Shkarkimi i Adrian Fullanit trondit të Majtën, deputetët ‘borxhlinj’ kundër vendimit politik

450
Sigal

Paradoks mungesa e Kryeministrit Rama dje në Kuvend. Kush përflitet të jenë deputetët pro Fullanit dhe pse votuan mosshkarkimin e  tij

Teksa votimi i fshehtë për shkarkimin e Guvernatorit Fullani dje nga Kuvendi tregoi se, të paktën 5-6 deputetë të Majtë dolën nga ‘rreshti’, votuan kundër vendimit politik dhe të grupeve parlamentare, mësohet se, në kampin e forcës qeverisëse ka pasur tronditje.  Deputetët e pabindur që ndonëse zyrtarisht mbeten anonimë, në selitë e së Majtës përfliten shumë emra mes të cilëve dyshohet se janë ‘rebelët’ që i lanë borxhin apo detyrimin ish-kryebankierit Fullani, duke mos votuar shkarkimin e tij. Këtë e konfirmuan për gazetën “Telegraf” burimet pranë selisë së PS-së dhe LSI-së, që nuk duan të identifikohen. “Ndonëse pati përkujdesje për zbatimin e rregullit të paravendosur si grup parlamentar që në çdo votim në Kuvend të votohet në bllok, dje, përflitej që para se të fillonte mbledhje se do të kishte rrjedhje votash në favor të Fullanit. Përfliteshin emra personalitetesh të njohura e me eksperiencë në të Majtën, por që nuk janë afruar në qeverisje nga Kryeministri Rama, si dhe të të tjerëve që kanë manifestuar ‘nën zë’ pakënaqësi ndaj vetë kreut të qeverisë. Dyshohej dhe për persona që njiheshin si miq të Fullanit, me lidhje interesash apo dhe që kanë përfituar vetë direkt (punësime të familjarëve e të afërmve) apo indirekt nga Fullani. Dhe në fakt kështu ndodhi. Përveç votës së deputetit të PDIU-së që si të themi ‘u lexua’, pati dhe nga ne 5 apo 6 që votuan kundër shkarkimit të Fullanit. Edhe pse të gjithë pas daljes nga votimi tregonin nervozizëm apo pakënaqësi deri në revolt nga çarja e votimit, gjithkush rrekej të tregonte se nuk e kishte ‘mizën nën kësulë’. Kjo situatë është dhe në udhëheqjen e partisë. Ndërsa mungesa e vetë Kryeministrit Rama në Parlament, edhe pse askush nuk ka kurajë t’ia thotë, më tepër se sa një ngarkesë pune, u pa si nënvleftësim e për të mos thënë mungesë e qëllimshme dhe mbrojtje indirekte e Fullanit”,- shton burimi i mësipërm për “Telegraf’. Sipas informacioneve të rezervuara e jo zyrtare, e njëjta situatë është dhe në forcën tjetër bashkëqeverisëse, LSI-në.

Po cilët janë 10-15 deputetët e përfolur si ‘pro Fullanit’, ndonëse ndonjëri dhe mund të mos ishte dje në Kuvend. “Po ja, dyshohet që nga Gramoz Ruçi, Arta Dade, Taulant Balla, Vladimir Kosta, Edi Rama, Blendi Klosi, Xhemal Qefalia, Damian Gjiknuri, Fidel Ylli, Luiza Xhuvani, Koço Kokëdhima, Ilir Meta, Pirro Kapurani, Vangjel Tavo, Spartak Braho”,- shtojnë burimet jo zyrtare. Po pse dyshohet se disa deputete votuan kundër? “Kanë lidhje biznesi apo interesa të tjera me e nga Fullani, kanë pasur e kanë njerëz të punësuar pranë BSH, kanë përfituar privilegje nga bashkëshortja e tij gjyqtare, janë shokë të përbashkët kafenesh e lokaleve luksoze, kanë përfituar vetë apo të afërmit ndihmesa në marrje kredie, apo kanë dhe detyrime të tjera”,-shtojnë burimet e mësipërme. Pa marrë përsipër të veçohet ndonjë emër nga këta apo të tjerë, një gjë tregoi votimi i djeshëm në Parlament: që deputetë të forcave qeverisëse, ndonëse Fullanit iu grabit thesari që duhet të ruante, ai ka bërë ndere, ka miq e shokë që dhe pse të akuzuar, e duan aty ku është! Dhe kjo tregon se përtej premtimeve, përtej luftës kundër korrupsionit, qëndrojnë interesa të mëdha që rëndojnë taksapaguesit e interesit e vendit!