Rama-Vuçiç: Të ndarë për Kosovën, por të vendosur për marrëdhënie të mira

477
TIRANE – Rreth orës 11:00 të paradites së të mërkurës për herë të parë një kryeministër serb ka shkelur tokën shqiptare. Aleksandër Vuçiç është pritur në aeroportin e Rinasit nga zëvendëskryeministri shqiptar Niko Peleshi. Nën masa te rrepta sigurie delegacioni serb me në krye shefin e qeverisë u nisën drejt Pallatit të Brigadave në kryeqytet, duke qene thuajse i përpiktë me orarin e përcaktuar sipas protokollit ku u prit nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama me një ceremoni zyrtare. Një element i rëndësishëm në dallim me atë të vizitës së kryeministrit Rama në Beograd,ishte ngritja e flamurit serb përkrah atij shqiptar.
Pas shtrëngimit të duarve të dy krerët e qeverive dëgjuan himnet përkatëse të luajtura nga banda e Gardës së Republikës ku për herë të parë është luajtur ai serb, të cilin kryeministri Aleksandër Vuçiç e ka kënduar nën zë. Pas kësaj ceremonie Rama e Vuçiç të shoqëruar nga delegacionet e tyre kanë mbajtur një takim kokë më kokë e më pas edhe një bisedë në prani të delegacioneve për tu pasuar me konferencën e përbashkët për shtyp. 
Kjo konferencë mes dy kryeministrave në Pallatin e Brigadave në Tiranë nuk i ngjante aspak asaj të Beogradit nëntorin e shkuar që u shoqërua me tensione. Por përpos faktit që tonet ishin shumë herë më të buta krerët e qeverive qëndruan të ndarë në mendime për çështjen e Kosovës. Kryeministri Rama kërkoi që dialogu Kosovë-Serbi të përparojë ndërsa ka theksuar pas pyetje se një gazetari serb se i qëndron deklaratave të tij në Beograd se vetëm njohja e pavarësisë do të ishte çlirim për serbët. “Kosova eshte territori yne”, tha Vucic.
Me një pamje të qetë kryeministri serb pohoi se është i gatshëm t’i shtrijë dorën e miqësisë popullit shqiptar. Kjo vizitë i shërbeu Vuçiçit për të konfirmuar një nga tiparet më dalluese të shqiptarëve, mikpritjen. 
Ngjarja në stadiumin “Partizan” të Beogradit ku u valëvit flamuri i Shqipërisë së madhe u prek sërish nga dy kryeministrat edhe pse Rama nuk deshi ta thellonte më tej këtë incident tashmë të harruar. Rama theksoi edhe njëherë se projekti i Shqipërisë është vetëm paqja dhe rruga drejt Bashkimit Europian duke siguruar se nuk ka asnjë vizion për Shqipërinë e Madhe. 
Konferenca Rama-Vucic
Ora 13:30 Vuçiç: Krenar që jam i pari Kryeministër serb që vij në Tiranë
Edhe Shqipëria edhe Serbia e ka një të ardhme të mirë, nga e shkuara nuk mund të ikim po duhet të shikojmë të ardhmen, unë dëshiroj t’i zgjas dorën miqësore popullit shqiptar, pa marrë parasysh ndryshimet tona. Edhe deklaratat i kemi të ndryshme kjo do jetë edhe në të ardhmen por kjo nuk do të ndryshojë marrëdhëniet tona strategjike në të ardhmen. Ne nuk pajtohemi për statusin e Kosovës. Megjithatë duhet të përmirësojmë marrëdhëniet për një të ardhme të mirë. Shqipëria sot i ka marrëdhëniet shumë më të mira me Serbinë se sa në të kaluarën besoj se në të ardhmen do të jenë shumë më të mira.
Dy herë e kam pritur Ramën, jemi parë disa herë anembanë botës, kemi biseduar haptazi edhe kur nuk jemi kuptuar. 
Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Shkëmbimi tregtar dhe projektet janë në interes të të dy vendeve. Janë shumë njerëz që pyesin se pse jam unë këtu. Puna ime është edhe e qeverisë së Serbisë. Ne këtu do të sjellim edhe investitorët tonë, edhe ato shqiptarë në Serbi. Jam i bindur se këtë e bëjmë në interes edhe të popullit shqiptar edhe atij serb. Jam i bindur edhe për Serbinë edhe për Shqipërinë është me rëndësi që të fitojmë nga këto projekte. 
Provokacia? Vuçiç: Nuk kam asnjë vërejtje për mikpritjen
Vuçiç u pyet nga gazetarët shqiptarë nëse kryeministri Rama e mbajti premtimin dhënë në Beograd se nuk do të kishte asnjë provokim për Vuçiç nëse do të vinte në Tiranë.
Vuçiç: Falenderojmë për këtë mikpritje. Ne kur nuk pajtohemi mund ta kalojmë këtë me fjalë të cilat tregojnë shumë më shumë. Nuk kam asnjë vërejtje në këtë mikpritje. Nuk më interesojnë zgjedhjet në shtetin tim, më intereson se çfarë mund të bëj mirë për shtetin tim. Ky takim do të jetë shumë i mirë për të dyja shtetet tona. Shqipëria e Serbia i kanë marrëdhëniet shumë më të mira seç i kanë pasur në të shkuarën e do t’i thellojmë më tej.
Rama: Në fakt zotimi im ishte se çfarëdo të thoshte kryeministri nuk do ndiheshim të provokuar, se siç e theksova në çështjen e Kosovës ndajmë qëndrime krejtësisht të kundërta. 
Vuçiç: Droni u organizua politikisht. Rama: Në Shqipëri do të kishim qeshur me Serbinë e Madhe
Në fokusin e pyetjeve të gazetaërve u vendos edhe droni me flamurin e shqipërisë së madhe që u hodh mbi stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes të futbollit Serbi-Shqiëpri, ku Vuçiç këmbënguli në qëndrimin e tij se ishte provokim i organizuar politikisht.
Vuçiç: Ky incident ka qenë i keq për marrëdhëniet tona, ka qenë i organizuar politikisht se flamuri i Shqipërisë së madhe e dikush se dërgon diku për të qeshur, por ka pasur qëllimin politik. Unë e di emrin e personit që e ka hedhur Ismail, nuk ia di mbiemrin dhe ai ka ardhur nga Italia 2-3 para mbajtjes së ndeshjes dhe kjo ka pasur qëllimin e vet politik. Kjo tregoi se sa të brishta janë marrëdhëniet tona dhe emocionet nga të dyja anët u treguan.
Ndërsa kryeministri Rama u kujdes të shmangë komentin e thelluar për këtë incident të kaluar tashmë, duke iu referuar marrëdhënieve të brishta mes dy vendeve. Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se nëse flamuri i Serbisë së madhe do të ishte ngritur në Shqipëri, të gjithë do të kishim qeshur.
Rama: “Unë nuk dua të kthehem pas tek fluturaku që na bëri objekt të vëmendjes së të gjithë botës. Për ne Shqipëria e madhe ngaqë nuk është as vizion, as projekt, as program nuk na bën përshtypje kur shfaqet qoftë edhe në atë formë në stadiumin e Beogradit. Ne po të kishim parë një flamur të Serbisë së madhe do të kishim qeshur të gjithë por është çështje perceptimesh dhe më mirë mos të hyjmë në këtë terren, mësimi nga ajo ngjarje është nxjerrë nga të dyja palët: kjo paqe kaq e madhe është ende aq e brishtë sa mund të vihet në rrezik edhe nga një top futbolli, megjithatë ne e kemi kapërcyer me kurajë atë moment dhe sot jemi këtu në vizitën e kthimit të kryeministrit të Serbisë që shënon një shenjë të vullnetit të përbashkët për të parë para dhe bindjes së përbashkët se pavarësisht mos dakordësive ne kemi një hapësirë të pafundme mundësish dhe përgjegjësish të përbashkëta”.
Vuçiç: Nuk i iki obligimeve ndaj pakicave
Ndërsa i pyetur në lidhje me deklaratën që kryeministri serb dha pak ditë para mbërritjes në Tiranë se shqiptarët janë në zgjerim e duhet pasur kujdes, Vuçiç u përgjigj: Shqipëria është një ekspasion edhe në aspektin ekonomik. Të gjitha këto dallime dhe mosmarrëveshjet që i kemi, jam i gatshëm të dëgjoj se ç’mund të bëjmë për pakicat. Besoj se Shqipëria do të bëjë edhe më shumë për pakicat. Nuk i iki këtyre obligimeve dhe këto marrëdhënie janë shumë të rëndësishme për ne. Jemi të gatshëm të dëgjojmë të gjitha vërejtjet.
Pyetje per Ramen
Zoti Rama ju kërkoni respektimin dhe të drejtat për shqiptarët në Preshevë. Por ndërkohë si është trajtimi i serbëve në Shqipëri?
Rama: Shqiptarët në Serbi meritojnë atë trajtim dinjitoz që kanë serbët e Kosovës. Me forcën e shembullit, dhe jo me shembullin e forcës vizionin tonë për rajonin. Sa i përket serbëve në Shqipëri nuk kam dëgjuar asnjëherë asnjë lloj ankese të kësaj natyre dhe e them me krenari, Shqipëria por edhe Kosova kanë garantuar një trajtim spektakolar të minoriteteve.
Zoti Rama a e kundërshtoni projektin e Shqipërisë së Madhe? 
Rama: Ne kemi ofruar që ditën e parë mbështetje të dialogut. Për ne dialogu ka shënuar fundin e historisë së konfliktit. Edhe në Beograd unë e kam nënvizuar rëndësinë e dialogut. Por nuk kam ndryshuar dhe as do të ndryshojë bindjen për Kosovën. Dhe njohja e Kosovës do të ishte një çlirim i madh për ju. Por nuk dua të hyj më thellë pasi ju sot jeni miq në shtëpinë tonë. Shqipëria e Madhe është një ide që e kanë promovuar dhe e ushqejnë ata që nuk I duan të mirën shqiptarëve. Jo ne dhe jo kombi ynë që nuk synon zgjerim në kurriz të askujt por vetëm vetëvendosje dhe paqe. Kështu që nuk ka projekt të Shqipërisë së Madhe, por vetëm paqja është projekti ynë. Ne duam një rajon pa kufij, për shqiptarët dhe jo vetëm. Kaq ia detyrojmë popujve tanë dhe njëri-tjetrit. Por nuk kanë lidhje me vendosmërinë tonë për të ardhme të përbashkët. Dëshira jonë është të kemi sa më shumë miq dhe turistë nga Serbia. Dhe ne jemi të vendosur t’i mbështesim bashkarish.
Ora 12:43 Rama: Thyem një kohë të stërgjatë akulli, edhe pse s’jemi për gjithçka dakord
“Shpreh qysh në fillim bindjen se këto 24 orë që do të qëndrojë në Tiranë do të jenë për të një shtysë që të rikthehet me kënaqësi në vendin tonë. Uroj që mbresat pozitive të vizitës ta nxisin kolegun serb që në kthim të inkurajojë bashkëqytetarët e tij ta vizitojnë Shqipërinë sidomos gjatë verës ku përfitoj nga rasti i pranisë së mediave serbe, do të gjejnë ushqimin, mikpritjen më pozitivisht befasuese. Vuçiç është në Tiranë për një vizitë dy palëshe siç ishim dakordësuar më parë dhe për të marrë pjesë në takimin në kuadrin e përfundimit të mandatit të presidencës shqiptare të SEECP-së. Për shkak të punimeve në katin e parë të kryeministrisë ne e organizuam në këtë pallat ceremonialin e pritjes së kryeministrit serb. Vuçiç është i pari vizitor i këtij rangu nga Beogradi që pritet në Tiranë me të gjitha nderimet protokollare, ne kryem këmbimin e parë të vizitave në rang kryeministrash pas një kohe të stërgjatë akulli mes dy shteteve tona.
Ky fakt ështe shenjë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë dy kombet tona më pranë njëri-tjetrit pavarësisht se jemi larg së qenit dakord për gjithçka.
Kjo, shenjë e bindjes së përbashkët se shqiptarët dhe serbët kanë një mundësi historike që ta kthejnë paqen e meziarritur në këtë rajon në një paqe që ja vlen të jetohej,
Sot kemi mundësinë të bëjmë për të mirën tonë dhe të rajonit atë që francezët e gjermanët bënë për vetveten e Europën pas luftës së dytë botërore. Vullneti i qeverisë shqiptare është i palëkundur për të çuar para axhendën e një rajoni pa kufi, ku të bien barrierat e trashëguara prej vitesh. Nga ato historike, tregtare, shoqërore e kulturore, që na kanë penguar ta projektojmë së bashku të ardhmen.
Ne jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë në përpjekjen për të rritur ekonominë tonë dhe shumëfishuar energjinë pozitive që kaq shumë i duhet popujve tanë e sfidash të rënda për secilin prej nesh
Kam bindjen se suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë për të mbërritur suksesin e përbashkët në një rajon ku qendrojne kaq të ndërlidhur fatet tona. Duke ecur veç e veç në drejtimin e duhur të bëjmë me tjetrin dhe për tjetrin se çfarë pretendojmë që tjetri të bëjë me ne dhe për ne.
Historia e ndasisë është e atillë që e bën sot sfidën e paqes një përgjegjësi të përbashkët edhe ndaj fatit të rajonit të të nesërmes si një i tërë.
Fakti që një top futbolli na rrokullisi në pikën zero ishte domethënës për brishtësinë e kësaj paqeje dhe peshën e përgjegjësise që përbën kthimi i saj në një fazë të re bashkëjetese mes nesh.
Rikonfirmoj vullnetin e plotë të Vuçiç për të jetësuar plotësisht marrëveshjen për njohjen reciproke të të rinjve, ata presin më shumë nga qeveria e Serbisë në këmbim të vullnetit të tyre për të respektuar plotësisht shtetin dhe institucionet e Serbisë.
Dialogu Serbi-Kosovë, që Shqipëria e mbështet duhet të përparojë me zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara, nuk duhet të mbetet histori evropiane suksesi në letër.
Ngjarjet në Kumanovë vërtetuan edhe njëherë brishtësinë e kësaj paqeje kaq gjatë të ëndërruar në Ballkan. Shqipëria e sheh si interes të padiskutueshëm të sajin dhe të shqiptarëve në Maqedoni, po njësoj të të gjithë rajonit e Evropës integritetin territorial dhe funksionimin demokratik të Maqedonisë. Ne jemi kundër çdo forme të shfaqjes së ksenofobisë, dhe dua të theksoj fort se të gjitha vendet duhet të distancohen nga thirrjet që nxisin fjalë të tilla. Kjo i përket një Ballkani të së shkuarës dhe nuk kanë lidhje me përpjekjen tonë për Ballkanin e nesërm. Ne e dimë që paqja në rajon është e frymëzuar nga fryma e Bashkimit Evropian.
Paqja mes nesh buron nga ëndrra evropian e popujve tanë.
E shoh këtë vizitë si shenjë të ndërlidhjes me këto aspirata, ndaj i mbetem falënderues kryeministrit Vuçiç për vizitën në Tiranë dhe duke i kaluar fjalën uroj intensifikimin e marrëdhënieve tona, dhe kthimin e marrëdhënieve shqiptarë serbë në një shenjë dalluese.
Sigal