Reforma, Meta bisedon në telefon me Komisionerin Hahn

496
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi mbrëmjen e së martës një bisedë telefonike me Komisionerin e BE-së për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, me të cilin diskutuan mbi zhvillimet e fundit për miratimin e reformës në drejtësi.
Sipas asaj që bëhet e ditur, në përgjigje të interesimit të komisionerit Hahn mbi ecurinë e fazës përmbyllëse të miratimit të paketës kushtetuese për reformën në sistemin e drejtësisë, kryeparlamentari Meta e informoi atë mbi takimin e djeshëm në Kryesinë e Kuvendit, mes krerëve të partive kryesore politike në vend, dhe vuri në dukje se fryma konstruktive dhe progresi thelbësor i arritur gjatë bisedimeve në tryezën politike duhet përshëndetur pozitivisht nga të gjithë palët.
Meta e siguroi Hahnin se, “pas deklaratave të sotme dhe angazhimit të qartë të shprehur prej Ramës dhe Bashës, ekziston një predispozitë e shëndetshme për miratimin konsensual të reformës në drejtësi të enjten më 21 korrik”, paketë e cila është futur tashmë në rendin asaj dite në Kuvend.
Kryetari i Kuvendit Meta, gjatë bisedës telefonike theksoi gjithashtu faktin se, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit do të bëjë gjithçka për të ruajtur frymën konsensuale e konstruktive për miratimin e paketës kushtetuese të enjten në seancë plenare, në interes të ruajtjes së stabilitetit politik të vendit dhe integrimit europian të tij, si dhe në shërbim të suksesit të fazës së ardhshme të zbatimit të kësaj reforme të rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Sigal