pollin tjetër. Jo vetëm rënia me 6%, por diçka shumë më e rëndë. U rritën nga 26.7 në 34.6 ata që nuk do të votonin. Pra blloku kryesisht militant i PD-së na u largua nga fushata. Ju po bëni koalicion, ne nuk kemi më punë me ju. Militantët janë aq sa janë jetik për fitoren aq janë dhe të hiperndjeshëm dhe pastaj, kur menduan se kjo mund të ndodhte, thanë ne s’kemi punë me këtë fushatë sepse ne mbajtëm çadrën 90 ditë, etj., ndërsa ata po bëjnë koalicionin. Ata nuk janë dakord me koalicionin. Kështu që u rrit në mënyrë paradoksale bojkoti i zgjedhjeve. Të ngrohje këta 10 % duhej t’i hyje detit në këmbë. Mund të bëhej, por ishte shumë vështirë. Lulzim Basha kishte këshilltarë mizerabël elektoralë, mizerabël”.

Nuk është këshilluar me ju?
“Në betejë, çdo kryetar partie ka këshilltarët e testimeve që janë kryesorët. Ata punojnë me fokus grupet. Ata testojnë çdo ditë mesazhin që ti jep. Ata ishin fiasko. Faktikisht ngjiste mesazhi i Edi Ramës. E gjithë beteja bëhet për të pavendosurit, që ishin 24% në fillim. Pra ata të cilët e këshilluan Bashën, ata ishin fiasko. Studimi që i bënë ata fokus grupeve ishte fiasko, kjo është e vërteta. Lulzim Basha programin e kishte të shkëlqyer, por votat nuk janë për programin. Një pjesë e tyre janë për programin e përqindja tjetër nuk janë. Përqindja tjetër shkoi për timonin”.

Vërtetë mendoni se PD-ja me Lulzim Bashën kryetar mund të vijë në pushtet? 
“Unë nuk paragjykoj asnjë njeri. PD-ja ka pësuar një humbje të hidhur shumë. Unë besoj se Lulzim Basha ka të gjitha mundësitë të studiojë për të fituar, të studiojë gjithçka. Solli këtë humbje dhe të adaptojë një model që të çon drejt fitores. A e përjashtoj unë këtë, jo, nuk e përjashtoj. Sepse mundësia e ndryshimit është e çdo drejtuesi dhe se ndryshimi gjithmonë ka dhënë. A do t’i realizojë këto Lulzim Basha është në dorën e tij”.

Intervistoi Çlirim Peka, marrë nga emisioni “FAKT”
Sigal