Rilindje e radhëve  edhe në (mos)marrjen e shërbimeve sociale

488
Sigal

Ministri Veliaj inauguron ndërtesa të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, si …fasadë të marketingut politik

 U kthyen më në fund, sërish, pas 25 vjetësh demokraci, radhët e gjata të miletit, që çoheshin që me natë e gdhiheshin duke pritur me durim gomari, kësaj here jo më nëpër dyqane për të blerë një kile… domate e mish, por nëpër çdo zyrë shtetërore. Në këto ditë të Rilindjes socialiste, njerëzit, me  dallime të theksuara sociale, – me privilegj dhe përparësi ata që kërkojnë përditë kafshatën e bukës – ngrihen tashmë që në mesnatë për të zënë një vend më përpara nga tjetri, në radhët e gjata të pritjeje…Fjetje në rreshtin e radhës në OSHEE të gjithë miletit, për të paguar, të paktën një këst të kilovatorit, që shteti (babaxhan) të mos i rrasë në burg…

Qindra njerëz në rresht tek Shërbimi Kombëtar i Punësimit

Dhe dje, në zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, te drejtoria rajonale e Tiranës, që në mëngjes ishin në rreshtat e pritjes qindra njerëz, madje edhe gra me fëmijë të vegjël, që i mbanin në krahë. (e pranoj, që kësaj here fëmija nuk u burgos, paçka se u gdhi me mamanë e tij në rreshtat e pritjes). Edhe deri në orët e mesditës, njerëzit në vend që të pakësoheshin, për çudi shtoheshin. Padurimi dhe nervozizmi i shtynin ata që të shtynin e shtyheshin te porta e hyrjes. Por aty kishte përforcime, që përveç rojës me uniformë, ishin edhe 4-5 djem të rinj, punonjës të kësaj drejtorie, që në vend që të shërbenin qytetarëve, ishin caktuar me detyrën e truprojës nga drejtori Florian Dhuli.

Kërkesa… një copë vërtetimi dhe rinovim papunësie

Qindra njerëz, që u gdhinë në  zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, te drejtoria rajonale e Tiranës, për të marrë një vërtetim papunësie dhe për të rinovuar kartën e papunësisë, edhe kur u vinte radha, në sportelin improvizor të korridorit, u jepnin një copë kartë (pak e trashë për t’u ripërdorë diku gjetkë) dhe u thonë që të rivijnë sërish pas disa ditësh, në orë të caktuar. Kjo zyrë edhe pse ka 8 sportele, plus edhe nëpunës që bëjnë rolin e truprojës, nuk mund t’u shërbejnë dot brenda 8 orëve as 200-300 njerëzve, që kërkojnë thjesht një vërtetim papunësie. Drejtori Fatjon Dhuli, që shumë herë, personalisht përforconte rojën dhe nëpunësit e tij, që të shtynin turmën e ta nxirrnin me forca jashtë dere – epo edhe durimi i njerëzve ka një fuqi –  ndërkohë, u jepte urdhër nëpunësve të tyre, që ti përcillnin miletin, për ditë të tjera.

Shërbim shtetëror, pa rregullore të brendshme

Njerëzit shumë herë shprehnin hapur pakënaqësinë për mos shërbimin dhe përcjelljen duarbosh që u bëhej nga këta nëpunës. Kur drejtorit i kërkuam a ka ndonjë rregullore dhe në bazë të së cilës të sqarojë qytetarët, siç ka çdo institucion shtetëror, ku të sanksionojë detyrat e të drejtat e nëpunësit, por edhe ato  të qytetarëve, drejtor Dhuli na tha që rregulloren e ka në zyrë, por nuk mund të përgjigjej përse kjo rregullore nuk është e ekspozuar publikisht në mjediset e zyrave. Sekretarja e drejtorit na pohoi, që (rastësisht) sot (dje) sapo kanë hartuar një rregullore të re, por nuk ka autorizim që të na e tregojë!

Qeveri pa ndjeshmëri sociale

Ministria e (Ç)mirëqenies Sociale, po na trumbeton sukses ndërprerjen e ndihmesave sociale, të kempeve dhe (sikurse në socializëm) propagandojnë nëpërmjet shifrave, që të bëhen të besueshëm. (Por në asnjë rast falsifikatorët nuk i ka çuar në gjykatë. Përse?) Mirëpo të përditshme janë ngjarjet tragjike, ku njerëzit dhe familjet që u janë ndërprerë nga Ministria e (Ç)mirëqenies Sociale, çdo lloj përkrahje sociale, mbeten rrugëve, pa drita dhe përfundojnë në  urgjencat e spitaleve dhe në të shumtën e rasteve, paskëtaj në Sharrë e Tufinë. Pas çdo buzëqeshjeve të ministrit të (Ç)mirëqenies Sociale, Veliaj, ( edhe këto janë produkte të marketingut politik) se inauguroi një godinë të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, është realiteti. Radhë që në mesnatë për një vërtetim papunësie, ndërprerje të çdo ndihme sociale për familjet e varfra. Dhe nëse një nënë, që foshnja e saj nuk ka as gotën e qumështit,  guxon e lidh drita pa lejen e (xhandarit) shtet, atëherë vetë shteti babaxhan e rras në burg, bashkë me fëmijët.  Nëse do kishim shtet me ndjeshmëri sociale, ligji mund të çojë në burg prindin, mirëpo shteti do të përkujdeset për fëmijët e mitur. Por qeveria jonë burgos edhe fëmijën bashkë me mamanë, sepse fëmija mbetët rrugëve, ngaqë nuk ka shërbim të përkujdesjes sociale për fëmijë. Sipas shtetit tonë, foshnja është më i sigurt në burg me mamanë, se sa …rrugëve i vetëm.

Somario

Në çdo vend të BE-së, madje edhe në Greqinë e Trojkës, shteti mundohet të tregojë një fytyrë më njerëzore e të ndihmojë shtresat në nevojë. Kështu, dritat dhe uji, që janë shtetërore, kanë çmime të diferencuara, më të lira për njerëzit  dhe familjet me të ardhura të pakta.