Shembulli/Ksera i dorëzon detyrën Erjon Veliaj

450
Sigal

Në këtë moment të dorëzimit të posteve nga ministrat në ikje dhe marrje në dorëzim nga ministrat e rinj, ish- ministri Ksera i dorëzon në një ceremoni zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Erjon Veliaj.  Ministrit të ri të Mirëqenies dhe Rinisë, Erjon Veliaj, i është dorëzuar sot zyrtarisht detyra nga paraardhësi i tij Spiro Ksera, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Ministrisë së Punës. Ky rast është i pari dhe i vetmi, pasi ish-ministrat e tjerë të qeverisë në ikje, nuk pranuan që ta dorëzonin detyrën ministrave të rinj, në prezencën e tyre.  Ish-ministri Ksera renditi disa nga arritjet e kësaj ministrie gjatë viteve që është drejtuar prej tij, ndërsa u shpreh i gatshëm të japë kontributin e tij në rast se ministri i ri do të ketë nevojë.“I uroj zotit Erjon Veliaj punë të mbarë, suksese, të jetë i palodhur dhe në shërbim të qytetarëve shqiptare, sidomos të atyre që jetojnë në varfëri ekstreme, që kanë probleme të familjes, të dhunës. Do jem i gatshëm për të dhënë kontributin tim”,- deklaroi Ksera.  Ministri i Mirëqenies dhe Rinisë Erjon Veliaj falënderoi Spiro Kserën që shërbeu si ministër i Punës dhe Shanseve të Barabarta. Veliaj theksoi se, Ministria që ai do të drejtojë do të pësojë ndryshime të mëdha. “Të falënderoj për shërbimin dhe gjithçka keni bërë në këtë ministri. Po futemi në një fazë të re, do mirëpresim gjithë ekipin rinor nga MTKRS, dhe ekipin nga ministria e Arsimit, dhe sesi do të transformohet ISSH, por do të kemi kohë që të dëshmojmë në vijim se çfarë ndryshime do bëjmë në këtë dikaster”. Më tej Veliaj kërkoi që ky lloj dorëzimi i detyrës së ministrit të bëhet shembull dhe të ndiqet nga të gjithë.