Ilir Allkja: Nga muaji shkurt deri në nëntor kam konfirmuar vdekje të dyshimta për Covid-19. Qeveria shantazhon mjekët

443
Sigal

Ilir Allkja, mjek i Urgjencës Kombëtare

Denoncimi i Bashës për vdekje të dyfishta, nuk ka të bëjë aspak me mjekët, as me punën e sakrificat e tyre, por me institucionet e qeverisë. M’u desh ta desh ta dëgjoja 2 herë rresht deklaratën e Bashës dhe në asnjë çast nuk kuptova të atakoheshin mjekët

Nga muaji shkurt e deri në nëntor kam konfirmuar vdekje të dyshimta për COVID-19

Gazeta Telegraf

Ilir Allkja, mjek i Urgjencës Kombëtare në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon që në fillim se dyshon në numrin e të vdekurve që raportojnë institucionet shtetërore, pasi, që nga muaji shkurt e deri në nëntor ka konfirmuar vdekje të dyshimta. Si mjek, zoti Allkja thotë se deklarata e kryetarit të Opozitës nuk preku dinjitetin e mjekëve, por atakoi, denoncoi institucionet shtetërore, që manipulojnë dhe fshehin të vërtetën çfarë ndodh në spitalet e Covid-19. Mjeku Allkja pohoin se ne kemi spitale të rrënuara, të keqadministruara, abuzuara e madje të vjedhura nëpërmjet koncensioneve tejet të përfolura si kriminale dhe më keq, qeveria ushtron shantazh ndaj mjekëve të mos flasin për mangësitë, duke i kërcënuar me bukën e gojës, duke përmendur edhe raste konkrete.

Është parë që qeveria dhe falangat e saj intimidojnë e shantazhojnë mjekët të heshtin për mungesat e keqtrajtimet, duke i kërcënuar me bukën e gojës. Dhe shembuj ka  

– Zoti Allkja, ju besoni se shifrat e publikuara nga Qeveria për Covid-19 janë të sakta?

– Ne jemi mësuar tashmë me qeverinë e kryeministrit Rama, që i fsheh gjithçka publikut. Shifrat nuk janë reale për arsye sepse: Testimet janë të kufizuara, nuk janë përfshirëse. Plot qytetarë vetëmjekohen e nuk deklarohen. Nëpër fshatra po ashtu kemi një numër të lartë të infektuarish të padeklaruar. E njëjta gjë ndodh edhe me shifrat e fataliteteve. Qeveria deklaron me rezerva vetëm vdekjet në spital, të cilat janë të dyshimta për nga numri e mënyra. Kanë vdekur në spitalet covid miq të mi, të cilat nuk janë paraqitur asnjëherë në deklaratat e qeverisë, duke patur parasysh moshën, gjininë, vendbanimin.

 

 

– A bëhen manipulime në shifrat zyrtare të qeverisë për Covid-19?

– Kam të drejtën e ligjshme të dyshoj se qeveria manipulon me shifrat, përderisa në gjithë kohështrirjen e pandemisë nuk është treguar transparente. Personalisht nga muaji shkurt e deri në nëntor kam konfirmuar vdekje të dyshimta për COVID-19. Personat e ndjerë kishin vuajtur disa ditë me temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje. Këto i raportojnë edhe kolegë të mi. Janë raste që nuk përfshihen në komunikatat e raportuara çdo ditë nga ministria.

– Po a janë reale fotot e publikuara nga morgu i Tiranës?

– Fatkeqësisht janë foto tmerri. Nga çfarë dëgjoj komente miqsh, ndjehen të dhunuar. Kufoma përtokë, të vëna mbi njëra tjetrën, janë kob për shqiptarët. Në traditat tona vdekja i respektohet gjithkujt, edhe armikut. Kryeministri nuk iu përgjigj pyetjes: përse ka mbipullim në morg? Dihet që çdo familjar e tërheq kufomën e të afërmit brenda ditës!

Ne jemi vend i varfër, me mjekësi të prapambetur, të nënfinacuara, spitale të rrënuara, të keqadministruara, abuzuara e madje të vjedhura nëpërmjet koncensioneve tejet të përfolura si kriminale

– Atëhere përse ka mbipopullim?

– Na bën të dyshojmë se qeveria i deklaron me një skenar vdekjet, numrin e tyre.

– A shkelet dinjiteti i mjekëve që punojnë në spitale, kur u publikuan ato foto dhe kur kryetari i Opozitës Basha akuzoi se numri i të vdekurve nga Covid-19 është më i madh nga ai që raporton qeveria?

– Denoncimi i Bashës nuk ka të bëjë aspak me mjekët, as me punën e sakrificat e tyre, por me institucionet e qeverisë që merren me këto komunikime. M’u desh ta desh ta dëgjoja 2 herë rresht deklaratën e Bashës dhe në asnjë çast nuk kuptova të atakoheshin mjekët.

Në kësi rastesh, a duhet të heshtin vetë mjekët, kur manipulohen shifrat, fshihet realiteti për përmasat e pandemisë?

– Të heshtësh,  do të thotë të bëhesh palë me manipulatorët  e  sëmundjes  e të vdekjes. Mjekët po përballen në të gjitha dimensionet me infeksionin, të lënë pa mjetet e duhura me të cilat janë pajisur kolegët e tyre kudo nëpër botë, dhe të keqpaguar. Është parë që qeveria dhe falangat e saj intimidojnë e shantazhojnë mjekët  të heshtin për mungesat e keqtrajtimet, duke i kërcënuar me bukën e gojës. Dhe shembuj ka, infermieri Frrok Bardhi u nxorr në mes të katër rrugëve vetëm pse denoncoi mungesat në shërbimin e urgjencës.  Unë u lincova publikisht që nga kryeministri e deri tek ushtari i fundit  i ‘rilindjes’, vetëm sepse denoncova mungesat e kërkova përmirësim. Dhe kjo nuk u bë thjesht për personin tim, por që të  shantazhoheshin mjekët e tjerë e të mos flisnin.

Sipas jush, pse mungon transparenca në spitalet e Covid? Pse nuk lejohen kamerat, pacientëve brenda pse u ndalohet telefoni?

-Sipas meje mungon transparenca në çdo vendimmarrje të kësaj qeverie, në shumicën e aktiviteteve ekonomike, sociale, etj.

–  A kanë vërtetësi faktet e denoncuara, që në spitalet e Covid pacientët nuk kanë as sasinë e  oksigjenit që duhet?

– Nuk mund ta konfirmoj, por as ta mohoj, pasi nuk jam pjesë e atyre spitaleve.

Pse deputeti ynë u çua në spitalet e Turqisë të kurohet nga Covid-19?  Spitalet tona, nuk janë në gjendje të kurojnë një deputet?

– Kjo nuk kërkon  të “vrasësh mend” shumë, kjo dihet, ne jemi vend i varfër, me mjekësi të prapambetur, të nënfinacuara, spitale të rrënuara, të keqadministruara, abuzuara e madje të vjedhura nëpërmjet koncensioneve tejet të përfolura si kriminale. Ne s’mund të kemi mjekësi moderne në kushtet e sipërpërmendura. Kjo është arsyeja që pushtetarët, pasunarët e Shqipërisë kurohen jashtë shtetit.

 Ju si mjek, mund të na thoni shkaqet e keqmenaxhimit nga Qeveria të pandemisë

– Diletantizmi, militantizmi, paaftësia, arroganca, shantazhimi i kritikëve, fshehja e të dhënave, abuzimi e të tjera kanë shoqëruar nga fillimi e vazhdim menaxhimin e pandemisë së Covid-19.

– Faleminderit!