Rrënjët e korrupsionit qeveritar janë futur thellë edhe tek përfaqësuesit ndërkombëtarë

520
Nard Ndoka, kryetar i PDK

Nuk ka zgjedhje pa opozitën, nuk besoj asnjëherë që Rama është aq i çmendur sa të provojë një aventurë të tillë, që nuk ka ndodhur në këto vite pluralizëm. Por, nëse do guxojë ta provojë, do dështojë me turp
Rama është fajtori kryesor për kriminalizimin e politikës shqiptare
Nga Jakup B. GJOÇA
Deputeti dhe kryetari i PDK Nard Ndoka, në intervistën për gazetën “Telegraf” pranon se do të jetë çmenduri nga kryeministri Edi Rama, nëse provon të bëjë zgjedhje parlamentare pa Opozitën. Zoti Ndoka, duke pranuar se konflikti i ambasadorit Lu me Kryeprokurorin Llalla është real, thotë se ndërkombëtarët në Shqipëri përdorin 2 standarde. Ndërsa përgënjeshtrimin që i bëri vetvetes ambasadori i OSBE, për deklaratën se qarkullojnë 2 miliardë euro që do blejnë votat, thotë se korrupsioni i qeverisë është future thellë edhe te ndërkombëtarët. Zoti Ndoka thotë se Vettingu përdoret nga Kryeministri Rama për konsum politik për të kapur dhe kontrolluar sistemin e drejtësisë. 
-Zoti Ndoka, përse kryeministri Rama shkarkoi 4 ministrat e tij, derisa i vlerësoi “shkëlqyeshëm”?
-Shkarkimi i ministrave nga kryeministri Rama, është pasojë e kërkesës së LSI-së dhe taktikë për të shtyrë edhe ca ditë në përballjen me protestën e Opozitës. Asgjë e re për interesin publik, për mirëqeverisje, përkundrazi, demagogji dhe tallje me shqiptarët.

– Ju si e shpjegoni, që ndërkombëtarët, ambasadorët në Tiranë dhe emisarët e BE nuk bëjnë përgjegjës politikë kryetarin e PS për kriminalizimin e Parlamentit, derisa ai bëri deputetë me listat e PS personat me rekorde kriminale dhe të mos e kenë më partner politik për reformat e Drejtësisë dhe të integrimit në Shqipëri?
-Faktori ndërkombëtar është i shqetësuar mbi nivelin e lartë të kriminalizimit të Kuvendit, tashmë ky shqetësim i kthyer në ligj për parandalimin e kandidimit të personave me rekorde kriminale një fitore e madhe për të gjithë dhe për turpin e të gjithëve. Rama është fajtori kryesor dhe mban peshën e kriminalizimit në politikën shqiptare. Shqiptarët dhe ndërkombëtarët nuk ja falin këtë mëkat të madh në standardet e demokracisë dhe përfaqësimit.

– Përse u “harrua” konflikti i Ambasdorit Lu me Kryeprokurorin Llalla, derisa midis tyre u shkëmbyen akuza mjaft të rënda penale?
-Nuk është harruar, përkundrazi mbetet si një precedent i rrezikshëm për institucionet tona. Ky konflikt është unikal për të parë në mënyrë të qartë standardet dyfishe që përdoren rëndom!

– Ju si e shpjegoni, që edhe ministrja e Jashtme e BE Mogherini në Tiranë, i kërkoi Opozitës të ndërpriste protestën, që të mos pengohet procesi i integrimit?
-Faktori ndërkombëtar është i ftohtë nga lufta politike mes palëve, protesta një kauze e drejtë, që fituesi është partner politik sërish për integrimin dhe stabilitetin.

– Përse ambasadorët në Tiranë dhe BE nuk solidarizohen me Protestën e Opozitës, (do të thosha, që janë kundër Protestës), derisa pranojnë që korrupsioni i qeverisë dhe krimi i organizuar pengojnë integrimin e Shqipërisë?
-Këto ditë kemi takuar pothuajse të gjithë ambasadorët, ku vërehet se ndërgjegjësimi i tyre mbi situatën e krijuar dhe krizën reale po gjen mbështetjen e tyre mbi pistat e zgjdhjes, sipas agjendës opozitare, qeveri teknike dhe zgjedhje te lira.

– Kryeministri Rama, në replikë me Opozitën, pasi dështoi seanca plenare për votimin e Vettingut për shkak se Opozita e bojkotoi parlamentin, tha: “Jeni të pashpresë, nuk i shpëtoni dot fshesës së Vettingut”. Ju pyes juve, si qytetar dhe intelektual: Vettingu, do të jetë fshesë, për t’u përdorur vetëm ndaj Opozitës? – siç deklaron kryeministri?
-Rama e përdor Vettingun për konsum politik, duke u përpjekur të kapë dhe kontrollojë sistemin e drejtësisë, nëpërmjet procedurave tashmë të bllokuara dhe në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. Rama dhe maxhoranca aktuale kanë humbur të drejtën morale dhe politike për të vazhduar më tej, ndaj e vetmja rrugë është të largohen për t’i hapur rrugë qeverisë teknike dhe zgjedhjeve me standarde.

– Zoti Ndoka, si e shpjegoni, që këta zyrtarë të lartë që na qeverisin sot “nuk tremben” hiç që të nxjerrin publikisht as vilat që ndërtojnë me rrogën e shtetit?
-Kjo nuk ka nevojë për Vetting, por për funksionimin e shtetit dhe institucioneve. Sloganit të kryeministrit, “po bëjmë shtet”, mund të pohosh se ka bërë shtet për të futur në burg të varfrit dhe për ta shfrytëzuar shtetin për pasurimin e tyre.

– Përse nguten ambasadorët dhe emisarët e BE që Vettingu të votohet nga ky parlament, të cilin e kanë pranuar që ka deputetë me rekorde kriminale?
-Ndërkombëtarët e shikojnë si një mundësi, si një standard parimor, pa u futur në procedurat tinëzare të gatuara nga maxhoranca aktuale, apo përbërja e këtij Kuvendi. Gjithsesi, ka një reagim, ka ndërgjegjësim dhe besoj se Vettingu do gjejë kohën e përshtatshme të veprojë.

– Sipas jush, kush e detyroi ambasadorin e ri të OSBE në Tiranë që të retushonte pohimin e tij publik, se “qarkullojnë në Shqipëri 2 miliardë euro nga trafikimi i Kanabis, të cilat mund të blejnë votat dhe deputetët në zgjedhjet parlamentare”? Kjo është dygjuhësia e hipokrizisë diplomatike?
-Një gafë diplomatike, një diplomat që përgënjeshtron veten, tregon se rrënjët e korrupsionit qeveritar janë shtrirë aq shumë, sa janë futur thellë edhe tek përfaqësuesit ndërkombëtarë!

– Është e bindur Opozita që vetëm krijimi i qeverisë teknike, pabërë reformën e thellë zgjedhore, do të garantojë zgjedhje të lira?
-Është e vetmja garanci që ka mbetur tashmë, maxhoranca dhe kryeministri nuk arritën të krijojnë kushte dhe besim për opozitën nëpërmjet konsensusit dhe reformës në Kodin Zgjedhor. Maxhoranca po e zhyt vendin çdo ditë e tepër në krizë të thellë institucionale, duke goditur standardet e zgjedhjeve.

– Nëse Opozita nuk pranon të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, a ka mundësi që në Shqipëri situata politike t’i ngjajë ’97-s? Si e imagjinoni, paskëtaj gjendjen në Shqipëri?
-Nuk ka zgjedhje pa opozitën, nuk besoj asnjëherë që Rama është aq i çmendur sa të provojë një aventurë të tillë, që nuk ka ndodhur në këto vite pluralizëm. Por, nëse do guxojë ta provojë, do dështojë me turp, duke u larguar si shoku Enver, jo si shtatore, por fizikisht!

– Faleminderit!

1
Konflikti i Ambasadorit Lu me Kryeprokurorin Llalla
mbetet si një precedent i rrezikshëm për institucionet tona. Ky konflikt është unikal për të parë në mënyrë të qartë standardet dyfishe që përdoren rëndom
2
Këto ditë kemi takuar pothuajse të gjithë ambasadorët, ku vërehet se ndërgjegjësimi i tyre mbi situatën e krijuar dhe krizën reale po gjen mbështetjen e tyre mbi pistat e zgjidhjes, sipas agjendës opozitare, qeveri teknike dhe zgjedhje te lira
3
Rama e përdor Vettingun për konsum politik, duke u përpjekur të kapë dhe kontrollojë sistemin e drejtësisë, nëpërmjet procedurave tashmë të bllokuara dhe në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës
4
Sloganit të kryeministrit, “po bëjmë shtet”, mund të pohosh se ka bërë shtet për të futur në burg të varfrit dhe për ta shfrytëzuar shtetin për pasurimin e tyre
5
Rrënjët e korrupsionit qeveritar janë shtrirë aq shumë, sa janë futur thellë edhe tek përfaqësuesit ndërkombëtarë
Sigal