Sali Berisha jep dorëheqjen mes lotëve nga të gjitha funksionet: E pranoj rezultatin e zgjedhjeve!

1355
Sigal

Protagonisti i ngjarjeve politike të çmontimit të sistemit komunist dhe themeluesi i PD-së largohet nga drejtimi partiak dhe shtetëror

Mbrëmë në orën 20:00, lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar dorëheqjen nga të gjitha postet shtetërore dhe partiake, duke i dhënë fund pjesëmarrjes së tij 23- vjeçare, në lidershipin më të lartë të Partisë Demokratike. Dorëheqja e zotit Berisha u shoqërua dje, me dëshpërim dhe lot, nga mbështetësit blu, ndërkohë që, vetë kryeministri shqiptar u përlot disa herë. Duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, kryedemokrati, Sali Berisha deklaroi se, përgjegjësia e kësaj humbjeje është vetëm personale, kundrejt tij. Pavarësisht nga lotët, e natyrshme në kësi rastesh duhet thënë se, një akt më fisnik se ky, mjedisi politik i Shqipërisë as që mund të priste. Sepse kjo dorëheqje e Berishës u bë në bazë të statutit të PD-së dhe mbi të gjitha, dorëheqja erdhi pas zgjedhjeve më të përkryera në historikun e pluralizmit shqiptar.

Rruga e Berishës në pluralizëm

Berisha nuk ishte thjesht dëshmitar i pluralizmit shqiptar, por ai ishte promotor i tij. Në vitin 1990 kardiologu i njohur shqiptar Sali Berisha u investua në mbështetje të lëvizjes studentore dhe demokratike të vendit tonë, duke u bërë shumë shpejt lideri kryesor i kësaj lëvizjeje. Kështu duke udhëhequr Partinë Demokratike, ai arriti të fitojë më diferencë të madhe zgjedhjet e 22 majit të vitit 1992, ku pas këtyre zgjedhjeve u bë President i Shqipërisë. Për katër vjet me radhë, lideri demokrat, inicioni një sërë reformash të rëndësishme për evropianizimin e proceseve demokratike në Shqipëri, duke qenë gjithmonë në krye të tyre. Gjatë mandatit të parë presidencial, Berisha orientoi një sërë ndryshimesh rrënjësore, duke u paraqitur në zgjedhjet vitit 1996, me një bilanc të pasur reformash. Gjithashtu, në zgjedhjet e vitit 1996 PD-ja, fitoi zgjedhjet parlamentare duke marrë shumicën, ndërsa 1 vit më vonë, Berisha u rizgjodh si president i vendit. Por gjatë kësaj periudhe shoqëria shqiptare përjetoi traumën e firmave piramidale dhe për këtë arsye, qeveria demokratike u dorëhoq, ndërsa vendi shkoi në zgjedhje të reja, pasi u përfshi në një katrahurë tragjike. Pas këtyre zgjedhjeve që u fituan nga Partia Socialiste, Sali Berisha dha dorëheqjen si President, dhe vendin e tij e zuri Rexhep Mejdani. Ndërkohë, duke pranuar humbjen e PD-së, në një palë zgjedhje që ishin plot me defekte, Berisha e tërhoqi ekipin  e tij në opozitë, duke punuar për tetë vjet rresht, për rimarrjen e pushtetit. Dhe më në fund frytet e drejtimit të tij, u realizuan në vitin 2005, kur PD-ja fitoi pushtetin. Pas fitores Berisha u zgjodh Kryeministër i vendit, post të cilin e mbajti edhe gjatë mandatit të dytë të qeverisjes blu. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria u integrua në NATO, fitoi të drejtën e hapjes së negociatave me BE, ndërtoi shumë projekte të mëdha, rrugë, si edhe një sërë reformash të konsiderueshme në fusha të ndryshme të zhvillimit.

Deklarata e djeshme

Para disa vitesh Berisha ka thënë këtë shprehje: “Ajo rrugë që të ngjit për lart, ajo të zbret edhe poshtë”. Me sa duket, këto zgjedhje shënuan momentin e pakëndshëm për Berishën, që PD-ja të ndalet përkohësisht në kontributin për qeverisjen, duke kaluar në opozitë, në bazë të verdiktit të shumicës. Në daljen e tij të parë publike, pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, Kryedemokrati dhe Kryeministri Sali Berisha pranoi humbjen e PD-së në zgjedhje parlamentare dhe deklaroi dorëheqjen nga drejtimi i partisë, të cilën ai vetë e themeloi. Fjalimi i djeshëm i Berishës u prit me lot në sy nga simpatizantë që dëgjonin me altoparlant jashtë selisë së PD, fjalimin e kryetarit që drejtoi partinë prej dy dekadash. Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Berisha ka mbajtur një fjalim në letër si rrallë ndonjëherë. Duke shpjeguar se, populli nuk e votoi që të udhëhiqte dhe 4 vite të tjera, kryeministri deklaroi se, njeh verdiktin e popullit në zgjedhjet parlamentare të 2013-s. “Në karrierën time politike më shumë se dy dekada, unë në çdo pozicion që kam patur kam ndjerë veten si shërbëtor i juaji dhe i vendit tim. Dhe e kam konsideruar këtë privilegjin më të madh. Kam bërë gjithçka të përmbush me përkushtim detyrimet, duke qenë i vendosur, se do të largohesha nga postet e mia, nëse arsyet shëndetësore nuk do më lejonin, kjo nuk ndodhi, energjitë e mia janë po ata që kam patur. Veç kësaj unë gjithnjë kam qenë i vendosur, i bindur, t’i bindem verdiktit të sovranit, i cili foli qartë në këto zgjedhje. Unë besoj se ata nuk gabojnë. Unë u përkas atyre politikanëve që sovrani zgjedh dhe vendos”, deklaroi me vendosmëri Berisha. Sipas Kryeministrit, fitorja nuk trokiti në PD, sepse qytetarët votuan programin kundërshtar, një program që sipas tij, nuk mund të realizohet dot. “Qytetarët tanë votuan me shumicë projektin e kundërshtarit tonë për premtime që ne nuk mund t’i bënim si shëndetësia falas dhe heqja e taksave, se në filozofinë tonë bien ndesh me lirinë ekonomike barazisë”. Në këtë pikë, Berisha i uroi kundërshtarit politik, punë të mbarë. “Duke njohur rezultatin i uroj atij punë të mbarë!”.

  Në këtë dalje publike, Berisha ka falënderuar bashkëpunëtorët e tij që e shoqëruan përgjatë 22 viteve teksa shprehu mirënjohjen e pakufishme për miqtë ndërkombëtarë. Kreu i qeverisë theksoi se, pavarësisht kërkesës së qindra simpatizantëve ai nuk mund të tërhiqej nga vendimi i marrë. Kryeministri paralajmëroi se do të qëndrojë në krye të qeverisë në përputhje me Kushtetutën e vendit deri në muajin shtator, teksa nënvizoi se në bazë të statusit të partisë, do e udhëheqë atë deri në zgjedhjen e liderit të ri të demokratëve. “Do e mbyll mirënjohje të përhershme për Lilin dhe familjen time. Në përputhje me Kushtetutën e vendit që në muajin shtator do të vijoj të punoj me përkushtim të madh, dhe do të qëndroj në përputhje me statusin e PD deri në zgjedhjen e lidershipit të ri dhe do e mbështesim drejt fitores së betejës që na pret. Zoti e bekoftë PD dhe shqiptarët kudo që janë!”, përfundoi fjalën e tij Berisha. Ky fjalim i Berishës u shoqërua vazhdimisht me brohoritje edh me mbështetje të militantëve të Djathtë që thoshin midis të tjerave: “O Sali o hero gjithë Shqipëria, ty të do”.