Ruçi shtron iftar: Mirëkuptimi, model i shoqërisë sonë

115

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shtron Iftar: Mirëkuptimi fetar, arkitektura model e shoqërisë shqiptare

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shtroi mbrëmë iftar me rastin e muajit të Ramazanit. Në fjalën e vet, kryeparlamentari Ruçi, ndër të tjera, theksoi se “Gjatë këtij muaji të bekuar myslimanët shqiptarë, si një miliard e gjysmë myslimanë të globit, gëzohen, kremtojnë e bëjnë sakrificë. Por gëzimit të tyre u bashkohen edhe shumë shqiptarë, të besimeve të tjera. Është momenti ideal në historinë dhe në jetën tonë që provon sesi liria prodhon dashuri, solidaritet, përdëllim e përkushtim për tjetrin, fqinjin, të ndryshmin, të pafuqishmin, nevojtarin. Muaji i Ramazanit është një mundësi që tregon se ne, njerëzit, jo vetëm bëjmë sakrifica me vetëdisiplinë e durim, por edhe tejkalojmë kufizimet tona, paragjykimet, armiqësitë, paditurinë dhe padrejtësinë. I kapërcejmë këto kufizime jo vetëm me fjalë, por me veprime që tregojnë shpirtin tonë të madh, zemrën tonë të gjerë, mendjen tonë të ndriçuar dhe vlerat tona të spikatura.