Rama: Vlerësimi nga BE për kapjen e drogës, operacion tërësisht shqiptar

636
Kryeministri Edi Rama u shpreh dje se kishte marrë vlerësime për operacionin e fundit të agjencive ligjzbatuese shqiptare, gjatë të cilit u sekuestruan 613 kg kokainë, edhe nga drejtuesit e Bashkimit Evropian. Ai foli në përfundim të takimit të zhvilluar në Sofje të Bullgarisë, mes kryeministrave të rajonit, Presidentit të Komisionit Evropian, Junker, shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogerini dhe Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Han. “Operacioni më i fundit i agjencive tona ligjzbatuese pati një jehonë shumë pozitive dhe u vlerësua me pozitivet maksimal. Ishte po kaq e rëndësishme edhe vetëdija dhe nënvizimi i kësaj vetëdijeje se ky ishte një operacion mirëfilli i agjencive tona ligjzbatuese, pa, në këtë rast, një sinjalizim nga partnerët”, tha Rama. Shefi i qeverisë vuri në dukje se ngarkesa e drogës i kishte shpëtuar më herët kontrolleve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. “Ngarkesa e kapur përbën, jo vetëm një sasi që është më e madhja e kapur ndonjëherë prej nesh, por një sasi që, përpara sesa të vijë në vendin tonë, ka kaluar në portet e Bashkimit Evropian dhe faktikisht i ka shpëtuar kontrolleve”, vijoi ai. Kreu i Qeverisë theksoi se është e natyrshme që Shqipëria do të punojë vijimësisht me partnerët, por sipas tij ky rast tregon integritetin e forcave shqiptare të angazhuara në luftën kundër trafiqeve. Rama theksoi se këndvështrimi i Brukselit në këtë takim ishte pozitiv ndaj Tiranës, arsye për të cilën priste një rekomandim në favor të hapjes së negociatave dhe një përgjigje pozitive nga vendet anëtare. “Është e qartë që duhet të punojmë intensivisht në këtë periudhë për sa i përket vendeve anëtare, pasi kështu funksionon ky proces, por po ashtu është e qartë se ka një mirëkuptim të gjerë lidhur me hapat e rëndësishme përpara që ka bërë Shqipëria”, deklaroi kryeministri. Në takimin e Sofjes me kryeministrat e rajonit është folur edhe për financimet e projekteve në kuadër të Procesit të Berlinit, ku sipas kreut të Qeverisë, korridori blu, ose autostrada Adriatiko-Joniane është prioritet parësor.
Pse u përhap kanabisi pas Lazaratit
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në “Channel One” se qeveria e ka fituar betejën me kanabisin, duke nxjerrë Shqipërinë nga harta e vendeve kultivuese. “Ne e fituam luftën kundër kanabisit. E fituam edhe betejën për nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis”, deklaroi kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi se në katër vitet e qeverisë së majtë për herë të parë u luftua kanabisi. “Këtu kemi jetuar dhe e mbajmë mirë mend se çfarë ndodhte dhe e mbajmë mend mirë Lazaratin. Kanabisi nuk është luftuar në Shqipëri asnjëherë dhe ajo që unë di me shifra është që vetëm nga Lazarati trafikoheshin 900 ton”, tha ai. Pas pastrimit të Lazaratit, Rama tha se ,pati një kundër reagim për të përhapur parcelat e mbjella në zona të tjera të Shqipërisë, reagim i cili e gjeti Policinë e Shtetit të pa përgatitur për shkak edhe të reformimit që po i bëhej kësaj strukture. “Pas Lazaratit pati një reagim në të kundërt dhe ne kaluam në një fazë ku nuk ishim të përgatitur plotësisht për të përballuar këtë reagim. Lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike është një luftë në terren dhe në terren ka forca që veprojnë dhe kundërveprojnë”, tha Rama. Sipas shefit të qeverisë, pati një moment ku ne u vumë në difensive. Por tha ai kundër reaguam dhe e pastruam Shqipërinë nga kanabisi. “Këtë e thonë faktet e dokumentuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Në 2017-n Shqipëria u pastrua dhe nuk ka shans më që Shqipëria të mbillet më me kanabis”, deklaroi kreu i qeverisë.
Sigal