Reporterët e Venecias kërkojnë kompromis mes PS, PD dhe LSI

607
Delegacioni i Komisionit të Venecias, zhvilloi dje, në orën 19:00 në ambientet e Hotel Rogner një takim me median. Në këtë dalje publike, ata thanë që reforma në drejtësi është urgjente dhe e nevojshme. Për sa i takon zgjedhjes së kandidaturave në organet e sistemit të drejtësisë, me 2/3 apo 3/5, Marker u shpreh se këtë nuk mund ta zgjedh Komisioni i Venecias, por duhet të zgjidhet duke iu përshtatur realitetit shqiptarë dhe për këtë duhet të bien në dakordësi palët politike, pasi gjithçka duhet të zgjidhet duke u bazuar në realitetin shqiptar. Por dje Reporterët e Venecias në një dalje për mediat thanë se Komisioni i Venecias në sesionin e tij më 12-13 mars do të miratojë projektin përfundimtar. Tomas Markelt, Sekretar i Komisionit të Venecias në këtë takim me gazetarët u shpreh se “Gjyqësori në Shqipëri ka humbur besimin e qytetarëve dhe shqiptarëve. Kjo vjen si pasojë e korrupsionit. Në qoftë se një çështje gjykohet nga një gjyqtar i korruptuar, gjykimi do çonte në një proces problematik. Më lejoni të them në këtë kuadër që ne jemi mbështetës të reformës”. 
Mbështetje për rekomandimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Markelt tha gjithashtu se “mbështesim vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, një proces i tillë nuk është normal ose i zakontë në pjesën më të madhe të shteteve europiane. Por ndërkohë që parashikohet kjo procedurë e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga ana tjetër duhet të sigurohemi që të ofrojmë garanci të nevojshme me ligj, e cila bën të mundur një proces të rregullt ligjor, në rast ankimimi nga prokurorët ose gjyqtarët përkatës”. Më poshtë ai shtoi se “kjo është një reformë jo e thjeshtë për tu realizuar. Duhet realizuar dhe duhet të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit, po ashtu konceptin e llogaridhënies, dhe të luftojë korrupsionin. Raporti i ndërmjetëm që kemi vënë në dispozicion, ka shumë haqe, për faktin se tërësia e çështjeve ishte shumë e gjerë. Reforma është në rrugën e duhur, dhe pas disa punësh harmonizuese, ajo do jetë e gatshme për tu miratuar nga forcat politike. Miratimi i reformës është diçka në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe si rezultat nuk duhet interpretuar si detyrim për integrimin e Shqipërisë në BE. Ne jemi këtu që të sigurohemi që zgjedhjet e bëra nga ekspertët shqiptarë janë në përputhje me standardet europiane. Procedura e emërimit të kandidatëve është po aq e rëndësishme sa procedura e zgjedhjes së tyre. Duhet të sigurohemi që të kemi kandidatë që përmbushin kriteret, të cilët më pas do të votohen. Ka dhe mënyra të tjera që mund të përdoren për të siguruar përbërjen e duhur të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të prokurorisë. Ekzistojnë disa opsione për zgjidhjen e kësaj situate dhe shpresojmë që forcat politike të ulen dhe të dakordësohen për një zgjidhje”. 
Ekspertët iu përgjigjën pyetje të gazetarëve
TCh: Bazuar në nenin 148 të Kushtetutës, thuhet se prokuroria e posaçme për ndjekjen penale për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, është e pavarur nga prokurori i përgjithshëm. Sipas jush, a është e nevojshme një njësi hetimi e posaçme, apo është e tepërt dhe a duhet te jetë e pavarur nga prokurori i përgjithshëm kjo njësi? 
Teksa flasim, në Malin e Zi po krijohet një njësi e tillë antikorrupsion. Italia po ashtu ka zyrën e anti-mafias, e ngjashme me këtë njësi. Ne kemi shprehur se këto standarde përputhen me standardet e BE. Nuk është zgjedhje e kërkuar, por e lejuar.
ABC News: A është në standardet e Komisionit të Venecias miratimi i anëtarëve të këtyre organeve me 84 vota, që aktualisht mazhoranca në Shqipëri i ka? Përjashtohet pjesëmarrja e opozitës në procesin e votimit? 
Është legjitime që të kërkohet një shumicë që shkon përtej shumicës me 3/5. Ekzistojnë organizime të tjera që mund të përqafohen nga partitë politike që janë në përputhje me standardet e BE. Partitë duhet të funksionojnë me mirëbesim tek njëra-tjetra.
TV Report: Bazuar në nenin 179, thuhet se kush jep dorëheqjen nga hetimi pasuror, nuk hetohet më. A është kjo një lloj amnistie? 
Gjyqtarë të korruptuar, nëpërmjet një mekanizmi, dalin nga sistemi gjyqësor. Ky është një mjet i mirë dhe i pranueshëm për të luftuar korrupsionin. 
News 24: Në mandatin e ekspertëve të nivelit të lartë, thuhet se duhet ndërprerë mandati i prokurorit të përgjithshëm, ndërkohë që opozita dhe LSI nuk e prekin çështjen e prokurorit. Opinioni juaj në lidhje me këtë?
Kjo është një çështje, e cila do diskutohet në raportin përfundimtar. Nuk mund të japim një përgjigje rreth kësaj.
Ora News: Në raportin paraprak, ju i qëndroni tezës se formulimet aktuale nuk e luftojnë kooperativizmin. A i qëndroni ende mendimit se kooperativizmi është në rrezik për sistemin e drejtësisë në Shqipëri? 
Është e vështirë që të ruhet balanca për sa i përket kooperativizmit. Nga njëra anë, personat që i takojnë të njëjtit profesion favorizojnë njëri-tjetrin, por ndërkohë ne duhet të sigurohemi që respektohet parimi i llogaridhënies. Nga ana tjetër, duhet të sigurohemi që struktura të tjera të jenë jashtë influencës politike. Ndërkohë, projekt ndryshimet janë të komplikuara për faktin se hartuesit janë munduar të krijojnë një sistem gjyqësor që nuk e favorizon kooperativizmin. Megjithatë, më lejoni t’ju kujtoj, se komisione të tilla nuk përbëhen vetëm nga gjyqtarë. Sipas projekt – ndryshimeve, në përbërje ka organe jashtë gjyqësorit, për të krijuar balancë.
Sigal