SEECP, diskutime për sigurinë kufijtë dhe luftën kundër terrorizmit

407
Në kuadër të Kryesisë Shqiptare të Asamblesë Parlamentare të SEECP (Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore),u zhvillua sot në Tiranë takimi i dytë i grupit të Punës.
Në takimin e sotëm morën pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të kësaj Asambleje si: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Kosova.
Gjatë takimit u diskutuan rezoluta e raporte nga tre komisione të përgjithshme të Asamblesë që kanë në fokus sigurinë, mbrojtjen e kufijve, luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen e fëmijëve si dhe projektet e përbashkëta rajonale në fushën e energjisë dhe infrastukturës.
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në cilësinë e kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të SEECP-së (Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore), u shpreh se, ky është takimi i fundit i këtij grupi pune gjatë kryesimit të SEECP-së nga Shqipëria.
Balla shprehu bindje se në fund të këtij takimi grupi i punës do të bjerë dakord për propozimet, në mënyrë që të mund të paraqiten këto dy dokumenta për ratifikimin gjatë sesionit plenar të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, që do të mbahet në Tiranë në datat 22-23 maj 2015.
“Mendoj se ne të gjithë kemi vullnetin e duhur për ta realizuar këtë dhe ne e dimë që kur ka vullnet, ka gjithmonë një mënyrë për t’a arritur”, tha Balla. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ushtron mandatin si kryesues i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, gjatë një periudhe vendimtare për organizatën.
Marrë nga ATSH 
Sigal